2011-10-14 17:35:17

Konferencë kushtuar “Caritas in Veritate”. Goti Tedeski: etikë e thjeshtësi, për të dalë nga kriza!


U mbajt në Romë konferenca “Ekonomia botërore para e pas Enciklikës “Caritas in Veritate”, perspektivat e ardhmërisë”. Enciklika, e vlerësuar si i pari dokument i madh papnor kushtuar globalizimit, tërhoqi vëmendjen e njeriut mbi rreziqet që burojnë prej një ekonomie të shkëputur nga etika e nga e vërteta e krishterë. Por cilat janë vlerat, që kujton Benedikti XVI në Enciklikë e ç’ndihmesë mund të japin për ta kapërcyer krizën e thellë ekonomike, që ka pushtuar – e tronditur - gjithë botën? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, drejtori i Institutit për Veprat e Religjonit (IOR), profesor Ettore Gotti Tedeschi:

Përgjigje: - Njeriu duhet të rifitojë vetëdijen e përgjegjësisë personale e t’i përdorë mjetet si mjete. Ky është një nga mësimet e shumta të kësaj Enciklike të madhe, të jashtëzakonshme. Ajo, që ka humbur gjatë gjithë këtij pështjellimi nihilist të kohëve të fundit, është fakti se mjetet kanë fituar pavarësinë morale e janë kthyer në qëllime. Prandaj njeriu nuk di më si t’i përdorë. I mungon ajo vetëdije, ajo pjekuri, që duhet, për të përdorur me sukses mjete kaq të përparuara, siç janë të sotmet. E kjo nuk ndodh vetëm në atë, që njihet me emrin “financë”, por pothuajse në të gjitha disiplinat shkencore.

Pyetje: - Në analizën tuaj, ju shprehni mendimin se zanafilla e krizës duhet kërkuar në plakjen e popullsisë së botës perëndimore. Kjo situatë çon në rritjen e konsumit, me pasojë rritjen e kostos e të taksave, gjë që s’mund të ketë përfundim tjetër, veç atij të mbytjes në borxhe. Me sa duket, pra, kriza ka edhe një zanafillë tjetër, atë morale....

Përgjigje: - Pa kurrfarë dyshimi. Papa e kuptoi menjëherë se zanafilla e kësaj krize duhej kërkuar tek njeriu, tek humbja e vetisë së tij themelore: dinjitetit. Nihilizmi, i cili e çon njeriun deri në atë pikë, sa ta quajë veten kafshë që mendon e që, prej këndej, duhet të plotësojë vetëm nevojat materiale, s’mund të jetë tjetër, veçse shlyerje e vetë dinjitetit! Kjo e shtyu njeriun, për 20 a 30 vjet, në një garë të shfrenuar konsumistike, e nxiti të rendë drejt një konsumizmi pa pikën e kuptimit, e bëri të mendojë se duhet të kënaqë vetëm nevojat e trupit. Po njeriu nuk është vetëm trup: përbëhet nga trupi e nga shpirti. Nuk ka nevojë vetëm për sende materiale, por edhe e sidomos, ka nevojë për ushqim shpirtëror, mendor – mjafton të mendojmë për madhështinë e Mësimeve, që Kisha i jep njeriut - e njeriu nuk do t’i dëgjojë....

Pyetje: - Por, këto vërejtje, pastaj, a janë konkretizuar në veprimtaritë e bashkësisë ndërkombëtare? Kam parasysh sidomos ndihmat për Greqinë e edhe përpjekjen për të shpëtuar bankat...

Përgjigje: - Jo. Jo. Sepse kjo bashkësi nuk reflektoi thellë, siç duhej të bënte. U mjaftua të thotë: “Etika duhet vënë në qendër të vëmendjes, në të gjitha veprimtaritë: etika në veprimtaritë ekonomike, etika në politikë”. Pastaj në se ndokush pyet: “Po a mund të na thoni, ç’është kjo etikë e si duhet vënë në themel të të gjitha veprimtarive?”, nuk merr kurrfarë përgjigjeje. Pyetjeve të tilla i përgjigjet vetëm heshtja. Njeriu ‘modern’ nuk do as ta dëgjojë fjalën etikë, nuk do t’ia dijë se duhet të punojë duke respektuar normat morale. E kjo sepse automatikisht njeriu relativist pyet: “për ç’moral bëhet fjalë?”; “E kush e vendos ç’është morale e ç’është amorale?”; “Kush mund të na bindë ç’është e mirë e ç’është e keqe?”. Për pasojë njeriu e ka shlyer atë proces mendor, që e çon deri atje, sa të thotë: “Kjo është e mirë, e kjo, e keqe”. Bota moderne i ngatërron tepër shpesh këto dy kategori themelore, të pangatërrueshme, sepse në fund të shpirtit, edhe njeriu më relativist, në mos e kuptoftë, e ndjen në thellësitë e ndërgjegjes ç’është e mirë e ç’është e keqe.

Pyetje: - Ju keni pohuar se borxhet e shteteve mund të kapërcehen vetëm përmes zhvillimit ekonomik e, në rastin e Italisë, përmes investimeve masive në ndërmarrjet e vogla e të mesme. Por, a ka edhe një rrugë a mënyrë të krishterë, për të dalë nga kriza?

Përgjigje: - Jeta e thjeshtë!







All the contents on this site are copyrighted ©.