2011-10-11 17:58:53

Festa e Zojës Rruzare në Bishtazhin të Gjakovës


Kurorë kremtimesh kushtuar Virgjrës Mari, Nënës Hyjnore, Zojës Rruzare në bashkësinë Kishtare të Bishtazhit të Gjakovës në Kosovë, ku edhe si vjet Mesha e Shenjtë e festës së Zojës Rruzare më datën 7 tetor u kremtua solemnisht e me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të besimtarëve nga të gjitha viset e Vendit.
Sivjet Meshën solemne e kryesoi dom Agim Qerkini, misionar në Lucern të Zvicrës në bashkë kremtim me don Marjan Demaj, famullitari i bashkësisë kishtare të Bishtazhinit e me shumë meshtarë e rregulltarë tjerë.
Festa e Zojës Rruzare në bashkësinë Kishtare të Bishtazhinit është një kremtim shpirtëror vërtet i fortë e prekës, me një pjesëmarrje të madhe e të thellë shpirtërore të besimtarëve dhe një takim vëllazëror mes bijve të kësaj Kishe famullitare e të besimtarëve të trevave kosovare. Festa është paraprijë me treditëshin shpirtëror të udhëhequr nga françeskani prej Malit të Zi, Atë Prelë Gjurashaj. Edhe sivjet pra rreth elterit të Zojës rruzare u mblodhën me mijëra e mijëra besimtarë nga të katër anët e Kosovës.
Të kujtojmë se lutja Mariane e Rruzares Shenjte të çon drejtpërdrejtë në takim me Jezu Krishtin. Shqiptimi i uratës së Rruzares Shenjte është lutje bisedë me Zojën e Bekuar mbi të Birin e saj e shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin. E ndërsa bisedojmë me Nënën e Krishtit, e ndjejmë nevojën të lidhemi e të bashkohemi me vetë Jezusin. Ata që i luten Marisë, e ndjejnë menjëherë se sytë e tyre nuk mund të ndalohen vetëm në fytyrën e Nënës, sepse Nëna lidhet ngushtë me të Birin, Jezu Krishtin e kështu duke e lutur Rruzaren, ne vihemi në kontakt me Zojën e Bekuar e me Shëlbuesin e botës, Jezu Krishtin.
Më tepër mbi kremtimin e sotëm të festës së Zojës Rruzare në fshatin Bishtazhin, ta dëgjojmë shërbimin e Rabie Ibrajt nga Prishtina.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.