2011-10-18 09:09:50

Më 18 tetor kalendari përkujton shën Lukën Ungjilltar.


Luka Ungjilltar, që është edhe autor i “Veprave të Apostujve”, i vetmi nga të katër ungjilltarët që nuk ishte hebre, njihet si shkrimtar i butësisë së Krishtit. Ndoshta vinte nga Antiokia e Sirisë, ku kishte marrë kulturë klasike dhe kishte studiuar për mjekësi. Ish-pagan, u kthye në fenë e krishterë nën udhëheqjen e Shën Palit, i cili e quan “Mjek i dashur, shok i shtegtimeve misionare, ngushëllues i burgimeve, kur të gjithë e kishin braktisur”.
Ungjilltari nuk e njohu Jezusin. U bazua kryesisht në rrëfimet e dëshmitarëve të drejtpërdrejtë, ndërmjet të cilëve ka shumë mundësi të kenë qenë disa nga gratë që iu përgjigjen të parat lajmit të mirë, e në radhë të parë, Maria, Nëna e Krishtit. Luka ndjek me vëmendje fjalët, gjestet, heshtjen e saj.
Ungjillin e shkroi për paganët e kthyer në kristianizëm, duke theksuar universalitetin e shëlbimit dhe dashurinë e posaçme të Jezusit për të varfrit e duke dhënë edhe dëshmi origjinale për fëmijërinë e Krishtit. Në Ungjillin e Shën Lukës spikasin shëmbëlltyrat që tregojnë ndjeshmërinë e Zotit për të sëmurët e njerëzit që vuajnë, ndërsa në “Veprat e Apostujve” përshkruan figurën ideale të Kishës, që nuk heq kurrë dorë nga mësimet e apostujve. Apostulli-mjek e quan Krishtin ‘mjek universal’, që shëron të gjitha vuajtjet e njerëzimit, Zot të gjithëpushtetshëm, plot butësi e mëshirë. Sipas gojëdhënave, Luka duhet të ketë qenë edhe piktor e posaçërisht, autor i shumë portreteve të Zojës së Bekuar. Gjithnjë sipas gojëdhënave, thuhet se pas vdekjes së Palit, predikoi në vende ndryshme, jashtë Romës. Në të vërtetë nuk dihet asgjë e saktë për të, pas fjalëve ‘Vetëm Luka është me mua’ që Shën Pali ia shkroi Timoteut nga burgu. Por Ungjilli i tij vijon të kumtohet, së bashku me atë të Mateut, të Markut e të Gjonit në mbarë botën. E me të edhe ‘Veprat e Apostujve’. Në liturgjinë e Fjalës, gjatë Meshës shenjte që kremtohet thuajse në të gjitha gjuhët e botës, Luka vijon të predikojë edhe në ditët tona.
SHËN LUKA, UNGJILLTAR, 18 TETOR

Festë
I lindur nga një familje pagane dhe i kthyer në fe, qe shok i apostullit Pal dhe shkroi ungjillin sipas predikimit të tij.
Në Veprat e Apostujve na ka përçuar fillimet e jetës së Kishës, duke na treguar ngjarjet e saj deri në qëndrimin e parë të
Palit në Romë.
Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin
që na flet neve në Ungjill.
t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje! (Ant.)
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti - ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. (Ant.)
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. (Ant.)
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. (Ant.)
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” (Ant.)
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)

SHËRBESA E LEXIMEVE
Himni
O Krisht, kryetari e princi i barinjve,
ty me gëzim n’ kremtimin e kësaj feste
turma tërë shpirt këndon me këngë të shenjta
lavdet e duhura.
Grushtin e fortë për luftë të plotë ta leu
Shpirti Shenjt me dhuratën e krizmës,
dhe të ngarkoi për të kullotur grigjën
tënde të shenjtë.
Ky qe mësues edhe model i grigjës,
ish dritë për të verbrit, lehtësim për të mjerin,
për shumë kënd mbështetës, për të gjithë si babë
bëri gjithçka.
O Krisht, që të mirëve u jep në qiell kurorën
e merituar, bëj që në jetë të bindur
të ndjekim mësuesin, e në fund të gëzojmë
lumninë me shenjtin.
I njëjti lavd lartësoftë Atin e Epërm,
dhe Ty Shëlbues, për jetë mbret i përshpirtshëm,
nëpër gjithë botën të ushtojë lavdia
e Shpirtit Shenjtë. Amen.

Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari,
le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.

Psalmi 21 /20/ (2-8. 14)
O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *
plot hare e mbush shpëtimi yt.
Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *
nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.
Që më parë i dhe bekime të mëdha: *
mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.
T’u lut për jetë e ti i dhe *
ditë të shumta - në jetë të jetës.
E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *
e stolise me madhëri e me shkëlqim.
Ti e bëre bekim përgjithmonë, *
e kënaqe me gëzim në praninë tënde.
Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *
në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.
Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *
e ne do të këndojmë
e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)

Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari,
le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.

Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu,
do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.

Psalmi 92 /91/ I (2-9)
Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *
t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.
Të shpallim dashurinë në mëngjes *
e gjatë natës besnikërinë tënde,
me harpë dhjetëkordash e me lirë, *
me këngë përcjellë me cetër.
Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *
kënaqem për veprat e duarve të tua.
Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *
sa të thella mendimet e tua!
Njeriu i pamend nuk i di, *
dhe i marri nuk do t’i kuptojë.
Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *
e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,
janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *
vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)

Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu,
do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.

Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik,
hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

II (10-16)
Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †
sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *
do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.
Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *
më shugurove me më të pastrin vaj.
Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *
veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.
I drejti lulëzon si palma, *
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.
Japin fruta edhe në pleqëri, *
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë: *
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (Ant.)

Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik,
hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

D Prej gojës sime do ta dëgjosh fjalën,

C dhe atë do t’ua kumtosh vëllezërve të tu.

Leximi i parë
Prej Veprave të apostujve 9, 27-31; 11, 19-26
Një ditë Barnaba e mori dhe e çoi te apostujt dhe u tregoi se Sauli e kishte parë Zotërinë gjatë një udhëtimi, se si Jezusi
foli me të dhe se si Sauli ka predikuar me plot guxim në Damask në Emër të Jezusit.
Që atëherë shkonte e vinte bashkë me ta nëpër Jerusalem dhe predikonte me vendosmëri në Emër të Zotërisë. U
drejtohej edhe hebrenjve që flisnin greqisht dhe diskutonte me ta, por edhe ata synonin ta vritnin.
Kur e morën vesh këtë gjë vëllezërit, e përcollën deri në Cezare e së andejmi e nisën për Tars.
Kisha, pra, ishte në paqe në mbarë Judenë, Galilenë e Samarinë; ndërtohej dhe përparonte në frikën e Zotërisë dhe
rritej në saje të hirit të Shpirtit Shenjt.
Ndërkaq, ata që u shpërndanë për shkak të salvimit që u bë lidhur me Shtjefnin, arritën deri në Fenici, në Qipro e në
Antioki. Këta nuk ua predikuan fjalën tjerëve përveç hebrenjve. Por disa prej tyre, që ishin prej Qipros e prej Cirenës, kur
erdhën në Antioki, filluan t'u predikojnë edhe grekëve e t'ju kumtojnë si Lajm të mirë: Jezusi është Zot. Dora e Zotit u
ndihmonte e shumë njerëz besuan dhe u kthyen kah Zoti.
Lajmi i këtyre ngjarjeve arriti në Kishën e Jerusalemit e kjo dërgoi Barnabën në Antioki.
Kur ai arriti dhe pa hirin e Hyjit, u gëzua dhe i nxiti të qëndrojnë me gjithë shpirt në Zotin. Ky ishte njëmend njeri i
mirë, plot me Shpirt Shenjt dhe me fe. Një numër i madh njerëzish iu shtua Zotit.
Atëherë Barnaba u drejtua për në Tars për ta gjetur Saulin. Kur e gjeti e çoi në Antioki. Plot një vjet qëndruan në atë
bashkësi duke mësuar një shumicë bukur të madhe nxënësish. Në Antioki nxënësit për të parën herë u quajtën »të
krishterë.«

Përgjigjja Krh. Vap 12, 24; 13, 48. 52

C Fjala e Hyjit rritej e shtrihej. * U bënë besimtarë të gjithë ata që e ndienin veten të caktuar për jetën e pasosur.

D Nxënësit mbusheshin me gëzim dhe me Shpirt Shenjt.

C U bënë besimtarë të gjithë ata që e ndienin veten të caktuar për jetën e pasosur.

Leximi i dytë
Nga “Homelitë mbi Ungjijtë” i shën Gregorit të madh, papë
(Hom. 17, 1-3; PL 76, 1139)
Zoti shkon pas predikatarëve të tij
Vëllezër fort të dashur, Zoti dhe Shpëtimtari ynë na qorton herë me fjalë e herë me vepra. Të themi të vërtetën edhe
veprat e tija kanë vlerën e urdhrit, sepse ndërkohë që në heshtje bën diçka në të njëjtën kohë na tregon atë që duhet të
bëjmë edhe ne. Ja se ai i dërgon dy nga dy nxënësit për të predikuar, sepse dy janë urdhrat e dashurisë: dashuria për Hyjin
dhe dashuria për të afërmin.
Zoti i dërgon apostujt dy nga dy për të predikuar që në mënyrë të heshtur të na tregojë se ai që nuk ka dashuri për të
afërmin nuk duhet assesi të marrë mbi vete detyrën e predikimit.
Dhe më të drejtë është thënë: “i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë” (Lk
10, 1). Vërtet Zoti shkon pas predikatarëve të tij, sepse predikimi arrin më parë, dhe vetëm atëherë Zoti vjen për të banuan
në shpirtin tonë, kur ta kenë paraprirë fjalët e shpalljes, nëpërmjet të cilave e vërteta është pranuar nga mendja. Për këtë
arsye Isaia u thotë predikuesve: “Përgatiteni udhën e Zotit, rrafshoni në stepë shtigjet e Hyjit” (Is 40, 3). Ndërsa plasmisti
u thotë atyre: “bëni gati udhën Atij që kalëron mbi perëndim të diellit” (Ps 68 /67/, 5 vulg.). Zoti u ngjit “mbi perëndim”
që ishte vdekja e tij.
Me të vërtet Zoti u ngjit “mbi perëndim” meqë vdekja e tij i shërbeu si piedestal i lartë për të shfaqur edhe më shumë
lavdinë e tij nëpërmjet ringjalljes. U ngjit “mbi perëndimin” sepse duke u ringjallur e shkeli vdekjen që e kishte
përballuar.
Ne, pra, ia rrafshojmë udhën atij që ngjitet “mbi perëndim” kur mendjeve tuaja u predikojmë lavdinë e tij; në mënyrë
që kur të vijë ai vet, t’i shndrisë ato me praninë e dashurisë së tij.
Ta dëgjojmë atë që thotë duke i dërguar predikuesit: “Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. Lutuni, pra
Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta” (Mt 9, 37-38). Për të korra të mëdha punëtorët janë pak. Për
këtë mungesë punëtorësh nuk mund të flasim pa një trishtim të thellë, sepse ka njerëz që do e dëgjonin fjalën e mirë, por
mungojnë predikuesit. Ja, bota është plot me meshtar, dhe prapë se prapë janë të pakët ata që punojnë në të korrat e Zotit.
E kemi marrë shërbesën meshtarake, por nuk i bëjmë veprat që kjo shërbesë i kërkon.
Për këtë arsye, vëllezër fort të dashur, mendoni me shumë kujdes mbi fjalën e Zotit: “Të korrat janë të mëdha, kurse
punëtorë ka pak. Lutuni, pra Zotërisë të të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta” (Mt 9, 37-38). Lutuni ju për
ne, që të mund të punojmë për ju ashtu siç duhet; që gjuha të mos mbesë pa vepruar për nxitje, e heshtja jonë të mos na
dënojë, pranë gjykatësit të drejtë, neve që kemi marrë shërbesën e predikuesve.

