Emrin e jezuitit Atë Gjon Faustit, martir i kohës së regjimit komunist në Shqipëri,
tani mund ta lexojmë në kalendarin e Kishës universale. Njihet si martir i Kishës
katolike gjatë persekutimit fetar në Shqipërinë komuniste; konsiderohet si pararendës
i dialogut islamiko –kristian e si dëshmitar i dashurisë së krishterë e i fesë në
kohët tona. Janë vetëm disa nga titujt që i njihen nga bibliografia tejet e pasur,
e cila flet për jetën dhe veprimtarinë misionare të jezuitit martir, lindur në Broco,
pranë Breshias (Itali) më 19 tetor 1899 e pushkatuar më 4 mars 1946 në Shkodër (Shqipëri)
te Zalli i Kirit, pas mureve të varrezës së Rrëmajit, ku jehoi e jehon ende brohoritja
e tij dhe e martirëve të tjerë shqiptarë, që i ranë përkrah: “Rrnoftë Krishti Mbret!
Rrnoftë Shqipëria”. Me sjelljen e me guximin e tij, Atë Fausti u dëshmoi si të
krishterëve, ashtu edhe myslimanëve të Shqipërisë, se ata që besojnë në Zotin e në
jetën e pasosur, nuk janë skllevër të kënaqësive të kësaj bote, skllevër të etjes
për pushtet, për sukses, për pasuri, por janë në gjendje ta përballojnë me qetësi
e guxim vdekjen për t’i qëndruar besnikë një ideali të vetëm, të pavdekshëm, atij
të Ungjillit.