2011-10-14 13:54:30

Kolosi i Fesë e Atdheut, atë Shtjefën Gjeçovi në vjetorin e vdekjes


Sot më 14 tetor përkujtojmë njërin nga figurat vigane që krishterimi i dhuroi kishës e kulturës kombëtare shqiptare, françeskanin shqiptar, Atë Shtjefën Gjeçovin(1874 - 1929), në përvjetorin e vrasjes së tij, i cili për kontributin që dha, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Frang Bardhi, imzot Pjetër Bogdani, imzot Gjon Kazazi, Atë Gjergj Fishta, Atë Anton Harapi, dom Ndre Mjeda e tjerë.
Sapo përmendet emri i tij, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Atë Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq. Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të shkollës letrare të Veriut, dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës komuniste, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit. Atë Shtjefën Gjeçovi mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët, arkeologët, juristët, teologët më të shquar shqiptarë dhe si predikatar i palodhshëm i Fjalën së Zotit në gjuhën shqipe, dhe mbrojtës i vlerave shpirtërore e kombëtare të popullit të vet shqiptar për çka dhuroi jetën me martirizim.
Atë Shtjefën Gjeçovi lindi 132 vjet më parë, më 12 korrik 1874, në Janjevë të Kosovës në një familje thellësisht katolike. Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskan. Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë.
Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit.
U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbram!
Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa".
Lista e veprave të tij është shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër me karakter hagjiografik, që meriton të njihet më shumë, si Shpërblyesi i botës ase Jeta e Jezu Krishtit. Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të 14 tetorit të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në elter një tjetër frat shqiptar, Atë Luigjin Paliq, martir i fesë e i atdheut.
Po kujtojmë disa nga veprat e tija:
“Dashuria e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”, botimi i “Kanunit te Leke Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”, “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli – përkthim i lire i dramës me 3 akte te Pjeter Metasatasit, “Vazja e Orleans-it ose Joana D’Ark mbas A.F. prej Bergamos dhe vepra e fundit teologjike “Shpërblesi i botes ase Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën e shkroi me qellim qe te mësojë dhe edukoje popullin ne frymën e gjuhës shqipe dhe ne frymën e dashurisë se Jezusit.
Ndërmjet shkrimeve të shumta kushtuar Atë Gjeçovit, po kujtojmë se për të është shkruar edhe një monografi me titull "Shtjefën Gjeçovi: Jeta , vepra me autor Ruzhdi Matën. Gjithsesi shkrimet më të besueshme për të janë ata që mbajnë nënshkrimin e bashkë vëllezërve të tij françeskanë, të cilët e njohën nga afër, sidomos Atë Pashkë Bardhit, historianit të françeskanëve. Duke përkujtuar sot Atë Shtjefën Gjeçovin, bëmë vetëm një skicë të shpejtë të një figure që i ngriti vetvetes me vepra një monument të pashkatërrueshëm nga koha! Po të dëgjojmë një kujtim mbi këtë figurë gjigante të fesë e të kulturës, nga studiuesi Lezhjan, Agron Gjekmarkaj.........RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.