Kinë: roli i intelektualëve katolikë në jetën e Kishës.
“Roli i intelektualëve katolikë në jetën e Kishës” ishte tema e takimit të 9-të të
intelektualëve katolikë të provincës Zhe Zhiang, mbajtur më 7 deri më 9 tetorin e
kaluar në dioqezën e Ven Zhou-ut. Sipas njoftimeve, mbledhur nga agjencia Fides, 68
pjesëmarrës, ardhur nga 10 qytete dhe lokalitete të provincës bregdetare jugperëndimore
kineze, ndoqën 3 ditët e ngarkuara me veprimtari kishtare e kulturore. Ishin mjekë,
profesorë universitarë, arkitektë, inxhinierë, ekonomistë katolikë e përfaqësues të
profesioneve të tjera, me moshë 25 deri në 78 vjeç. Njerëz me rol vendimtar në zhvillimin
e shoqërisë. Sipas organizatorëve, intelektualët, që dëshironin të merrenin pjesë
në këtë takim, ishin shumë më tepër. Por, për shkak të mundësive të kufizuara organizative,
u mblodh vetëm një grup. Gjithsesi, çdo vit po bëhen përpjekje për programimin e tipeve
të ndryshme të takimeve, për ta përmirësuar rolin e intelektualëve katolikë në veprimtarinë
baritore e në ungjillëzim. Një takim i kësaj natyre është bërë traditë që prej
9 vitesh. Nga viti 2003, kur u organizua së pari, gjatë çdo takimi, që zgjat tri ditë,
intelektualët katolikë shkëmbejnë përvojën e tyre të fesë e të impenjimit në jetën
e Kishës, duke kremtuar meshë, duke thënë lutje, duke organizuar veprimtari shpirtërore,
shtegtime e tryeza të rrumbullakta. Nisma, e realizuar me sukses, po përhapet edhe
në provincat e tjera.