Më 12 tetor kalendari përkujton shën Serafinin nga Montegranaro, rregulltar.
Serafini lindi në vitin 1540 në Montegranaro, në rajonin italian Marke. Prindërit
e tij: Girolamo Rapanjano dhe Teodora Gjovanuzi, ishin thellësisht të krishterë, por
edhe tepër të varfër. Nuk mundën, prandaj, ta shkollojnë djalin që i fali Zoti. Fëmija
shumë shpejt u detyrua të ruante grigjat e një fshatari të pasur. Kështu i kaluan
vitet e para të jetës, derisa mbushi 18 vjeç, kur trokiti në portën e kuvendit françeskan
të Tolentinos. Pas disa vështirësish, u pranua ndërmjet fretërve françeskanë kapuçinë
dhe bëri noviciatin në Jesi. Shtegtoi në të gjitha kuvendet e Markeve sepse, pavarësisht
nga vullneti i mirë dhe kujdesi i jashtëzakonshëm që tregonte në kryerjen e detyrave
që i besoheshin, nuk ia dilte mbanësh t’i kënaqte eprorët as sivëllezërit, të cilët
nuk ia kursenin vërejtjet e qortimet, shpesh edhe të padrejta. Por ai iu përgjigj
gjithnjë çdo qortimi me një butësi çarmatosëse. Mbeti gjithë jetën i varfër, i
përvujtë, i pastër, i gatshëm për ta poshtëruar veten e për të lartuar të tjerët.
Gjatë kryerjes së detyrës si portier, në kontakt me njerëz të të gjitha shtresave
shoqërore, diti gjithnjë të gjejë fjalët e përshtatshme për secilin, të sillej me
delikatesë, duke pasur një dëshirë të vetme: t’i udhëhiqte shpirtrat drejt Zotit,
t’u hapte jo vetëm portën e kuvendit, po sidomos atë të Parajsës. Në vitin 1590
Serafini u vendos përfundimisht në Askoli Piçeno. Qyteti e desh aq shumë, sa në vitin
1602, kur u përhap lajmi mbi transferimin e tij të mundshëm, autoritetet u shkruan
eprorëve të mos e largonin. Kasnec i vërtetë i paqes e të mirave, kishte një ndikim
të jashtëzakonshëm mbi të gjithë ata që takonte. Fjala e tij pajtonte grindje alarmante,
zhdukte urrejtjen, edukonte virtytet. Lutej, punonte, duronte, ndërsa krahas lëvdatave,
nuk i munguan kurrë as qortimet e kritikat. Ashtu si nuk i mungoi kurrë as ndihma
e Zotit, të cilin e pat gjithnjë pranë kudo punonte e kalonte: në kuzhinë, te porta,
në kopsht. Zoti i dha hirin hyjnor të bëhej burim i paimitueshëm ngushëllimi për të
gjithë njerëzit. E ai ishte gjithnjë i kënaqur, në sa dinte të lexonte vetëm dy libra:
të Kryqëzuarin dhe Rruzaren Shenjte. Ishte 64 vjeç e fama e shenjtërisë së tij
i kishte kaluar kufijtë e qytetit të Askolit, kur kërkoi me ngulm sakramentin e vajimit
të shenjt, ndërsa askush nuk e besonte se do të vdiste. Por ai vdiq pak kohë pasi
kishte marrë shujtën e shenjtë të shtegtarit, më 12 tetor 1604. Menjëherë pas vdekjes,
zëri i popullit që fliste aq shumë për shenjtërinë e tij, shkoi deri në vesh të Papës
Pali V, i cili autorizoi ndezjen e një llambe mbi varrin e tij. U shpall shenjt nga
Papa Klementi XIII, më 16 korrik 1767