Të shtunën e ardhshme pas dite Benedikti XVI do t’u flasë pjesëmarrësve të takimit
mbi “Ungjillëzues të Ri për Ungjillëzimin e Ri, Fjala e Zotit shtohet e përhapet”,
organizuar nga Këshilli Papnor për promovimin e Ungjillëzimit të Ri. Papa Ratcinger
do të pritet nga kreu i dikasterit të Vatikanit, kryeipeshkvi imzot Rino Fizikela.
Ndër ligjëruesit e këtij takimi të rëndësishëm kishtar janë edhe shkrimtari katolik
italian Vittorio Messori, editorialisti i së përditshëm Corriere della Sera, e shkencëtari
Marco Bersanelli dhe ekspertë të tjerë. Takimi do të përqendrohet kryesisht mbi pikën
numër 6 të Udhëzimet (Lineamenta) që përgatisin diskutimet rreth temës së Ungjillëzimit
të Ri që do të trajtohet në Asamblenë e XIII të Përgjithshme të Rregullt të Sinodit
të Ipeshkvijve në tetor të vitit 2012. Tema e këtij Sinodi të ardhshëm është “Ungjillëzimi
i Ri për transmetimin e fesë së krishterë”. Në takimin e së shtunës do të flitet
mbi aspekte të ndryshme që lidhen me Ungjillëzimin e Ri si për shembull “Perëndimi
dhe pyetjet e tij mbi Jezu Krishtin”, “Shkenca e feja: një dialog i frytshëm”, “Fushat
e ndryshme për veprimtarinë e Ungjillëzimit të Ri” e tjera. Synimi është të shqyrtohen
skenarët e ri që gjatë dekadave të fundit janë krijuar brenda historisë së njerëzve
në botë e posaçërisht në perëndim, për të depërtuar në brendësi të tyre dhe për t’i
shndërruar në vende të dëshmisë e të kumtimit të Ungjillit.