2011-10-14 17:35:53

Festivali i muzikës kishtare i kushtohet Shën Marisë Virgjër. E pranishme, “Wiener Philharmoniker”


Festivali i muzikës dhe i artit kishtar, takim tradicional e prestigjioz i vjeshtës romake, mbush 10 vjet dhe i feston me një program, kushtuar shën Marisë Virgjër, i pasur me të ftuar ndërkombëtarë e me çaste të rralla. Nga 26 tetori deri më 6 nëntor, në bazilikat patriarkale romake dhe në kishën e Shën Injacit në qendër të Romës, do t’i zënë vendin njëri-tjetrit katër kore, po aq orkestra, shtatë dirigjentë dhe 20 solistë, që do të interpretojnë faqe të mrekullueshme të muzikës kishtare. Të ftuar, orkestra e famshme “Wiener Philarmoniker” e Filarmonia e Montekarlos.RealAudioMP3
Qëllimi i festivalit është ta çojë muzikën kishtare aty ku e ka zanafillën, në vendet e kultit, pikërisht për t’i mbrojtur këto të fundit. Vërtet, me ndihmën e Fondacionit që organizon festivalin, janë restauruar 13 vepra të çmuara arti. I fundit është Mauzoleu, i ashtuquajtur “i Marçëve”, i cili daton në shekullin II-III pas Krishtit e ndodhet në Nekropolin e Bazilikës së Shën Pjetrit. Të dëgjojmë presidentin e Fondacionit, Hans Albert Kurtial:
“Lidhja ndërmjet muzikës dhe artit kishtar është arsyeja për të cilën kur njerëzit, brenda Bazilikës, dëgjojnë muzikën e shohin bukurinë e artit, ndjejnë se zemrat e ndjenjat e tyre priren kah Zoti”.
Jetojmë në një epokë, ku dëgjojmë e shohim shumë shëmti, nënvizon kryeprifti i Bazilikës Vatikanase, kardinal Angjelo Komastri. Festivali është një oazë bukurie muzikore dhe artistike, që i bëhet njerëzimit:
“Ky festival i kushtohet Zojës. Kanë kaluar 1580 vjet nga Koncili i Efesit, një Koncil, ku u afirmua doktrina katolike, që i njeh shën Marisë një rol të jashtëzakonshëm në historinë e shëlbimit. E është diçka shumë e bukur të nënvizohet se Zoti lëviz në botë, duke trokitur në portën e lirisë njerëzore. Porta e Marisë është e hapur dykanatësh, por sa porta, ku troket Zoti, mbeten të mbyllura? Ja përse bota është kaq e ndërlikuar, kaq e ndrydhur...”
Programi i festivalit është shumë tërheqës për dashuruesit e artit. Gjashtë koncerte në kornizën e dy Meshëve në Bazilikën e Shën Pjetrit, atë të fillimit, të “Kurorëzimit” kompozuar nga Moxart dhe atë të fundit, “Missa Tira Corda” e Oracio Benevolit, për 16 zëra. Diçka e rrallë kjo, nga Baroku, që parashikon praninë e katër koreve e të katër organove. Ndër ta, zërat e bardha të jashtëzakonshme të korit “Tëlzer Knabenkor”, të pranishëm edhe të nesërmen, më 6 nëntor, në kishën e Shën Injacit të Lojolës, me një program nga kompozitori Sebastian Bah. Orkestra “Wiener Philharmoniker” do të jetë e pranishme në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, më 27 tetor, ndërsa Orkestra filarmonike e Montekarlos, për herë të parë në Romë, do të sjellë në Qytetin e Amshuar, violinisten e talentuar Julia Fisher.







All the contents on this site are copyrighted ©.