2011-10-11 16:07:44

Në Egjipt u kremtua funerali i disa të krishterëve, viktima të ndeshjeve me ushtrinë


Në Egjipt mbretëron frika, pas ndeshjeve të djeshme e të së dielës ndërmjet ushtrisë dhe koptëve ortodoksë në Kajro, të cilat shkaktuan vdekjen e 36 vetëve. Në vend, zv.kryeministri dha dorëheqjen, ndërsa në planin ndërkombëtar, sot, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun i bëri thirrje popullit egjiptian të qëndrojë i bashkuar në këtë fazë delikate të tranzicionit, pas rënies së regjimit të presidentit Mubarak. Por ku e kanë zanafillën këto tensione që po përshkojnë vendin? Folëm me afrikanistin e revistës së jezuitëve “Popuj”, Enriko Kazale:
Nuk i di kujt i interesojnë, por di kush, në këtë çast, përfiton prej tyre. Sipas gjasave, ajo është junta ushtarake në fuqi, sepse nga kjo “divide et impera” (përçaj e sundo) arrin të justifikojë qëndrimin e saj në pushtet. Duke vënë ballë për ballë bashkësinë e krishterë dhe integralistët myslimanë i le vetes rolin e arbitrit, pra, justifikon faktin, që akoma vazhdon të jetë në pushtet.
A ka rrezik për ndeshje ndërfetare?
Ndeshjet e pardjeshme në Kajro nuk vunë ballë për ballë të krishterët dhe myslimanët, sepse edhe në mesin e të krishterëve kishte myslimanë të moderuar, që ndjehen të shtypur nga lindja e këtij islamizmi më radikal, më integralist, i cili po përpiqet të afirmohet, pjesërisht, edhe me bashkëpunimin e qeverisë egjiptiane. Nëse qeveria do t’u lerë dorë të lirë këtyre fraksioneve ekstremiste, ato mund të përpiqen të mbizotërojnë mbi pjesën tjetër të shoqërisë. I përket qeverisë të zgjidhë problemet.
Mbrëmë, mëse 20 mijë vetë morën pjesë në funeralin e disa prej viktimave të krishtera të dhunës së ushtrisë mbi manifestuesit paqesorë ortodoksë, që protestonin kundër shkatërrimit të një kishe kopte në vend, e fundit e një serie mjaft të gjatë. Por dhuna është shprehje e ndarjeve dhe e urrejtjes së pranishme në shoqëri, siç nënvizon misionari kombonian, atë Luçiano Verdosha, prej 20 vjetësh në Kajro:
Urrejtja ka qenë gjithnjë e pranishme, megjithëse në të kaluarën fshihej disi: zyrtarisht thuhej se gjithçka shkonte mirë e se marrëdhëniet ishin të shkëlqyera. Ndoshta, në nivelin politik kishte marrëdhënie të mira ndërmjet Kishës dhe qeverisë, por përçarja ekziston ndërmjet njerëzve, të cilët, duke mos pasur arsimin e nevojshëm e duke qenë të varfër, identiteti i vetëm që u mbetet është ai fetar. Nëse ky identitet instrumentalizohet nga ideologjitë e Lindjes së Mesme, është e qartë se pasojat janë shkatërruese.







All the contents on this site are copyrighted ©.