Përgjigjja Krh. Lk 1, 3. 4; Vap 1, 1
C Mbasi i shqyrtova hollësisht të gjitha qysh prej fillimit, vendosa t’i shkruajë të gjitha me radhë, * që të jemi të sigurt
për palëkundshmërinë e mësimeve që morëm.

D Foli për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi.

C Që të jemi të sigurt për palëkundshmërinë e mësimeve që morëm.

Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit. Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
􀁺 Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.

Lutja
O Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë
sate, bëj që ata, të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë popujt ta shohin
shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.

LAVDET E MËNGJESIT
Himni
Me duartrokitje, o Lukë, këndojmë triumfin
ku ti shkëlqen nga gjaku i kuq i derdhur,
dhe për merita t’larta sipas regullit
kurorën e fituar.
Frymëzuar nga Shpirti, e me vëmendje n’botën
që bariu i epër shfaqi mrekullirat,
dhe Krishti i bëri me dashni nga mëshira,
ti i shkruan me zemër.
Ti me kujdes i hedh ndër shkrime t’bukra
punët lavdruese t’nxënësve të Jezusit,
t’rejat e tija e t’njerëzve që shfaqen
ndër shekuj t’rinj.
O shok i Palit dhe vëzhgues i zemrës
së tij të lartë, por edhe imitues,
dashnia e Krishtit bëj gjithmonë të ndezë
krahrorin tonë.
Ndër t’liga tona mjek mjeshtrinë përdore,
dhe sill lehtësinë e gëzueshme të besimit,
më në fund Hyjin të zotërojmë, me atë
gjithmonë t’ngadhnjejmë. Amen.
Ose një himn tjetër apo këngë e përshtatshme e miratuar nga autoriteti kishtar.

Ant. 1 Të gjitha fjalët e profetëve
u plotësuan në Ungjillin e Krishtit.

Psalmi 63 /62/ (2-9) Shpirti i etshëm për Hyjin
Kisha ka etje për Shëlbuesin e vet, me dëshirë që të shuajë etjen në burimin e ujit të gjallë që rrjedh për jetën e pasosur (Krh. Cassiodoro).
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim të kërkoj. *
Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron mishi im, *
si toka e shkretë, e thatë, e paujë,
kështu erdha në Shenjtëroren tënde *
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta: *
buzët e mia do të të lavdërojnë.
Kështu do të të bekoj në jetën time *
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme, *
me buzë të hareshme do të të lavdërojë goja ime.
Ty do të të kujtoj edhe në shtratin tim, *
në përgim natën do të mendoj për ty,
sepse ti je bërë ndihma ime, *
prandaj do të brohoras nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty, *
e djathta jote më merr për dore.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 1 Të gjitha fjalët e profetëve
u plotësuan në Ungjillin e Krishtit.

Ant. 2 Me kumtimin e Ungjillit
Hyji na fton të kemi fe në të vërtetën,
që ta fitojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Kënga Dan 3, 57-88. 56

Çdo krijesë le ta lavdërojë Zotin
Lavdëroni Hyjin tonë, të gjithë shërbëtorët e tij! (Zb 19, 5).

