2011-10-19 12:02:58

Ikona e Nënë Terezës: Nënë në emër të Atit Qiellor.


Një sari, një palë sandale, një kryq i vogël. Kjo është ikona e Nënë Terezës së Kalkutës të cilën Papa Gjon Pali II e shpalli të Lume vetëm gjashtë vjet pas vdekjes , duke përmbushur kështu dëshirën e miliona burrave e grave nga të katër anët e botës, që e patën konsideruar shenjte që më të gjallë. E quajtën shenjte për bamirësinë e saj, sepse e kishin parë duke u shërbyer me dashuri të pakufishme njerëzve më të papërfillur të botës, në Indi e gjetiu. Por gjithsesi figura e Nënë Terezës nuk mund të krahasohet me figurën, sado heroike, të një përfaqësueseje të Kryqit të Kuq, ose të "Mjekëve pa kufij". Pikërisht procesi i lumturimit sqaron pse nuk duhen bërë thjeshtëzime e as paralelizma të tilla. Procesi dioqezan i kryeipeshkvisë së Kalkutës nxori në dritë, përmes dëshmive dhe letrave, të cilat ajo vetë ia pati drejtuar atit shpirtëror dhe kryeipeshkvit të Kalkutës, më shumë përmasën mistike, se sa atë bamirëse, theksimi i së cilës ndonjëherë edhe është tepruar. Motra shqiptare, fytyra e rrudhur e së cilës të kujtonte gjeografinë e vuajtjes në botë, nuk jetoi si e varfër ndërmjet të varfërve thjeshtë për t'u shërbyer njerëzve të braktisur nga shoqëria: kishte një qëllim më të lartë: të ndiqte varfërinë e kryqit, të zbatonte një për një planin hyjnor. "Shpirti im është përplot me dashuri, me gëzimin e papërshkrueshëm të bashkimit të pandërprerë me dashurinë e Krishtit. Jezusi nuk më kërkon gjë tjetër, veçse t'i dhuroj atij vetveten, varfërinë time, hiçin tim" - shkruante.
Për ta kuptuar më mirë ç'u tha më sipër, tregohet kjo anekdotë: " Një gazetari amerikan, i cili, duke e parë të përkulur, tek mjekonte plagët e një të gërbuluri, që kullonin gjak e qelb, i pati thënë se ai nuk do ta kishte bërë këtë as për një milion dollarë, Nënë Tereza i qe përgjigjur aty për aty: "As unë nuk do ta bëja kurrë për aq para. Por e bëj falas për Krishtin!".

Diçka të ngjashme i pati thënë Nënë Terezës
dhe motrave të saj një ministër indian: "Bëjmë të njëjtën punë, por me një ndryshim të vetëm: ne e bëjmë për diçka, ju për Dikë".

Megjithatë, duhet theksuar se misticizmi i saj nuk është ishull izolimi: përkundrazi, ajo nuk mbyllet kurrë në vetvete, ia hapë portën kujtdo, e gatshme për t'i shërbyer me të gjitha forcat, siç ishte mësuar që në moshë ende të njomë. "Në se nuk e kryen një gjest bamirësie me dashuri, të lutem, më mirë mos e bëj fare" - i thoshte e ëma. E akoma: "Ti duhet të jesh dora e Provanisë Hyjnore kur nuk të shikon askush, në mënyrë që ata të cilët marrin, t'i jenë mirënjohës Zotit e jo ty".Kështu krahët e saj u bënë krahët e vetë Zotit e ajo, simbol i dukshëm i dashurisë së tij. Mori mbi supet e brishta barrën tejet të rëndë të të gjithë varfanjakëve të botës, duke e ditur se kështu kënaqte Zotin e vet. Ky është thelbi i përshpirtërisë së saj, që i ka themelet në dashurinë e pakufishme të Atit për të varfrit e të braktisurit, e cila gjen shprehjen më të lartë në misterin e Kryqit e të ringjalljes së Krishtit. E kjo është edhe forca e vërtetë mistike e mësimit që na lë trashëgim Nënë Tereza. Nënë në emër të Zotit At!







All the contents on this site are copyrighted ©.