2011-10-11 14:38:48

Shoah dhe Piu XII: vlerësimi i hebrenjve të mëdhenj


Më 16 tetor, Roma kujton internimin e hebrenjve të kryeqytetit italian në kampet naziste të përqendrimit, në vitin 1943. Kujtimi i kësaj ngjarjeje në geton e lashtë, e cila me bashkëpunimin e fashistëve italianë, çoi drejt shfarosjes mëse 2000 hebrenj – thekson në mesazhin e tij presidenti italian, Xhorxho Napolitano – do të thotë të risjellësh në mendjet e njerëzve urrejtjet e konfliktet e shekullit të kaluar, për t’u dhënë mundësi brezave të rinj të vlerësojnë plotësisht paqen, në të cilën kanë privilegjin të jetojnë në Evropë. U takon atyre të plotësojnë ndërtimin e institucioneve evropiane, shembull qytetërimi për të gjithë popujt.
Kur në Romë kujtohet Shoah-u i hebrenjve, vjen në mend edhe Papa Piu XII dhe të gjitha diskutimet lidhur me qëndrimin e tij gjatë Luftës II Botërore. Më 9 tetor, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, me rastin e përvjetorit të vdekjes, u kremtua një meshë për shpirtin e tij, kryesuar nga kryeprifti i Bazilikës, kardinali Angjelo Komastri. Gjithnjë e më shumë vihet në dukje edhe nga vetë hebrenjtë se, në kundërshtim me ç’supozojnë ata, që e akuzojnë Papën Piu XII se heshti para Shoah-ut, dokumentet tregojnë të kundërtën. Këtë vuri në dukje edhe kardinal Komastri në homelinë e meshës.
“Piu XII – tha kardinali – përballoi çmendurinë e kohës së vet me terapinë e së vërtetës dhe me veprimtari të guximshme bamirëse. Nëse e duam të vërtetën, duhet të themi se ai nuk heshti e se bamirësia e tij nuk pati kufi”.
Papa pati marrë pjesë aktivisht, si kardinal, në hartimin e enciklikës antinaziste të Piut XI “Mit brendenner sorge”. Gjithashtu, eciklika e tij e parë si papë “Summi Pontificatus”, ishte kaq e qartë kundër nazizmit, sa Gëbelsi e pati quajtur shumë agresive. Vërtet, ja fjalët e Piut XII: “Çasti, në të cilin ju vjen kjo Enciklikë e parë e jona, në aspekte të ndryshme, është një orë e vërtetë errësire. Fryma e dhunës dhe e mosmarrëveshjes derdh mbi njerëzimin një kupë të përgjakshme dhimbjeje pa emër e popujt, të përfshirë në vorbullën tragjike të luftës, janë ndoshta vetëm në fillimet e dhimbjes, por që tani, në mijëra familje mbretërojnë vdekja e dëshpërimi, vaji e mjerimi”.
Në analizën e tij, Papa vinte në dukje dy përgjegjës kryesorë për tensionet ndërmjet popujve e kombeve: racizmin dhe kultin e shtetit. Më qartë se kaq!… Piu XII e këshilloi Kishën Katolike ta bazonte veprimtarinë e vet në të vërtetën dhe në bamirësinë e dashurinë për të tjerët. Vetë hebrenjtë, madje ndër ata më të shquarit e këtij populli, i njohin Papës Paçeli impenjimin në favor të tyre.
Mjafton të citojmë fizikanin e madh, Albert Ajnshtajn, i cili në dhjetor 1940, deklaronte për “Time Magazine”: “Si dashurues i së vërtetës, kur erdhi Hitleri në Gjermani pashë me besim drejt universiteteve, duke e ditur se ato ishin mburrur gjithnjë për përkushtimin e tyre ndaj së vërtetës. Por universiteteve ua mbyllën gojën. Atëherë i ktheva sytë nga drejtorët e gazetave, të cilët, në editoriale plot zjarr, shpallnin dashurinë e tyre për lirinë. Por edhe ata, ashtu si universitetet, u detyruan të heshtin. Vetëm Kisha kundërshtoi plotësisht fushatën e Hitlerit, që donte ta mbyste të vërtetën. S’kam pasur kurrë ndonjë interes për Kishën, por tani ndjej dashuri dhe admirim të madh për të, sepse vetëm Kisha pati guximin dhe këmbënguljen për të mbrojtur liritë intelektuale dhe lirinë morale. Duhet ta them qartë se atë, që e përbuzja më parë, tani, e lavdëroj pa kushte”. Atëherë, në krye të Kishës Katolike ishte Piu XII.
Pas luftës, dëshmitë ndoqën njëra-tjetrën e të gjitha, të nivelit të lartë. Kryerabini i bashkësisë izraelite të Romës, Elio Toaf, në vitin 1958, kur vdiq Papa Piu XII, pati thënë haptas: “Më shumë se kushdo tjetër, kam pasur rastin të eksperimentoj shpirtmadhësinë e Papës Piu XII gjatë viteve të tmerrshme të persekutimit e të terrorit, kur dukej sikur për ne nuk kishte më shpëtim”. Po në atë rast, më 9 tetor 1958, ministrja e jashtme e Izraelit, zonja Golda Meir, e falenderoi publikisht papën e ndjerë me këto fjalë: “Jeta e kohës sonë është pasuruar nga një zë, që shprehte të vërteta të mëdha morale, përmbi zhurmën e konflikteve të përditshme. Ne vajtojmë një shërbëtor të madh të paqes”.
Jo vetëm kaq! Në vitin 1943, Çeim Vaicman, që do të bëhej më pas presidenti i parë i Izraelit, shkruante se “Selia e Shenjtë po jep ndihmën e saj të fuqishme kudo ku është e mundur, për të lehtësuar fatin e trishtuar të hebrenjve të persekutuar”. Moshe Sharet, kryeministri i dytë i Izraelit, e takoi Papën Piu XII në ditët e fundit të luftës e më pas, deklaroi: “Detyra ime e parë ishte ta falenderoja, në emër të popullit hebraik, e përmes tij, Kishën Katolike, për gjithçka bëri për të shpëtuar hebrenjtë në vende të ndryshme”.
Prandaj, në këto ditë, që përkujtohet Shoah-u në Romë, le të kujtojmë edhe ata, që i ndihmuan hebrenjtë me gjithë shpirt, nën udhëheqjen e Vatikanit e të Papës së atëhershëm Piu XII.








All the contents on this site are copyrighted ©.