2011-10-11 12:46:00

Toka e Shenjtë: liderët e krishterë dënojnë dhunimin e vendeve të kultit dhe të varrezave.


Asambleja e Ipeshkvijve të krishterë në Tokën e Shenjtë dënoi ashpër aktet e vandalizmit dhe të dhunimit të vendeve të kultit si dhe të varrezave arabe e të krishtera në të gjithë zonën, nga Galileja, në Jafë. Duke theksuar se pas dhunuesve fshihen ekstremistët hebrenj, kërkoi marrjen e masave të rrepta parandaluese. “Këto akte – pohojnë ipeshkvijtë – që nuk kanë asgjë të përbashkët me fenë e as me interesat e shtetit, kërcënojnë bashkëjetesën paqësore dhe sigurinë e qytetarëve në të gjithë zonën. Prandaj nuk mund të mos i dënojmë e të mos i ftojmë të gjitha institucionet, në mënyrë të veçantë, shtetin, të pranojnë përgjegjësitë e tyre. Urojmë – vijon nota, e publikuar edhe nga Agjencia Sir - që qeveria izraelite, përveç dënimit dhe shprehjes së solidaritetit, të marrë masa serioze për t’ia dorëzuar drejtësisë jo vetëm fajtorët, por edhe ata që fshihen pas tyre. Kërkohet, gjithashtu, që shteti ta rishikojë rolin për formimin e nënshtetasve, duke i edukuar me respektin ndaj larmive fetare e me frymën e pluralizmit. I lutemi Zotit të gjithëpushtetshëm – nënvizojnë ipeshkvijtë - t’i frymëzojë mbarë liderët edhe popujt, posaçërisht ata që kanë prirje të përdorin dhunën e të fyejnë vendet e kultit, të punojnë së bashku për ndërtimin e një shoqërie më të mirë, në të cilën feja mund e duhet të luajë rol konstruktiv.
Fjalët e ipeshkvijve iu përcollën edhe presidentit izraelit, Shimon Perez.







All the contents on this site are copyrighted ©.