Bekojeni, të gjitha veprat e Zotit, Zotin, *
lëvdojeni dhe madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, engjëjt e Zotit, Zotin, *
bekojeni, o qiej, Zotin.
Ujëra që jeni përmbi qiell, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o fuqi, bekojeni Zotin.
Diell e hënë, bekojeni Zotin, *
yjet e qiellit, bekojeni Zotin.
Të gjitha shirat e vesa, bekojeni Zotin, *
të gjitha ju, o erëra, bekojeni Zotin.
Zjarr e nxehtësi, bekojeni Zotin, *
acar e vapë, bekojeni Zotin.
Vesë e brymë, bekojeni Zotin, *
akull e cegëm, bekojeni Zotin.
Breshra e borëra, bekojeni Zotin, *
netë e ditë, bekojeni Zotin.
Dritë e errësirë, bekojeni Zotin, *
vetëtima e re, bekojeni Zotin.
Toka e bekoftë Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Bekojeni, o male e kodra, Zotin, *
bekojeni Zotin, të gjitha bimësitë e tokës.
Dete e lumenj, bekojeni Zotin, *
bekojeni, burime, Zotin .
Përbindësh e gjithçka lëviz në ujëra,
bekojeni Zotin, *
të gjithë shpendët e qiellit, bekojeni Zotin.
Kafshë të egra e shtëpiake, bekojeni Zotin, *
bijtë e njeriut, bekojeni Zotin.
Bekoje, o Izrael, Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Priftërinjtë e Zotit, bekojeni Zotin, *
shërbëtorët e Zotit, bekojeni Zotin.
Shpirtra e frymë të të drejtëve, bekojeni Zotin, *
shenjtër e të përvujtë në zemër, bekojeni Zotin.
Anani, Azari, Misael, bekojeni Zotin, *
lëvdojeni e madhërojeni në shekuj!
Të bekojmë Atin e Birin e Shpirtin Shenjt; *
ta lëvdojmë e ta madhërojmë në shekuj
I bekuar je ti, o Zot, në kupën qiellore, *
i lavdishëm e i madhërueshëm në shekuj!
Në fund të kësaj kënge nuk thuhet Lavdí Atit.

Ant. 2 Me kumtimin e Ungjillit
Hyji na fton të kemi fe në të vërtetën,
që ta fitojmë lavdinë e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Ant. 3 Shumë do ta lavdërojnë urtinë e tij,
ai kurrë nuk do të harrohet.

Psalmi 149 (1-9) Festa e miqve të Zotit
Bijtë e Kishës, bijtë e popullit të ri le të galdojnë në mbretin e tyre që është Krishti (Esichio).

Këndoni Zotit një këngë të re, *
këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve!
Le t’i gëzohet Izraeli Krijuesit të vet, *
bijtë e Sionit t’i brohorasin Mbretit të vet!
Le ta lavdërojnë Emrin e tij në valle, *
le t’i bien në nder të tij tupanit e citarës,
sepse Zoti kënaqet në popullin e vet, *
të përvujtët i nderon me shëlbim.
Le të galdojnë të drejtët në lumturi, *
le të brohorasin nga shtrojat e veta!
E paçin lavdinë e Zotit në gojë, *
e shpatën dytehëshe në dorë!
Për të marrë shpagim mbi paganë, *
për t’u dhënë popujve ndëshkim,
për t’i lidhur mbretërit e tyre në pranga, *
princat e tyre në zinxhirë të hekurt,
për ta zbatuar mbi ta dënimin kaherë të shkruar: *
- ky është nder për të gjithë besnikët e tij.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 3 Shumë do ta lavdërojnë urtinë e tij,
ai kurrë nuk do të harrohet.

Leximi i shkurtër 1 Kor 15, 1-2a. 3-4
Tani, o vëllezër, po ju përkujtoj Ungjillin, që ju pata predikuar, që e pranuat e në të cilin qëndroni. Me anë të tij jeni në
udhën e shëlbimit.
Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona sikurse e
paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt.

Përgjigjja e shkurtër
C E madhëruan pushtetin e Zotit
* dhe të gjitha mrekullitë e tija.
E madhëruan pushtetin e Zotit
dhe të gjitha mrekullitë e tija.

D I shpallën veprat e tija
dhe të gjitha mrekullitë e tija.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
E madhëruan pushtetin e Zotit
dhe të gjitha mrekullitë e tija.

Kënga ungjillore (Benedictus)
Ant. Ti ia përcolle Kishës Ungjillin e Krishtit, diell që lind prej së larti.

Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, *
që e pa dhe e shpërbleu popullin e vet!
Ai e ngriti Shpëtimtarin tonë *
në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
sikurse premtoi kaherë *
me gojë të profetëve të tij të shenjtë:
se do të na shpëtojë prej armiqve tanë *
dhe prej dorës së të gjithë atyre që na urrejnë;
se do të bëjë mirësinë që ua premtoi etërve tanë *
e do t'i bjerë në mend Besëlidhja e tij e shenjtë
e betimi që bëri në të mirën e Abrahamit, atit tonë *
se do të na e bëjë të mundshme t'i shërbejmë pa frikë,
të çliruar nga duart e armikut *
në shenjtëri e drejtësi para tij
për çdo ditë të jetës sonë.
E ti, o djalosh, do të quhesh profet i të Tejetlartit, *
sepse do të shkosh përpara Zotit
për t'ia përgatitur udhët,
për ta vënë në dijeni popullin e tij *
se Hyji do ta shëlbojë duke ia falur mëkatet e tija,
në saje të zemrës së dashur të Hyjit tonë *
që do të na e dërgojë në pasi prej qiellit Diellin,
për të shndërritur ata që gjenden në errësirë
dhe në hijen e vdekjes, *
për t'i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.“
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. Ti ia përcolle Kishës Ungjillin e Krishtit, diell që lind prej së larti.

