Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: shpesh herë njeriu e harron mëshirën e
Zotit, e cila vlen për amshim.
Në audiencën e sotme të përgjithshme, Benedikti XVI ia kushtoi katekizmin Psalmit
136/135, sipas numërimit greko-latin. Psalmi kremton Zotin në shprehjet e përsëritura,
të pambaruara, të mirësisë së tij. I njohur me emrin “Halleli i madh”, përshkon etapat
kryesore të historisë së shëlbimit, deri tek misteri i Pashkëve, në të cilin vepra
shëlbuese e Hyjit arrin pikën kulmore.
Arkitrau i Psalmit është kujtesa e popullit
të Izraelit për mëshirën e Zotit, pavarësisht nga periudhat e errësirës e të mundimeve.
Mëshira e Zotit – nënvizoi Papa – vlen në amshim. “E kjo është e rëndësishme
edhe për ne, ta ruajmë në kujtesë mirësinë e Zotit. Kujtesa bëhet forcë e shpresës,
kujtesa na thotë: Zoti është, Zoti është i mirë, e amshuar është mëshira e tij. E
kështu kujtesa hap, edhe në errësirën e një dite, të një kohe, rrugën kah ardhmëria;
është dritë, është yll, është prijëse”. Mirësinë e Zotit e shikojmë qartë
edhe në historinë e Kishës, madje edhe në ato faqe, në të cilat të duket sikur errësira
e mund dritën: “E, ashtu si në historinë e përbashkët, kolektive, është e
pranishme kjo kujtesë e mirësisë së Zotit, që na ndihmon e bëhet yll i shpresës, kështu
edhe secili nga ne ka historinë e vet personale të shëlbimit. Duhet ta çmojmë këtë
histori! Duhet ta kemi gjithnjë parasysh kujtimin e gjërave të mëdha, që bën Zoti
edhe në jetën tonë, sepse kjo kujtesë na ngjall e na ruan besimin se mëshira e tij
është e amshuar. E në se sot jemi të rrethuar nga nata e errët, nesër ai do të na
çlirojë, sepse mëshira e tij është e amshuar”. Një, është lajtmotivi, që
e përshkon dhe e bashkon gjithë Psalmin: dashuria e pasosur e Zotit, plot me besnikëri,
me mëshirë, mirësi, hir, ëmbëlsi, butësi. Shprehja e parë e kësaj dashurie, sipas
Psalmit, është krijimi: “Bota e krijuar nuk është thjesht skenë, mbi të cilën
vendoset vepra shëlbuese e Hyjit, por është vetë zanafilla e kësaj vepre të mrekullueshme.
Në Krijim, Zoti shpalos gjithë mirësinë, gjithë e bukurinë e vet, merret vesh me jetën,
duke shprehur dëshirën e pacak për të bërë mirë. E pikërisht nga kjo dëshirë buron
çdo vepër tjetër e shëlbimit”. Psalmi ndalohet, pastaj, tek dalja e popullit
të Izraelit nga robëria egjiptiane, tek çlirimi nga skllavëria. Figura e Detit të
Kuq, ndarë më dysh – shpjegoi Papa - duket sikur të kujton idenë e detit, parë si
përbindësh i madh, që ndahet dy copash, për t’ u bërë, kështu, i parrezikshëm: “Pushteti
i Zotit fiton mbi forcat e errëta të natyrës, e edhe mbi forcat ushtarake, organizuar
nga njerëzit: deti, që dukej se do t’ia priste rrugën popullit të Zotit, ndahet dysh,
e lë Izraelin të kalojë mbi tokë të thatë e pastaj mbyllet përsëri mbi egjiptianët,
duke i përlarë, kuaj e kalorës”. Një nga tiparet dalluese të Zotit - kujtoi
Papa – është dëshira e përhershme për të dhuruar. E në sa sintetizohen një pas një
mrekullitë e mëdha të Hyjit, Psalmisti arrin në çastin e dhuratës së fundit, tokës:
“Në kremtimin e dashurisë së amshuar të Zotit, kujtohet tani dhurata e tokës,
dhuratë që populli do ta marrë, por pa mundur kurrë ta bëjë plotësisht të vetën, duke
jetuar vazhdimisht mbi të si mik plot mirënjohje”. Zoti dhuron e dhuron,
ndërsa njeriu harron e harron. Po Zoti nuk heq kurrë dorë nga besnikëria e tij: kujtesa
e Hyjit është peshtafi i çmuar, ku ruhet gjithë ajo dashuri, e kënduar në Psalm. Zoti,
i cili krijoi qiellin e tokën e dritat e mëdha qiellore – përfundoi Papa – është Hyji,
që e mbush gjithësinë me praninë e tij, me mirësinë e tij; është Zoti, që na jep jetën
e përditshme, duke na dhuruar bukën. E, në sa na dhuron ‘Bukën e jetës’, Eukaristinë,
që na shoqëron gjatë gjithë udhës sonë si besimtarë, na bën të shijojmë që mbi tokë,
gëzimin përfundimtar të gostisë mesianike, qiellore”.
Në përshëndetjen drejtuar
besimtarëve sllovakë, Benedikti XVI kujtoi se të dielën e ardhshme do të kremtohet
Dita Misionare Botërore. Është ftesë për ta përtërirë bashkëpunimin tonë aktiv në
veprat misionare të Kishës,. Duke përshëndetur, më në fund, të sëmurët, të sapomartuarit
dhe të rinjtë, posaçërisht të sapokrezmuarit e dioqezës së Faenca-Modiljanës, kryesuar
nga imzot Klaudio Stanji, Papa u ndalua posaçërisht tek figura e Shën Lukës ungjilltar,
kujtimi liturgjik i të cilit u festua dje nga Kisha. “Dashuria e tij për të sëmurët,
ju ndihmoftë ju, që keni humbur shëndetin, ta pranoni vuajtjen në bashkim me Mësuesin
Hyjnor; ju inkurajoftë, ju, çifte të reja, ta jetoni përsosurisht Sakramentin e martesës,
e ju nxitët ju, të rinj, ta bëni gjithnjë më shumë tuajën Fjalën e shëlbimit, për
t’ua dëshmuar, pastaj, me gëzim, bashkëmoshtarëve tuaj”.