2011-10-12 13:36:27

Papa: edhe në vuajtje e në krizë mos ta humbim shpresën në Zotin.


Papa, gjatë audiencës së sotme të përgjithshme, vijoi katekizmin e tij mbi lutjen duke komentuar Psalmin 126, “një Psalm me nota feste e të hareshme, një lutje që i këndon më gëzim veprat e mrekullueshme të Zotit” dhe “kremton gjërat e mëdha që Hyji bëri me popullin e vet e që vazhdon të bëjë me çdo besimtar”.
“Psalmisti, në emër të mbarë Izraelit – tha Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger – e nis lutjen e vet duke përkujtuar përvojën e madhërishme e të hareshme të shpëtimit: “ Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit, na dukej si të ishim në ëndërr. Atëherë goja na u mbush me gaz e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!” (rr 1-2a).
Në historinë e njerëzimit si dhe në atë të çdonjërit, ekziston “dhimbja, pasiguria, çastet e krizës që përshkohen”, kujtoi Benedikti XVI gjatë audiencës së përgjithshme mbajtur sot paradite në Vatikan, para mase 30 mijë besimtarëve e shtegtarëve të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke nxit të jemi të vetëdijshëm se edhe atëherë kur kalojmë nëpër momente të vështira e të dhimbshme, pse edhe atëherë ne “përjetojmë një histori të shpëtimit”, sepse “në mbarim – tha Papa – në Jezu Krishtin çdo lot teret”.
Siç i ndodhi popullit të Zotit në Besëlidhjen e Vjetër, që pyeste pasi pat “vuajtur me lot, nëse më të vërtetë në fund do të ketë të korra, do të ketë fryte, e po, jeta jonë, e vërteta, udha na çojnë te Jezusi: duke hyrë në tokën e fesë edhe ne kemi para vetes mbjelljen që duhet ta bëjmë me derdhje lotësh, por të sigurt që miqësia me Krishtin do të na japë në fund të korra të mëdha”.
Vërtet, siguroi Papa teolog, “Zoti është që tani i pranishëm në jetën tonë, po-ja e Zotit është më e fortë se të gjitha jo-të”. “Nuk duhet ta humbasim e ta çojmë kot – porositi Ati i Shenjtë – këtë kujtim, këtë bindje, këtë mirënjohje për zbulimin e Jezu Krishtit. Me Të dhe në Të do të kemi korra të mëdha, do të gjejmë gëzimin e përhershëm të jetës përtej dhimbjes e vuajtjes. Dhembjet e të mbjellave janë fillimi i gëzimit më të madh”.
Vuajtjet, pasiguritë e krizat që përshkojmë nuk duhet të na bëjnë ta harrojmë Zotin në jetën e përditshme. Ai është kurdoherë pranë nesh e me Të do të ngadhënjejmë mbi çdo vuajtje e do të kapërcejmë çdo krizë e dhembje. “Në lutjen tonë drejtuar Hyjit duhet të qëndrojmë përherë të hapur ndaj shpresës e të jemi të fortë në fenë tonë në Zotin. Historia jonë, edhe pse shpesh është e përshkuar nga vuajtja, nga dhembja, nga mjerimi, në saje të bekimit e të hirit të Zotit do të na sjell gëzim e jetë.
Ja Psalmi 126 të cilin Papa Benedikti XVI e komentoi gjatë katekizmit të sotëm në audiencën e përgjithshme.
PSALMI 126 /125/
Këngë riatdhesimi
1 Këngë shtegtimi.
Kur Zoti i ktheu robërit e Sionit,
na dukej si të ishim në ëndërr.
2 Atëherë goja na u mbush me gaz
e gjuha jonë ia thoshte këngës së gëzimit!
Asohere thuhej ndër paganë:
“Zoti bëri për ta punë të mëdha”!
3 Vërtet Zoti bëri për ne mrekulli
e zemrat na u mbushën me gëzim!
4 Ktheji, o Zot, robërit tanë
porsi përrenjtë e mesditës!
5 Ata që mbjellin me lot,
deh, le të korrin me gëzim!
6 Në të shkuar ecnin e qanin
duke mbartur farën për ta mbjellë,
kurse në kthim do të vijnë plot gëzim
duke mbartur dorëzat e veta.







All the contents on this site are copyrighted ©.