Lutjet e besimtarëve
Shëlbuesi ynë e shkatërroi vdekjen, e shndriti jetën dhe nëprmjet Ungjillit na e dha pashkatërrueshmërinë. Atë ta
madhërojmë me lavdi dhe me lutje të përvujtë t’i drejtohemi:
Forcoje, o Zot, Kishën tënde në fe dhe dashuri.
Ti Kishën tënde e shndrite nëpërmjet shenjtërve dhe mësuesve të Kishës
— bëj që të krishterët gjithmonë të gëzohen në dritën e Ungjillit.
Në lutje të barinjve të shenjtë ti ia fale popullit mëkatet, sikurse në Besëlidhjen e vjetër në lutje të Moisiut
— me ndërmjetësinë e tyre Kishën tënde pandërprerë pastroje dhe shenjtëroje.
Shenjtërit e tu i lidhe ngushtë me vëllezër dhe atyre ua dhe Shpirtin tënd
— mbushi me Shpirtin Shenjt të gjithë udhëheqësit e popullit tënd.
Ti je trashëgimi i barinjve të shenjtë
— bëj që asnjë prej atyre që i fitove me gjakun tënd të mos birret.

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro
nga i Keqi. Amen.

Lutja
O Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë
sate, bëj që ata, të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë popujt ta shohin
shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.

ORA E MESME HIMNI
Ora e tretë

Himni
Tani neve, o Shpirti i Shenjtë,
një me Atin e Birin,
denjohu i gatshëm t’futesh
i reshur n’parzëm tonë.
Gojë, gjuhë, mendje, forcë, shqise
të ushtojnë duke rrëfyer,
me zjarr t’flakrojë dashtënia,
nxehtësia t’i ngrohë shokët.
Nëpër ty t’kuptojmë Atin,
të njohim edhe Birin,
ty Shpirtin e të dyve
t’besojmë në gjitha kohët. Amen.

Ora e gjashtë

Himni
Mbret i fortë, Hyj i vërtetë,
që sundon të gjitha sendet,
me ndriçim pajis mëngjesin
dhe me zjarr shkëlqen mesditën.
Shuaji flakët e shamatave,
flake zjarrin e dëmprurësve,
jepu trupave shërimin,
dhe t’vërtetën paqe zemrave.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe ti Bir baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

Ora e nëntë
Himni

Hyj i gjithësisë, fuqi e qëndrueshme,
i patrandur në ty mbahesh,
kohët e dritës së përditshme
përcakton me shumë mbarësi.
Dhe gjatë netëve lësho dritën,
që jeta të mos ndërpritet,
por çmimi i vdekjes shenjte
të jetë lavdia e përjetshme.
Bëj, o Atë tërë drejtësi,
dhe, o Bir, baras si Ati,
bashkë me Shpirtin Ngushëllimtar,
të mbretëroni ndër gjithë shekujt. Amen.

Ant. 1. Sikurse ti më dërgove në botë, o Atë,
ashtu edhe unë i dërgova ata.

Psalmi 118 /117/ I (1-9) Kënga e gëzimit dhe e fitores
Jezusi është 'guri që ju, ndërtues, e qitët jashtë përdorimit, por që u bë gur i këndit' (Vap 4, 11).
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *
e amshuar është dashuria e tij!
Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *
e amshuar është dashuria e tij!
Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *
Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.
Zoti është me mua, *
s’druaj se ka ç’më bën njeriu.
Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *
për asgjë i bëj armiqtë e mi.
Më mirë është të strehohesh te Zoti *
se të kesh besim në njerëz.
Më mirë është të strehohesh te Zoti, *
se të kesh besim në princa.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant.. 1 Sikurse ti më dërgove në botë, o Atë,
ashtu edhe unë i dërgova ata.

Ant 2. Kush ju pranon ju, më pranon mua;
kush më pranon mua,
e pranon atë që më dërgoi mua.

II (10-18)
Më rrethuan të gjithë paganët, *
i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.
Rreth e përqark më rrethuan, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më rrethuan porsi bletët, †
porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *
por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.
Më shtytën, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *
Por Zoti qe ndihma ime.
Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *
ai është shpëtimtari im.
Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *
në tendat e të drejtëve:
»E djathta e Zotit u madhërua! †
E djathta e Zotit më lartësoi! *
E djathta e Zotit u madhërua!«
S’do të vdes, të jetoj dua, *
do t’i kumtoj veprat e Zotit!
Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *
por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 2. Kush ju pranon ju, më pranon mua;
kush më pranon mua,
e pranon atë që më dërgoi mua.

Ant. 3. Ne jemi bashkëpunëtorët e Hyjit në Kishë;
ndërsa ju jeni ara e Zotit, ndërtesa e tij.

III (19-29)
M’i hapni dyert e drejtësisë, *
dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.
Ja, këtu është dera e Zotit; *
nëpër të do të hyjnë të drejtët.
Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *
dhe u bëre Shpëtimtari im.
Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *
erdhi e u bë guri i këndit;
Zoti e bëri këtë gjë: *
sa mrekulli për sytë tanë!
Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *
të galdojmë e të gëzojmë në të!
Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *
deh, o Zot, jep të mbarën!
Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *
Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.
Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †
rendituni të gëzuar në rreshtin kremtor *
me rrema në dorë deri në ballë të lterit!
Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *
Ti je Hyji im, unë të madhëroj!
Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 3. Ne jemi bashkëpunëtorët e Hyjit në Kishë;
ndërsa ju jeni ara e Zotit, ndërtesa e tij.

