2011-10-18 15:25:10

Iu paraqit mediave shtegtimi i Benediktit XVI, më 27 tetor në Asizi. Të pranishëm Kisha të krishtera dhe fe të tjera


Më 27 tetor, Asizi do të jetë epiqendra e feve botërore. Pikërisht në atë datë, në qytetin e Shën Françeskut në Itali, do të zhvillohet “Dita e reflektimit, dialogut dhe lutjes për paqen e drejtësinë në botë”, në praninë e Papës Benedikti XVI, në 25-vjetorin e ditës së parë të këtij lloji, organizuar me kerkesën e të Lumit Gjon Palit II.
Që atëherë, filloi të flitet për “Frymën e Asizit”, e cila hapi një epokë takimesh e dialogu ndërmjet feve. Për këtë, pas nëntë ditësh, krerë fetarë të shumtë e të nivelit të lartë do të jenë në qytetin e Umbrias. Sot paradite, në një konferencë për shtyp, u bë e ditur lista e pjesëmarrësve. Kishat e Lindjes do të përfaqësohen me 17 delegacione. Në krye të tyre Patriku Ekumenik i Kostandinopojës dhe përfaqësuesi i Patrikanës së Moskës. 13 janë ndërkaq, delegacionet e Kishave të Perëndimit, ndër të cilat Bashkimi Anglikan, kryesuar nga primati i tij, kryeipeshkvi i Kanterburit Rouan Uilliams, Federata Luterane Botërore, Bashkimi Botëror i Kishave të Reformuara dhe Këshilli Metodist Botëror. Me autoritet, edhe përfaqësimi i botës hebraike, për të cilën do të jenë të pranishëm delegatë nga Rabinati i Madh i Izraelit.
Ndërsa, eksponentët e traditave fetare jo të krishtera e jo hebraike do të jenë 176. Nga vendet arabe e ato të Lindjes së Mesme, si edhe nga perëndimi, do të mbërrijnë në Asizi, 48 myslimanë, ndër të cilët spikasin një përfaqësues i mbretit të Arabisë Saudite dhe presidenti i Drejtorisë së Myslimanëve të Kaukazit. Kësaj radhe, prania e myslimanëve është edhe më e madhe se në takimet e mëparshme: në vitin 1986 ishin 11, para tetë vjetësh, pas atentateve të 11 shtatorit, ishin 32, por pas pak ditësh parashikohen të vijnë gati 50 myslimanë. Pastaj, hinduistët, ndër të cilët një nip i Mahatma Gandhit, sikhët, zoroastrët, budistët, ndjekësit e Konfucit, shintoistët, përfaqësuesit e feve tradicionale të Afrikës e të Amerikës: të gjithë për të reflektuar së bashku e për të përfunduar me një premtim solemn impenjimi të përbashkët për paqen. Do të marrin pjesë edhe katër profesorë evropianë, jo besimtarë, të cilët do të simbolizojnë universalitetin e debatit mbi vlerat e rëndësishme të njerëzimit.
Papa do ta kalojë krejt ditën e 27 tetorit në Asizi. Do të niset me tren, së bashku me delegacione të ndryshme, në orën 8.00 nga Stacioni hekurudhor i Vatikanit e do të kthehet po me tren, në orën 20.30. Një ditë më parë, në orën 10.30, Benedikti XVI do të kremtojë Liturgjinë e Fjalës në sheshin e Shën Pjetrit, në vend të audiencës së përgjithshme të së mërkurës.







All the contents on this site are copyrighted ©.