2011-10-14 18:09:44

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 29-të gjatë vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 29-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.
Të dashur dëgjues të Radio Vatikanit e vëllezër e motra në Krishtin, gjendemi pra përsëri së bashku për ta lëvduar Zotin, për ta dëgjuar fjalën e tij e për t’u impenjuar për një jetë me dashuri vëllazërore gjithnjë e më solide. Këto elemente na ndihmojnë të jemi qytetarë të vërtetë të botës e ithtarë (ndjekës) të vërtetë të Krishtit.
Leximet biblike të kësaj së diele na propozojnë temën e marrëdhënies ndërmjet fesë e pushtetit politik, të marrëdhënies sonë me Zotin e me Cezarin apo Mbretin, temë që është aktuale edhe për ne sot. Çdo njeri është “shëmbëllesë e Zotit”, Atij vetëm duhet ti shërbejmë, Atij vetëm duhet t’ia dhurojmë veten tonë. Autoriteteve njerëzore le t’u japim tatime e t’u paguajmë taksa, mirëpo duhet të ruajmë dinjitetin, ndërgjegjen dhe lirinë tonë të plotë për t’i shërbyer vetëm e vetëm Zotit. Pjesa ungjillore na mëson se edhe pushteti civil mund e madje duhet të shërbejë për të mirën e përbashkët, për mirëqenien morale, shpirtërore e materiale të të gjithëve. Shoqëria e pushteti civil duhet të respektohen dhe t’u bindemi ligjeve të drejta të shtetit. Kemi përgjegjësinë tonë edhe ndaj shtetit, por pa kompromise, pa flijuar vlerat etike e shpirtërore.
Cezari apo pushtetari tokësor mund të vejë e të shtyp imazhin e figurës së vet mbi gjëra e mbi monedha, por nuk mund ta ngulit e as të le gjurmë në personin, aq më pak në zemrën e tij. Zoti është i vetmi Zotëri i njeriut e nuk ka tjetër përpos Tij. Kjo e vërtetë përbënë themelin e dinjitetit e të lirisë së çdo burri e të çdo gruaje. Kisha pra nuk heq kurrë dorë nga detyra, që ia ngarkoi vetë Zoti. Duke respektuar autonomitë dhe kompetencat e ligjshme, bashkësia kishtare do të vijojë ta shikojë si mandatin e vet kryesor, t’i drejtohet njeriut të sotëm në gjitha rrethanat me Fjalën Hyjnore jetëdhënëse.
Në figurën e perandorit të Persianëve, Kirit – që qeveriste më shumë me liri e inteligjencë se sa me forcë, Hyji i premtoi popullit hebraik lirimin nga skllavëria, kthimin në atdhe e rindërtimin e Jerusalemit dhe të tempullit – e Izaia profet në figurën e Kirit sheh një personazh me të cilin Zoti është shërbyer për të çuar përpara planet e veta në favor të popullit të zgjedhur. Kiri, u bë instrument për lirimin e popullit hebre nga azili. (Leximi parë Is 45,1.4-6).
Shën Pali, pasi ka marrë lajme të mira nga bashkësia kishtare e Tesalonikut, shpejton për ta përgëzuar dhe shpreh gëzimin e madh për frytet e dashurisë, të bamirësisë që kanë lulëzuar në gjirin e kësaj bashkësie besimtarësh. Në leximin e dytë të kësaj së diele kemi tiparet thelbësore të bashkësisë së krishterë.( Leximi dytë 1Ts 1,1-5).
Ungjilli i kësaj së diele nga Mateu, na kujton pohimin e famshëm të Jezusit “Jepni Cezarit çka i përket Cezarit e Zotit atë çka është e Zotit”. Cezarit, po, por vetëm atë që vërtetë i përket atij, e Zotit zemrën e shpirtin. (Mt 22,15-21)
Dëgjues të dashur, leximet biblike të kësaj së diele na ndihmojnë të shqyrtojmë jetën e veprat tona për të ditur se shëmbëllesë e kujt jemi, e Cezarit apo e Zotit? Jo fjalët, por jeta na tregon këtë të vërtetë.
Zoti është gjithmonë aktual sepse është gjithmonë i gjallë. Mesazhi i tij i kalon shekujt e asnjë faqe e letërsisë botërore nuk është kaq aktuale sa është Ungjilli, që ndriçon jetën shpirtërore e shoqërore, marrëdhëniet tona me Zotin dhe me të afërmin, me bashkësinë dhe mjedisin shoqëror në të cilin jetojmë e në të cilin duhet të dëshmojmë dashurinë e Zotit.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë (Is 45, 1. 4-6)
Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt.