Ora e tretë
Leximi i shkurtër Rom 1, 16-17
Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e mandej për grekun. E njëmend në të
zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, sikurse është në Shkrim shenjt: 'I drejti do të jetojë prej fesë.'
D Në mbarë botën u përhap lajmi i tyre;
C fjala e tyre deri në skajet e botës.

Ora e gjashtë
Leximi i shkurtër 1 Sel 2, 2b-4
Morëm guxim, me ndihmën e Hyjit tonë, ta predikojmë Ungjillin e Hyjit ndër ju sado që me luftë të madhe. Vërtet,
predikimi ynë nuk vjen nga gabimi as nuk ka qëllime të papastra as nuk mbështetet në dinakëri, por, sikurse Hyji vendosi
të na e besojë Ungjillin, ashtu ne edhe e predikojmë; jo, sikurse të donim t'u pëlqejmë njerëzve, por Hyjit që i shqyrton
zemrat tona.
D I mbajtën mësimet e Krishtit,
C janë dëshmitarë të fjalës së tij.

Ora e nëntë
Leximi i shkurtër 2 Tim 1, 8b-9
Hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit, i cili na shëlboi dhe na grishi me thirrje të
shenjtë - jo në saje të veprave tona, por në saje të vullnetit të vet dhe të hirit, që na u dha qysh prej amshimit në Jezu
Krishtin.
D Gëzohuni dhe galdoni, thotë Zoti:
C sepse emrat tuaj janë të shkruar në qiell.

Lutja
O Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë
sate, bëj që ata, të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë popujt ta shohin
shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.

LUTJET E MBRËMJES
Himni si në Lavdet e mëngjesit

Ant. 1 Hyji më bëri mbarështues të Ungjillit,
që është dhuratë e hirit të tij.

Psalmi 116 /115/ (10-19)
Besoj edhe atëherë kur më duhet të them: *
»Jam i pafat për së tepërmi!«.
Në hutimin tim kam thënë: *
»Rrenacak është çdo njeri!«
Si do t’ia shpërblej Zotit *
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngre gotën e shëlbimit *
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij.
E çmueshme është para Zotit *
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt, †
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate. *
Ti i këpute hekurat e mi:
ty do të ta kushtoj flinë e lavdit, *
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit *
në praninë e mbarë popullit të tij,
në oborret e Shtëpisë së Zotit, *
midis teje, o Jerusalem!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 1 Hyji më bëri mbarështues të Ungjillit,
që është dhuratë e hirit të tij.

Ant. 2 Çdo gjë bëj për ta shpallur Ungjillin,
që edhe unë të kem pjesë në të mirat e tija.

Psalmi 126 /125/ (1-6)
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, *
na dukej si të ishim në ëndërr.
Atëherë goja na u mbush me gaz *
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë: *
»Zoti bëri për ta punë të mëdha!«
Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli *
e zemrat na u mbushën me gëzim!
Ktheji, o Zot, robërit tanë *
porsi përrenjtë e mesditës!
Ata që mbjellin me lot, *
deh, le të korrin me gëzim!
Në të shkuar ecnin e qanin *
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim *
duke mbartur duajt e vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 2 Çdo gjë bëj për ta shpallur Ungjillin,
që edhe unë të kem pjesë në të mirat e tija.

Ant. 3 Mua më është dhënë hiri
që t’u shpall paganëve
pasuritë e pafund të Krishtit.

Kënga Krh. Ef 1, 3-10
Qoftë bekuar Hyji.*
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit,
i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror *
në qiell në Krishtin.
Në Të na zgjodhi *
para krijimit të botës
që të jemi të shenjtë e të papërlyer *
para Tij në dashuri.
Ai na parashënoi për vete *
të jemi bij në shpirt
në saje të Jezu Krishtit *
me pëlqimin e vullnetit të vet
për nder të lavdisë së hirit të tij *
me të cilin na pajisi me anë të të Dashurit:
në Të, në saje të gjakut të tij, *
e fituam shpërblimin;
në Të na u falën fajet *
me anë të begatisë së hirit të tij,
të cilin Hyji e ndikoi në ne *
bashkë me çdo urti e kuptim.
Ai na vuri në dijeni *
mbi misterin e vullnetit të vet
synim që lirisht kishte vendosur *
qysh më parë ta kryente në Të
kur të plotësohej koha: *
të vërë çdo gjë
nën kryesinë e Krishtit,
të gjithë qenësitë *
që janë në qiell e në tokë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 3 Mua më është dhënë hiri
që t’u shpall paganëve
pasuritë e pafund të Krishtit.

Leximi i shkurtër Kol 1, 3-6
E falënderojmë Hyjin, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe lutemi vazhdimisht për ju, sepse morëm vesh për fenë tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë që keni ndaj të gjithë shenjtërve, për arsye të shpresës që ruhet për ju në qiell. Për të keni dëgjuar në saje të fjalës së vërtetës - Ungjillit, që arriti te ju dhe po jep fryte e po zhvillohet.

Përgjigjja e shkurtër
C Kumtojeni ndër popuj * lavdinë e Zotit.
Kumtojeni ndër popuj lavdinë e Zotit.
D Shpalleni në mbarë kombet,
lavdinë e Zotit.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Kumtojeni ndër popuj lavdinë e Zotit.

