2011-10-12 14:50:03

Thirrje e ipeshkvijve kanadezë për bariun e krishterë iranian, dënuar me vdekje për apostazi.


Edhe ipeshkvijtë e Kanadasë bashkojnë zërin në korin ndërkombëtar për shpëtimin e jetës së Yousef Nadarkhani-it, bari i krishterë, dënuar me vdekje në Iran me akuzën e apostazisë. Në një letër, drejtuar ambasadës iraniane në Ottava, kryetari i Komitetit për të drejtat njerëzore pranë Konferencës ipeshkvnore (Cecc), imzot Brendan O’Brien, i kërkon qeverisë së Teheranit t’i respektojë zotimet ndërkombëtare lidhur me të drejtat e njeriut. Në mënyrë të posaçme kujton se sipas nenit 18, “çdo njeri ka të drejtën e lirisë së mendimit, të ndërgjegjes e të fesë”, e se ‘kjo e drejtë përfshin edhe lirinë për të ndërruar fenë, ose bindjet”. Duke cituar një fjalim të kohëve të fundit, mbajtur në Asamblenë e OKB-së nga imzot Dominik Mambertì, sekretar i Selisë së Shenjtë për Marrëdhëniet me Shetet, në letër pohohet se “mungesa e respektit për lirinë fetare, është kërcënim për sigurinë e paqen dhe pengesë serioze për zhivillimin e gjithanshëm të njeriut”. Prej këndej buron edhe kërkesa që bariu Nadarkhani si dhe “të gjithë njerëzit, që gjenden në situata të ngjashme, të trajtohen në përkim me nenin 18 të Deklaratës universale të të drejtave të njeriut”.
Nadarkhani, 34 vjeç, baba i dy fëmijëve, u kthye në fenë e krishterë në moshën 19 vjeçare. Për këtë arsye, e edhe për ndikimin e ushtruar mbi shumë myslimanë, që ecën në rrugën e bariut të krishterë, në shtator 2010 gjykata e qytetit të tij, Rasht, në Veri të Iranit, e dënoi me vdekje. Kundër këtij vendimi ngritën zërin e protestës disa qeveri, posaçërisht qeveria e SHBA, e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës e Polonisë, presidente turni e Bashkimit evropian. Ndërkaq dje, gjykata e provincës Ghilan, që duhet të thoshte fjalën e fundit në këtë proces gjyqësor, vendosi t’ia kalojë çështjen udhëheqësit më të lartë. Do të jetë Khamenei ai, që do të vendosë për fatin e fundmë të bariut të krishterë iranian. Në duart e kreut mysliman të fesë është jeta ose vdekja e një njeriu të thjeshtë, që pati guximin të zgjedhë lirisht fenë e krishterë, në një vend, ku zgjedhje të tilla të çojnë nga jeta tokësore, në atë të pasosur.







All the contents on this site are copyrighted ©.