Besimtarët e krishterë në Shkodër, kremtuan dje festen e Zojës së Shkodrës.Kryedioqeza
e qytetit ka nisur prej ditësh, festimet për ketë ditë të shënuar për besimtarët katolikë
shkodranë, pikërisht nderimi i Nënës Hyjnore Zojës së Këshillit të Mirë, pajtores
qiellore të Shkodrës e mbarë Shqipërisë. Në Qytetin e Veriut, në Shkodër që prej
kohëve të lashta nderohet me përkushtim të veçantë, një figure e mrekullueshme e Zojës.
Është ajo figure që sot ndodhet në Gjenacan të Italisë. Historia e saj, është vetë
historia e katolicizmit ndër shqiptarë, katolicizëm i cili, me vdekjen e Gjergj Kastriotit,
Skënderbeut, më 1468, nisi udhën e vet të kryqit. Në sa një pjesë e madhe
e banorëve, gjatë pesë shekujve të robërisë, do të shtrëngohej të ndërronte fe e një
pjesë tjetër do të merrte rrugët e mërgimit, vetëm një pakicë do të mbetej besnike,
duke vuajtur porsi gjarpri nën gur për shekuj e shekuj. E pikërisht në këtë kohë,
rreth vitit 1467, kur një ushtri e re e madhe e sulltanit u dynd mbi Shkodër, sipas
gojëdhënës, figurja e Zojës u shkëput nga muri i Shenjtërores rrëzë Kështjellës së
Rozafës, për të mos u dhunuar nga hordhitë anadollake. E mbartur nga engjëjt, mbështjellë
prej një reje – vijon gojëdhëna- u ndalua në Gjenacan, afër Romës. Gojëdhëna tregon
edhe se Figurën e mrekullueshme e përcollën dy shkodranë, rojtarë të shenjtërores,
e ndërsa ecnin me sytë lart, pa u kujtuar as ata vetë, e kaluan në këmbë detin Adriatik.
Si arritën në Romë, figurja u zhduk nga sytë tyre. Por nuk vonoi e në të gjithë Italinë
u hap zëri se një figure e mrekullueshme kishte zënë vend në muret e Shenjtërores
së Gjenacanit, ku me ndërmjetësinë e saj po kryheshin mrekulli të panumërta. Ishte
data 25 prill 1467. Që asokohe nisën shtegtimet e besimtarëve drejt Gjenacanit, e
Zoja jonë e Këshillit të Mirë, Pajtorja Qiellore e shqiptarëve, nisi të nderohej
edhe në Itali, Gjermani, Austri e më vonë edhe në kontinente të tjera, me të njëjtën
figure, që vijon të nderohet në Gjenacan. Kjo figure, pra, nderohej në kishën
e vogël dy herë të rrënuar të Zojës rrëzë Kështjellës Rozafa, një nga më të vjetrat
në Shqipëri. Në këmbë apo gërmadhë, Kisha mbeti gjithnjë cak shtegtimi. Nuk ka besimtar
që duke kaluar andej, edhe pas vitit 1967, kur kisha u rrënua për herë të dytë nga
diktatura komuniste enveriane, të mos jetë lutur në heshtje për ditë më të mira me
një lutje tradicionale, që i qëndroi kohës, më shumë se muret: “O Zoja e
Bekueme, Nana e Këshillit të Mirë, po të thërrasim ty, që je Bija e zgjedhuna e Zotit
Atë, Nana e Jezu Krishtit, Nusja e Shpirtit Shenjt, Tempull i së Shenjtnueshmes Trini:
ndërmjetëso për ne në qiell!”. E kur Kisha u rindërtua, Lutja u pasurua
me fjalët: “Ndër duert tua të fuqishme, o Nanë e Mëshirës, po e lëshojmë
të dashtunin kombin tonë, megjithsè jemi mëkatnorë të mjerë e të padenjë. Po të falënderojmë
se na je gjetë e na ke ndihmue me kujdesin e një Nane të vërtetë në dimnin e gjatë
e të vështirë të persekutimit, i cili na shkaktoi viktima të panjehuna, martirë që
tash ndërmjetësojnë për ne në qiell. Po të falënderojmë që na e nxore nga Zoti hirin
e rikthimit të pranverës së lirisë fetare e qytetare, e cila i hapë rrugën ndërtimit
të një shoqnie ma të drejtë e ma vëllaznore”. Po ti kthehemi kremtimit
të sivjetmë të festës së Zojës së Shkodrës për çka na njofton Jolanda Baba....