Kënga ungjillore (Magnificat)
Ant. Kisha të nderon, ungjilltar i Krishtit,
që neve na flet për mirësinë e Krishtit
Shpirti im e madhëron Zotin, *
shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim,
sepse shikoi me pëlqim mbi shërbëtoren e vet të përvujtë: *
qe se, që tani të gjitha breznitë do të më quajnë të lumtur,
sepse punë të mëdha bëri për mua Hyji i gjithpushtetshëm *
- i shenjtë është Emri i tij!
Mëshira e tij brezni më brezni *
për ata që e druajnë.
E tregoi fuqinë e krahut të vet: *
hodhi poshtë qëllimet e krenarëve,
i rrëzoi princat prej froneve të tyre *
i lartësoi të përvujtët.
Me të mira i mbushi ata që s'kishin ç'të hanë
të pasurit i nisi duarthatë.
I ndihmoi Izraelit, shërbëtorit të vet,
duke e sjellë në mend mëshirën
- si ua pati premtuar etërve tanë *
në të mirën e Abrahamit e të pasardhësve të tij në amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. Kisha të nderon, ungjilltar i Krishtit,
që neve na flet për mirësinë e Krishtit

Lutjet e besimtarëve
Të ndërtuar mbi themelin e apostujve, t'i lutemi Zotit, Hyjit të gjithëpushtetshëm, për popullin e tij të shenjtë dhe t'i
drejtohemi duke i thënë:
O Zot, le të të bjerë në mend për Kishën tënde.
O Atë, ti deshe që Biri yt i ngjallur prej së vdekuri së pari t'u lajmërohet apostujve
— bëj që të jemi dëshmitarët e tij deri në mbarim të botës.
Birin tënd e dërgove në botë që të varfërve t'u shpallë lajmin e gëzueshëm të shëlbimit
— bëj që Ungjilli t'i predikohet çdo krijese.
Birin tënd e dërgove që ai ta mbjellë farën e fjalës
— bëj që edhe ne që në vuajtje e mbjellim farën, me gëzim të korrim.
Ti e dërgove Birin tënd që me gjakun e tij ta pajtojë botën me ty
— bëj që të gjithë ne të marrim pjesë në pajtimin tënd me botën.
Birin tënd e vure në qiell në të djathtën tënde
— merri në Mbretërinë e të lumturve të vdekurit tanë të dashur.
Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroft emri yt. Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell ashtu në tokë.
Bukën tonë të përditshme, na e jep sot, na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë, e mos na lër të biem në tundim, por na liro
nga i Keqi. Amen.

Lutja
O Zot, Hyj, ti e zgjodhe shën Lukën, që, me anë të fjalës e të shkrimeve, t’ua zbulojë të varfërve misterin e dashurisë
sate, bëj që ata, të cilët mburren me emrin e krishterë, të jenë një mendjeje e një zemre e të gjithë popujt ta shohin
shëlbimin tënd. Nëpër Zotin.

PASMBRËMËSORJA
PAS LUTJES SË MBRËMJËS II TË SË DIELËS DHE TË KREMTEVE

V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja)
Në këtë moment është mirë të mbahet një moment qetësie për të bërë shqyrtimin e ndërgjegjes. Në kremtimet e bashkësive
mund të përdoret apo të përshtatet një nga formulat e pendesës që përdoren gjatë meshës. Ose

PUNA E PENDIMIT
O Zoti im, po më vjen keq me gjithë zemër për të gjitha mëkatet që i kam bërë. Se kam bjerrë parrizin dhe kam merituar ferrin. Por më fort se të kam fyer Ty, o E mira e pambaruar, që kaq fort më ke dashur. Mëshirë, o Zot! Më fal, o Zot! Po të jap fjalën, me ndihmën tënde, që mos të fyej më kurrë. Amen.

Himni: njëri prej këtyre që vijon, sipas dëshirës

HIMNI
Para fundit të dritës,
ty duam, krijuesi i sendeve,
me mirësinë e zakontë,
të na kryesosh në roje.
Ty ëndërrofshin zemrat tona,
në gjumë të rëndë Ty ndjefshin,
dhe gjithmonë lavdinë tënde
këndofshin në ag të dritës.
Na jep jetë të shëndetshme,
ngrohtësinë tonë përtërije,
mjegullën e zezë të natës
ta sqarojë drita jote.
Na jep, Atë fuqiplotë,
me anë t’Hyjit Jezu Krisht,
që me ty në amshim
mbretëron me Shpirtin Shenjt. Amen.
Ose:
O Krisht, që tërë shkëlqim e dritë
zbulon errësitë e natës,
e ndriçim drite quhesh
kur dritë u flet të lumëve.
O Hy i Shenjtë të lutemi
Ti në këtë natë na ruaj;
në ty të gjejmë pushimin,
n a i bëj të qeta orët.
Nëse sytë i zë gjumi,
për ty zemra t’rrijë zgjuar;
të mbrosh me dorën tënde
besnikët që të duan.
Shiko, o mbrojtësi ynë,
na ruaj ndër prita e kurthe,
sundo shërbëtorët tu
që me gjak tënd shpërbleve.
O Krisht, mbret shumë i drejtë,
Ty e Atit iu qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e përhershëm. Amen.

