2011-10-16 18:48:32

Papa prefektëve të Italisë: detyra publike duhet kryer me dinjitet e me vëmendje ndaj njerëzve më të ligshtë!


Dinjitet e vetëdije të lartë përgjegjësie: këtë kërkon ushtrimi i detyrës publike sipas fjalëve të Gjon Palit II gjatë takimit me prefektët e Italisë, kryesuar nga Ministri i brendshëm, Roberto Maroni. Benedikti XVI kërkon që administrimi publik të jetë gjithnjë në shërbim të qytetarëve e që, në këtë fazë të paqartë ekonomike, të mbizotërojë vetëdija e detyrës dhe urtia, pa harruar vëmendjen veçantë për të varfërit:
“Nuk duhet ta humbisni guximin përballë vështirësive e keqkuptimeve, por duhet të jeni gjithmonë gati t’i përballoni çështjet, që ju besohen, me vetëdijën e madhe të detyrës e me urti, pa harruar kurrë respektin për të vërtetën dhe guximin për mbrojtjen e vlerave më të larta”.
Kjo është ftesa kryesore, që u drejtoi Papa prefektëve të Italisë, të cilët i priti sot në audiencë, në Vatikan.
Benedikti XVI u propozoi të pranishmëve figurën shembullore të Shën Ambrozit, pajtor i prefektëve i cili, para se të bëhej ipeshkëv i Milanos, ngjiti me shpejtësi shkallët e një karriere të shkëlqyer si nëpunës i lartë publik, në shërbim të Perandorisë romake. Me mënyrën si e kreu këtë detyrë, fitoi admirimin e përgjithshëm, duke u bërë shembull për funksionarët civilë të kohës. Për Shën Ambrozin – shpjegoi Papa – funksioni civil ishte aq i lartë e i nderuar, sa të shikohej si i shenjtë. E si i tillë, duhej ushtruar me dinjitet të plotë e me vetëdijen e thellë të përgjegjësisë. Ky ipeshkëv i shenjtë e doktor i Kishës, i frymëzuar nga dashuria dhe respekti i madh për institucionet shtetërore e kishtare – vijoi Benedikti XVI – mbetet shembull i jashtëzakonshëm i njeriut të drejtë, që mbron me të gjitha forcat ligjet e që i kundërvihet me vendosmëri padrejtësive dhe dhunës. Prelati e shenjti i madh u shqua edhe për mbrojtjen e lirisë së fjalës. Ai vetë nuk ngurroi kurrë të thoshte të vërtetën, duke e ditur mirë se vërteta për shumëkënd mund të tingëllojë keq e mund t’i krijojë atij, që merr guximin ta thotë haptazi, trazira jo të pakta. Në këtë drejtim, nuk i kurseu as njerëzit e pushtetshëm, të cilëve u kujtoi gjithnjë parimet e lirisë së vërtetë e të shërbimit.
Më pas Benedikti XVI vuri disa herë theksin mbi qytetarët e mbi shërbimin:
“Roli i atij që, punon në drejtimin publik nuk duhet konceptuar si veprimtari pa emër të përveçëm, pa përgjegjësi të drejtpëdrejtë, me karakter burokratik, por si ndihmë e kujdesshme, që u jepet qytetarëve e që ushtrohet me shpirtin e shërbimit”.
Në përfundim të fjalimit, Benedikti XVI kujtoi se Kisha në Itali është e rrënjosur thellësisht në jetën e popullsisë e se dëshmitë e krishterimit në këtë vend, janë të panumërta e mahnitëse:
“Kudo mund të vëresh gjurmët, vulosur nga feja e krishterë mbi doket e zakonet e popullit italian, duke krijuar tradita të thella fisnike fetare e kulturore si dhe një pasuri artistike të pashembullt në botë”.
Në përfundim Ati i Shenjtë theksoi me forcë se Kisha nuk heq kurrë dorë nga detyra, që ia ngarkoi vetë Zoti. Duke respektuar autonomitë dhe kompetencat e ligjshme, bashkësia kishtare do të vijojë ta shikojë si mandatin e vet kryesor, t’i drejtohet njeriut të sotëm në gjitha rrethanat.







All the contents on this site are copyrighted ©.