2011-10-10 10:44:22

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


E diel 9 tetor, Kisha katolike kremton të dielën e 28-të gjatë vitit kishtar. E po sot më 9 tetor kalendari liturgjik na propozon shembullin e shën Dionisit, ipeshkëv e të shokëve të tij martirë; të shën Gjon Leonardit, meshtar, themelues i Klerikëve Rregulltarë të Nënës së Zotit dhe të shën Abrahamit, patriark.

Të hënën më 10 tetor, kalendari shënon përkujtimin e shën Paolinit, ipeshkëv i Jorkut, e shën Danielit e Samuelit dhe shokëve të tyre, martirët e parë françeskanë.
Liturgjia na fton të reflektojmë për mbretërinë e Zotit, që është e e fshehur në histori: vetëm feja dhe shpresa e krishterë u krijojnë besimtarëve mundësinë ta dallojnë e t’i shërbejnë, me bindjen se forca e fshehur e Shpirtit Shenjt do ta bëjë këtë mbretëri të dukshme në kohë e do ta shndërrojë mbarë botën.

Të martën më 11 tetor, kalendari Kishtar na propozon shembullin e shën Filipit diakon, të shën Aleksandër Saulit, ipeshkëv i Pavisë dhe të Lumit Gjonit XXIII, papë.
Liturgjia e kësaj dite na kujtojnë se Jezusi duke na dhuruar uratën e ‘Atynës”, deshi të na mësonte sjelljen e bijve që lidhen ngushtë me Atin Hyjnor, me të cilin të bashkojmë vullnetin, ndjenjat, jetën; nga i cili kërkojmë të na japë bukën e përditshme, të na i falë mëkatet, të na japë jetë, të na çlirojë nga i keqi.

Të mërkurën e ardhshme më 12 tetor, bie festa liturgjike e Zojës së Bekuar, Nënës së Kishës, që na kujton se po të besojmë në lidhjen e Atit me të bijtë, në bazë të uratës së ‘Atynës’, rruga që na çon në takimin me Zotin do të jetë gjithnjë e lirë: do të na jepet ajo që kërkojmë, do të gjejmë atë që lypëm, do të na hapet porta ku kemi trokitur. Po a e kemi besimin e duhur për ta arritur këtë?

Të enjten që vjen më 13 tetor, kalendari do të përkujtojë shën Teofilin, ipeshkëv i Antiokisë. Përkujtimi i tij liturgjik na tregon se Jezusi erdhi në botë për ta çliruar njeriun nga shejtani. Fitorja e tij është e sigurt, sepse ai është më i fortë. E si mund të mos mbajmë anën e tij? Kush e gënjen veten se mund të luftojë i vetëm, jo vetëm që do të bjerë në kthetrat e së keqes, por nuk do të mund të çlirohet më prej saj.

Të premten më 14 tetor, do të përkujtohet festa e shën Kalistit I, papë e martir, që na fton t’i këndojmë Zotit, sepse ai është Hyji ynë, të cilit duhet t’ia dëgjojmë fjalën e të jetojmë sipas vullnetit të Tij.

Të shtunën më 15 tetor, kalendari Kishtar përkujton
shën Terezën e Jezusit, virgjër, doktoreshë e Kishës, karmelitane e zbathur.
Liturgjia e ditës na kujtojnë se lutja e vazhdueshme dhe bamirësia, janë dy cilësitë që e dallojnë të krishterin, i cili sillet kështu sepse përpiqet t’i ngjasë Zotit. Duke jetuar me lutje e dashuri, ecim të sigurt në rrugët që çojnë drejt qiellit

Të dielën e ardhshme më 16 tetor, Kisha do të kremtojë të dielën e 29-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 16 tetor sipas kalendarit Kishtar bie përkujtimi i shën Edvigës, dukeshë e Polonisë, rregulltare, të shën Margeritës Alakok, virgjër e Vizitacionit dhe të shën Gjerardo Maielës, vëlla laik redentorist.
Festa e tyre na kujton se feja na ndihmon ta njohim e ta lexojmë jetën në këndvështrimin e Hyjit, duke u mbështetur plotësisht në Të e duke e bekuar në amshim emrin e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.