2011-10-16 18:31:31

Papa Ratcinger: të krishterët të jenë dëshmitarë të shpresës e të gëzimit, në një botë ku e keqja bën gjithnjë më shumë zhurmë.


“Fjala e Zotit vijon të lulëzojë e të përhapet në botë, edhe pse e keqja bën më shumë zhurmë”- janë fjalët e Papës, shqiptuar të shtunën e kaluar, gjatë takimit, në Vatikan, kushtruar temës “Ungjillëzues të rinj, për Ungjillëzimin e ri”. Benedikti XVI i ftoi me forcë të krishterët të jenë shenjë shprese, duke ua komunikuar të gjithëve gëzimin e fesë, edhe në mes të indiferencës, të moskuptimit e deri në mes të persekutimit. Sepse edhe në kohët moderne, që bëjnë aq shumë potere kur flasin për lirinë, nuk mungojnë persekutuesit, që i kundërvihen me metoda të sofistikuara, dëshmitarëve të vërtetë të shpresës e të gëzimit, që buron nga Fjala e Zotit e nga prania e Tij.
Prej këndej, të krishterët duhet të jenë shenjë shprese, duke e dëshmuar me gëzim Fjalën e Zotit, që kumbon gjithnjë e gjallë në çdo çast të historisë, por duhet të dinë edhe t’i përngjajnë kokrrës së grurit, që copëtohet, për t’u bërë, pastaj, kallëz; e tharm, që thar brumin. Ky është, sipas Papës, portreti i ungjillëzuesve të rinj, të thirrur ta shndërrojnë botën, ta zgjojnë nga gjumi i rëndë i indiferencës, pa iu trembur syri nga asnjë vështirësi. Ashtu si në kohët e bashkësive të para të krishtera – pohoi Papa – kumtimi i Lajmit të mirë mund të hasë vështirësi, mund të mos pranohet, por kjo nuk do ta pengojë kurrë të rritet e të përhapet në të katër anët e botës. Së pari, sepse kjo nuk varet nga veprimtaria jonë, por nga Zoti, që e fsheh fuqinë e tij nën shenjat e ligështisë; e, së dyti, sepse fara e Fjalës – siç e tregon shembëlltyra e Mbjellësit – gjen edhe sot tokë pjellore, në gjendje të japë shumë fryt; e, së treti, falë guximit të dëshmisë:
Arsyeja e tretë është se kumtimi i Ungjillit arriti vërtet deri në skajet më të largëta të tokës e, ndonëse në mes të indiferencës, keqkuptimit e persekutimit, shumë njerëz vijojnë edhe sot, me guxim, të hapin mendjen e zemrën për ta pranuar ftesën e Krishtit, për ta takuar Atë e për t’u bërë nxënës të Tij”.
E gjithë kjo – vijoi Benedikti XVI – në se nga njëra anë të ngushëllon e të mbush me shpresë, sepse e vë papushim në dukje tharmin misionar, që i jep jetë Kishës, nga ana tjetër duhet t’i bëjë të gjithë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë në përhapjen e Ungjillit. Edhe për këtë – shpjegoi Papa - lindi Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri:
“Këshilli Papnor për nxitjen e Ungjillëzimit të Ri është i thirrur t’i japë një ndihmë të posaçme Kishës në misionin e saj, posaçërisht në vendet e traditës së lashtë kristiane, që duken si indiferente, për të mos thënë, armiqësore ndaj fjalës së Zotit. Bota e sotme ka nevojë për njerëz, që kumtojnë e dëshmojnë se është vetë Krishti, ai që na e mëson artin e të jetuarit, udhën e lumturisë së vërtetë, sepse është Ai vetë rruga e jetës”.
Për t’ia arritur këtij qëllimi, misionari duhet t’i mbajë sytë të ngulur fort mbi Krishtin – siç nënvizoi edhe vetë Papa. Nuk mund të kumtohet Fjala e Krishtit, pa qenë në lidhje të ngushtë me Të:
“Bota e sotme e ndjen nevojën e njerëzve, që flasin me Zotin, për të folur për Zotin. E duhet të kujtojmë gjithnjë edhe se Jezusi nuk e shëlboi botën me fjalë të bukura, ose me mjete, që tërheqin vëmendjen, thjesht për t’u dukur. Jezusi e shëlboi botën me vuajtjen e me vdekjen e tij. Ligji i kokrrës së grurit, që kalbet në dhe, vlen edhe për sot; nuk mund t’u japim jetë të tjerëve, pa dhënë jetën tonë”.
Në përfundim, Benedikti XVI i nxiti të pranishmit ta lenë vetën në dorë të Shpirtit Shenjt e t’i përgjigjen thirrjes së Jezusit për të qenë dishepujt e tij, me të njëjtin besim, pa asnjë kusht, që pati Izaia Profet kur iu përgjigj ftesës së Zotit me fjalët: “Jam gati, o Zot, më dërgo mua!”“Të jeni shenjë shprese, të aftë për ta shikuar me siguri të ardhmen, që vjen nga Zoti Jezus, i cili e mundi vdekjen dhe na dhuroi jetën e pasosur. Tregoni të gjithëve ç’do të thotë gëzim i fesë, me një entuziazëm, që buron nga vetë Shpirti Shenjt, sepse ai i bën të reja të gjitha sendet”.







All the contents on this site are copyrighted ©.