2011-10-10 10:44:10

Presidenti i “Cor Unum”: bashkësia ndërkombëtare të dyfishojë përpjekjet kundër urisë në Bririn e Afrikës


Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, Papa Benedikti XVI e ngriti zërin në thirrje për të ndihmuar popullsitë e Bririt të Afrikës, 13 milion vetë, që vuajnë nga zia e bukës. Të premten, u mblodh për këtë qëllim, Këshilli Papnor “Cor Unum”, i cili koordinon ndërhyrjen e Vatikanit në rajonet në nevojë. Kryetari i Këshillit, kardinali Robert Sarah dënoncoi egoizmin e interesat, që nuk lihen mënjanë, as kur duhen shpëtuar njerëzit nga vdekja:
“Duhet të frymëzohemi e të vëmë në jetë një politikë, që ka vërtet për zemër të mirën e përbashkët. Vetëm kërkimi i së mirës së përbashkët bën që të mos ekzistojnë fitimtarë e të mundur, gjakësorë e viktima, shfrytëzues e të uritur”.
Presidenti i “Cor Unum” nënvizoi se pas emergjencës duhet të investohet për edukimin, sepse vetëm aty ku ka shkolla, ekziston e ardhmja:
“Që tani po bëj këtë thirrje: një shkollë për çdo fshat! E them si afrikan: t’i bashkojmë përpjekjet për ta ndihmuar Bririn e Afrikës t’u japë edukim, arsim e kulturë bijve të vet!”.
Në konferencën e së premtes, u lexua mesazhi i kryeipeshkvit të Kanterburit, i cili nënvizon rëndësinë e impenjimit të përbashkët të katolikëve dhe të anglikanëve në Bririn e Afrikës. Në mbledhjen e “Cor Unum” mori pjesë edhe një përfaqësues i tij. Veçanërisht prekëse, qe dëshmia e administratorit apostolik të Mogadishos, imzot Xhorxho Bertin:
“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të impenjohet më shumë për të gjetur zgjidhjen e problemit të Somalisë, sepse imazhet më dramatike vijnë nga Somalia, jo vetëm për shkak të thatësirës, por edhe sepse mungojnë autoritetet, mungon shteti”.
Përfaqësuesit e organizatave bamirëse katolike sqaruan se janë të nevojshme fonde urgjente për të përballuar së paku problemin e mungesës së ujit, themelor për mbijetesën e personave dhe të bujqësisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.