2011-10-10 16:24:06

Papa në Çertozën e Serra Shën Brunos: Në atë, që duket si “zbraztësi” e heshtjes, zbulohet prania e Zotit!


Etapa e përfundimtare e shtegtimit të Benediktit XVI në Kalabri, ishte kremtimi i Lutjeve mbrëmësore në Çertozën e Serra Shën Brunos. Këtu Papa kujtoi karizmën e Çertozës: “Duke jetuar në heshtje dhe në vetmi, në atë që duket si “zbraztësi”, njeriu zbulon “Përsosurinë”, praninë e plotë të Zotit. Është fjala për atë heshtje – shpjegoi Papa – të cilën shoqëria e sotme, plot zhurmë, e pushtuar fuqimisht nga mjetet e komunikimit, shpesh herë nuk arrin ta kuptojë; madje e shikon me frikë, sepse i duket krejt e zbrazët. Sot – nënvizoi Ati i Shenjtë – ndodhemi përballë një lloj ‘gjymtimi’, që i bën shumë njerëz të paaftë për të heshtur gjatë e për të jetuar në vetmi.

Përfundoi, pra, me Mbrëmësoren e lutjes, vizita e Benediktit XVI në Kalabri. Për ta pritur, në manastirin mijëvjeçar, themeluar nga Shën Bruno, kishin dalë vetmitarët e përvuajtur çertozinë, të cilët Papa i përshëndeti përzemërsisht, duke u kujtuar lidhjen e fuqishme ndërmjet Pjetrit e Brunos:
“Vij mes jush sot, me dëshirën që ky takim të vërë në dukje lidhjen e thellë ndërmjet Pjetrit e Brunos, që nga shërbimi baritor, tek uniteti i Kishës e thirrja kundruese në Kishë. Nuk duhet harruar kurrë se bashkimi kishtar ka nevojë për një forcë shpirtërore, për atë forcë... që Ati Epror e kujtoi, duke cituar shprehjen “captus ab Uno”, të Shën Brunos: “të pushtuar nga Një i vetëm, nga Zoti.... Shërbimi i barinjve thith nga bashkësitë kundruese një limfë shpirtërore, që vjen nga vetë Hyji”.
Duke vijuar bisedën me 16 murgjërit, që jetojnë në bashkësinë e çertozës, Papa vuri në dukje se rruga e jetesës në bashkim të plotë me Zotin, të ndihmon të gjesh thesarin e fshehur, margaritarin më të çmuar:
Të dashur vëllezër, ju e gjetët thesarin e fshehur, margaritarin më të çmuar (cfr Mt 13,44-46); iu përgjigjët plotësisht ftesës së Jezusit: ‘Në se do të jesh i përsosur, shko, shit gjithçka ke, faljau skamnorëve, pastaj eja e më ndiq!’ (Mt 19,21). Çdo manastir - mashkullor apo femëror – është oazë, në të cilën, me lutje e meditim, hapet papushim pusi i thellë, nga i cili nxirret uj i gjallë, për të shuar etjen e shpirtit tonë”.
Por, nuk mund të ketë lutje, pa heshtje, përmasë kjo që i frikëson posaçërisht të rinjtë e një shoqërie të papërmbajtur, si kjo e sotmja. Prandaj edhe mundohen t’i shmangen. Por vetëm duke u tërhequr në heshtje e në vetmi – vijoi të shpjegonte Papa - njeriu gjen atë, që duket si zbraztësi, në sa, në të vërtetë, është përsosuri: praninë e Zotit. Është rrugë e gjatë, që kërkon shumë kohë e që duket e pamundur para syve të botës:
Murgu, duke braktisur gjithçka, mund të themi se ‘rrezikon’ gjithçka: mbyllet në vetmi e në heshtje, për të jetuar vetëm me atë, që është themelore; e pikërisht duke jetuar themeloren, arrin në bashkim të thellë me vëllezërit dhe me çdo njeri. Ndokush mund të mendojë se mjafton të shkelësh këtu, për ta bërë këtë ‘hop’ cilësor në jetë. Por nuk është kështu. Kjo thirrje, ashtu si çdo thirrje tjetër, e gjen përgjigjen e vet në një udhë, që duhet përshkuar gjatë gjithë jetës”.
Dhe është pikërisht kjo jetë, ose më mirë të themi, janë këto jetë që, duke mbetur në bashkim të pathyeshëm me Krishtin, bëhen pjesë e pandarë e misterit të shëlbimit:“Kryqi i Krishtit është pika më e patundur, në mes të luhatjeve e trazirave të botës. E jeta në një çertozë, është pjesë e qëndrueshmërisë së Kryqit, qëndrueshmërisë së vetë Zotit, dashurisë së tij të besnike. Duke jetuar të lidhur plotësisht me Krishtin, si shermendët me Hardhinë, edhe ju, vëllezër çertozinë, merrni pjesë në misterin e tij të shëlbimit, ashtu si Virgjëra Mari pranë Kryqit të Shtunën e Madhe, bashkuar me Birin në të njëjtin flijim dashurie”.







All the contents on this site are copyrighted ©.