Kryeministri egjiptian i shpreh ngushëllimet për koptët, Papës Shenuda
Kryeministri egjiptian Esam Sharaf shkoi sot për vizitë te Papa Shenuda III, kreu
i Kishës kopte ortodokse, për t’i shprehur ngushëllimet e tij për viktimat e së dielës
në Kajro. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, numri i viktimave, pas ndeshjeve ndërmjet
manifestuesve të krishterë dhe ushtrisë, është 36. Sharaf dhe Papa Shenuda diskutuan
për pasojat e kësaj krize mbi vendin dhe për hapat e nevojshme, që çojnë drejt zgjidhjes.
Kryeministri u njoftua edhe për planin e Kishës për të ulur zemërimin e koptëve, që
natyrisht, është rritur pas dhunës. Ndërkaq, vetë kolegët e saj, kanë denoncuar një
gazetare të televizionit shtetëror, e cila gjatë ndeshjeve të së dielës, i nxiste
shikuesit të dilnin në shesh e të sulmonin manifestuesit koptë. Edhe Amnesty International,
që dje, ka kërkuar, me anë të një note, të bëhet e qartë se kujt i takon përgjegjësia
për kthimin e një manifestimi kundër diskriminimit fetar në një det me gjak. Kush
ka dhënë urdhër për të qëlluar kundër manifestuesve – pyet Amnesty – e nëse askush,
cila është kompetenca e ushtrisë në administrimin e gjendjeve të vështira, gjatë protestave
publike? Mjekët e spitalit kopt të Kajros deklarojnë se viktimat kishin shenja plumbash
në trup dhe fraktura, të shkaktuara nga kalimi i autoblindave sipër trupave të tyre. Pas
thirrjes së djeshme të Papës, në favor të koptëve ortodoksë, ipeshkvijtë e Lindjes
së Mesme i kërkojnë botës të mos i harrojë të krishterët e rajonit. Ambasadorja egjiptiane
pranë Selisë së Shenjtë, Lamia Mekhemar deklaroi se thirrja e Benediktit XVI do të
merret parasysh nga autoritetet. Ligji parashikon të drejtat të barabarta për të gjithë,
por nuk zbatohet si duhet – pranoi ambasadorja.