Lexim prej Librit të Izaisë profet

Kështu thotë Zoti për Kirin, të shuguruarin e vet: “Ia kapa të djathtën e tij për t’i shtruar para tij popujt, për t’i vënë në ikje mbretërit, për t’i hapur para tij dyert; edhe dyert para tij s’do të mbyllen.
Për dashuri të shërbëtorit tim Jakobit e të Izraelit, të të zgjedhurit tim, të thirra ty me emrin tënd, të shënova megjithëse s’më njihje. Unë jam Zot e tjetër s’ka: përveç meje Hyj tjetër s’ka! Të ngjesha në armë, megjithëse s’më njihje, që të dihet prej lindjes në perëndim, se posë meje, askush tjetër s’është!”
Fjala e Zotit.

Psalmi 96 (95)
Ref: Ty, o Zot, të qoftë nderi dhe lavdia!
_____________________________
Këndoni Zotit një këngë të re!
Mbarë toka le t’i këndojë Zotit!
Kumtojeni ndër paganë lavdinë e tij,
ndër mbarë popujt mrekullitë e tija!
_____________________________
Sepse i madh është Zoti,
tejet i denjë për t’u lavdëruar,
më i përfrigueshëm se të gjitha hyjnitë!
Një asgjë janë të gjithë zotat e paganëve,
kurse Zoti e ka krijuar qiellin.
_____________________________
Jepni Zotit, familjet e popujve,
jepni Zotit nder e fuqi,
jepjani Zotit nderin e Emrit të tij!
Kushtoni dhurata e hyni në pallatet e tij.
_____________________________
Dridhu, o rruzull, para fytyrës së tij!
Shpallni ndër paganë: “Mbret është Zoti!”
Ai e mban botën që të mos shkatërrohet;
i gjykon popujt me drejtësi.
_____________________________

Leximi i dytë (1 Sel 1, 1-5)
Kemi para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Pali, Silvani dhe Timoteu: Kishës së Selanikasve në Hyjin Atë dhe në Jezu Krishtin Zot. Paçi hir dhe paqe! Gjithmonë i falënderohemi Hyjit për ju të gjithë dhe vazhdimisht ju kujtojmë në lutjet tona duke pasur para sysh fenë vepruese tuajën, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin tonë Jezu Krishtin para Hyjit, Atit tonë.
Sepse, o vëllezër të dashur prej Hyjit, e dimë se jeni të zgjedhur, mbasi Ungjilli ynë nuk erdhi ndër ju jo vetëm me anë të fjalës, por edhe i përcjellë me fuqi dhe me Shpirt Shenjt dhe me mbushmendje të plotë. Të tillë, pra, siç e dini, kemi qenë ndër ju për ju.
Fjala e Zotit

Ungjilli (Mt 22, 15-21)
Jepni Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut
Në atë kohë, farisenjtë u ndanë në një anë dhe u këshilluan si ta zënë gabim në fjalë. Dërguan nxënësit e vet bashkë me herodianë për t’i thënë: “Mësues, ne e dimë se ti gjithmonë flet të vërtetën dhe se me të vërtetë e mëson udhën e Hyjit pa marrë parasysh kush është kush: ti nuk këqyr ç’pozitë kanë njerëzit! Na thuaj, pra, si mendon ti: a është e lejueshme t’i paguhet Cezarit tatim apo jo?”
Jezusi, duke e njohur mirë djallëzinë e tyre, tha: “Shtiracakë, pse po më sprovoni? Ma tregoni monedhën e tatimit!”
Ata ia sollën një dinar. “E kujt është – u tha – kjo fytyrë e ky mbishkrim?”
“E Cezarit!” – i përgjigjën ata.
Atëherë Jezusi u tha: “Jepni, pra, Cezarit çka i përket Cezarit, e Hyjit çka i përket Hyjit.”
Fjala e Zotit

Tani ti dëgjojmë leximet biblike të kësaj së diele e pastaj komentin..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.