Ant. 1
Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
dhe do të gjesh strehim
prej ngashënjimeve të së keqes.

Psalmi 91 /90/ (1-16)
Lum njeriu që është nën mbrojtjen e të Tejetlartit
Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrep (Lk 10, 19).
Kush banon nën mbrojtjen e të Tejetlartit, *
do të qëndrojë nën hijen e të Gjithëpushtetshmit.
Do t’i thotë Zotit: »Strehimi im, *
kështjella ime, Hyji im, do të shpresoj në të.«
Sepse Ai do të të çlirojë ty nga laku i gjahtarëve *
dhe nga fjala dijekeqe.
Do të të bëjë hije me krahët e vet *
do të strehohesh nën fletët e tija,
shqyt e pancir e vërteta e tij. *
Nuk do të tutesh prej tmerrit të natës,
as prej shigjete që fluturon ditën, †
as prej murtaje që shëtit në errësirë, *
as prej shfarosjes që shkretëron në mesditë.
Le të bien me mijëra rreth teje, †
dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, *
ty nuk do të të ndodhë asgjë!
Porsa ti me sy të vetëtish, *
shpagimin e mëkatarit do ta shikosh!
Pasi Zoti është mburoja jote *
dhe e zgjodhe të Tejetlartin për strehimin tënd,
e keqe nuk do të të gjejë, *
dhe frushkull s’do t’i afrohet tendës sate:
sepse engjëjve të vet urdhër u dha *
të të ruajnë në të gjitha udhët e tua.
Do të të mbartin para duarsh *
që gand të mos e ndeshësh këmbën tënde për gur.
Do të shkelësh mbi shlligë e kapastrec, *
do të kalosh mbi luanë e gjarpërinj.
»Do ta shpëtoj sepse më do, *
do ta marr ndore sepse e njeh Emrin tim.
Ai do të më thërrasë e unë do t’i ndihmoj, †
në vështirësi do të jem me të, *
do ta shpëtoj dhe do ta madhëroj.
Do t’i dhuroj jetë të gjatë, *
do t’ia tregoj shëlbimin tim.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. 1
Bano nën hijen e të Gjithëpushtetshmit:
dhe do të gjesh strehim
prej ngashënjimeve të së keqes.

Leximi i shkurtër Zb 22, 4-5
Shërbëtorët e Hyjit do ta shikojnë fytyrën e tij. Emri i tij do të jetë në ballë të tyre. Nuk do të ketë natë as drita e llambës më
nuk do të duhet as drita e diellit, sepse Zoti Hyj do të shndrisë mbi ta dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.

Përgjigjja e shkurtër
C O Zot, * në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
D O Hyj i së vërtetës, ti më ke shëlbuar:
në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
O Zot, në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim.

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)

Kënga e Simonit Lk 2, 29-32
Krishti, drita e popujve dhe lavdia e Izraelit.
Tani, o Zot, mund të lejosh të vdesë *
shërbëtori yt në paqe sikurse the ti vetë,
sepse me sytë e mi e pashë shëlbimin *
që ti e bëre gati në sy të të gjithë popujve:
Dritën që bën të njohin Ty paganët *
e që i jep nder popullit tënd, Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Ant. Na shpëto, o Zot, derisa rrimë zgjuar;
na ruaj kur flemë: që të rrimë zgjuar me Krishtin
dhe të gjejmë prehje në paqe. (K. P. aleluja)

Lutja
Le të ngritët para teje, o Atë, lutja jonë në fund të kësaj dite, përkujtimore të ringjalljes së Zotit: bëj me hirin tënd që të
pushojmë në paqe, të sigurt prej çdo së keqeje, dhe të zgjohemi në gëzim për ta kënduar làvdin tënd.
Nëpër Zotin

Në të kremte:
Lutja
Vizito, o Atë, shtëpinë tonë dhe na mbro prej sulmeve të armikut; le të vijnë engjëjt e shenjtë që të na ruajnë në paqe, e
bekimi yt le të jetë gjithmonë me ne. Nëpër Zotin

Edhe kur Pasmbrëmësorja thuhet personalisht, vijon bekimi:
Zoti i gjithëpushtetshëm na dhuroftë një natë të qetë
dhe një mbarim të mirë.
C Amen.

Të falemi Mbretëreshë, Nëna e mëshirës, jeta, ëmbëlsimi e shpresa jonë, të falemi! Ty të thërrasim ne të shkretët, bijtë e Evës, që
po fshajmë, po gjëmojmë e po qajmë në këtë shekull plot me lot. Deh pra, pajtorja jonë, ata sy të mëshirshëm të tu silli prej nesh!
E Jezusin, të bekuarin, frytin e barkut tënd, pas kësaj shkretie na e kallxo. O e dhimbshmja, o e buta, o e ëmbla Virgjëra Mari!
Amen.

Nën mbrojtjen tënde po ngasim, o shenjta Nëna e Hyjit, mos na i përbuz lutjet ndër nevoja tona, por, o virgjëra e lume dhe e bekuar, na shpëto përherë prej të gjithë rreziqesh, Zoja jonë, dhe ndërmjetëse e jona. Me Birin tënd na pajto, Birit tënd na porosit ndër duar të Birit tënd na lësho.







All the contents on this site are copyrighted ©.