2011-10-10 13:24:57

Papa: klima që thithet në shoqëri nuk është e shëndetshme, pse është e ndotur nga mentaliteti dominues i interesave ekonomike.


“Klima që thithet në shoqëritë tona nuk është e shëndetshme: është ndotur nga një mentalitet që nuk është i krishterë e as njerëzore, sepse është dominuar nga interesat ekonomike, që shqetësohen vetëm për gjërat tokësore e në të mungon përmasa shpirtërore”. Këtë nënvizoi Benedikti XVI, duke folur para popullsisë në Kalabri mbledhur para hyrjes së Manastirit (Çertozës) të Serra San Bruno, të cilën e vizitoi dje. “Në këtë atmosferë –vëren Papa – jo vetëm që mënjanohet Zoti por edhe i afërmit e nuk punohet për të mirën e përbashkët”.
Ati i Shenjtë Ratcinger vëren, në atë drejtim, se “manastiret kanë një funksion tejet të çmueshmen në botë, do të thosha të domosdoshëm. Nëse në Mesjetë kuvendet apo manastiret kanë qenë qendra të bonifikimit të tokave kënetore, sot shërbejnë për të spastruar ambientin në një tjetër kuptim e drejtim”. Benedikti XVI propozon manastiret e murgjve si “shembull të një shoqërie që e vë në qendër Zotin dhe marrëdhëniet vëllazërore njëri me tjetrin. Kemi kaq shumë nevojë edhe në kohën tonë” për një model të tillë, kujton Papa Jozef Ratcinger. “Prania e bashkësive murgare, si kjo e Shën Brunos në Serra të Kalabrisë, me historinë e vet të gjatë, përbënë një thirrje e referim të vazhdueshëm ndaj Zotit, një hapje e orientim ndaj Qiellit dhe një thirrje që na kujton se jemi vëllezër në Krishtin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.