2011-10-10 13:59:19

Mesha e Papës në Lamecia Terme: feja dhe dashuria fitojnë mbi papunësinë dhe kriminalitetin


50 mijë besimtarë morën pjesë dje, në Meshën e kremtuar nga Papa Benedikti XVI në Lamecia Terme, në udhëtimin e tij të parë baritor në Kalabri të Italisë. Të pranishëm edhe 1300 invalidë, të shoqëruar nga vullnetarët e organizatës UNITALSI. Një kremtim i pasur me simbole: Kryqi i Krishtit ishte ngritur ne elter, por pa të Kryqëzuarin, sepse Ai, që u gozhdua në të, është i gjallë; pastaj, pema në qendër të ambonit, simbol i çdo besimtari, që kërkon lumninë e jetës.

Nuk ka të ardhme pa bamirësi e dashuri, u tha Ati i Shenjtë besimtarëve, të mbledhur nga të gjitha anët e Kalabrisë, në sheshin, që tani e tutje do të quhet me emrin e Benediktit XVI. Duke komentuar shembëlltyrën e Ungjillit të djeshëm, atë të banketit të dasmës, ku mbreti fton shumë vetë, Papa theksoi se litugjia përvijon diçka nga festa e Zotit me njerëzimin:
“Ajo e banketit, është një figurë e përdorur shpesh në Shkrimin e Shenjtë për të treguar gëzimin, në bashkim me Zotin e në begatinë e dhuratave të Tij”.
Megjithatë, nënvizoi Papa, shumë nuk e pranuan ftesën, pasi kishin punë personale e mbreti i fton të gjithë, ashtu siç bën me ne edhe Ati i Qiellor, për hir të dashurisë pa kufi për secilin, e cila vendos vetëm një kusht:
“Mirësia e mbretit nuk ka kufi e të gjithëve u jepet mundësia t’i përgjigjen thirrjes së tij. Por ekziston një kusht për të marrë pjesë në këtë banket dasme: duhet veshur rroba e dasmorit. Duke hyrë në sallë, mbreti sheh dikë, që nuk ka dashur ta veshë e, për këtë arsye, e përjashton nga festa”.
Por ç’është veshja e dasmorit? Papa shpjegoi:
“Në Meshën e Darkës së Mbrame të këtij viti, iu referova një komenti të bukur të shën Gregorit të Madh për këtë shembëlltyrë. Ai shpjegon se personi, që u përjashtua nga festa, i është përgjigjur ftesës së Zotit për të marrë pjesë në banket. Në një farë mënyrë, feja e tij ia ka hapur portën e sallës, por i mungon diçka thelbësore: veshja e dasmorit, që është bamirësia, dashuria”.
Benedikti XVI i ftoi besimtarët ta ruajnë këtë veshje, u tha banorëve të Kalabrisë ta ndihmojnë njëri-tjetrin, duke respektuar pasurinë e përbashkët, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në atë rajon me shumë vështirësi:
“Një tokë, ku papunësia është shqetësuese, ku kriminaliteti, shpesh mizor, përgjak indin shoqëror; një tokë, në të cilën e ndjen vazhdimisht emergjencën. Ju kalabrezët keni ditur t’i përgjigjeni emergjencës me gatishmëri e disponibilitet të habitshëm, me aftësi të jashtëzakonshme përshtatjeje ndaj vështirësive”.
Papa i nxiti kalabrezët të shohin me guxim të ardhmen, duke u mbështetur në fenë e fuqishme, që i karakterizon si popull:
“Mos e lëshoni kurrë veten para tundimit të pesimizmit e të mbylljes në vetvete. Mbështetuni në fenë e në aftësitë tuaja njerëzore; përpiquni të bashkëpunoni më shumë, të kujdeseni më tepër për të tjerët e për të mirën e përbashkët; ruajeni veshjen dasmore të dashurisë; vazhdoni të dëshmoni vlerat njerëzore e të krishtera, të rrënjosura kaq thellë në fenë e në historinë e këtij territori e të popullsisë së tij”.
Duke iu referuar më pas Kishës lokale, Benedikti XVI e falenderoi Zotin për veprimtaritë e saj të shumta, për përhapjen e praktikës së “Lectio divina” dhe të shkollës së Doktrinës Shoqërore të Kishës:
“Uroj me gjithë zemër, që nga nisma të tilla të lindë një brez i ri burrash e grash, të aftë të promovojnë jo interesat e veçanta, por të mirën e përbashkët. Dëshiroj edhe të inkurajoj e të bekoj përpjekjet e sa e sa meshtarëve e laikëve, që impenjohen në formimin e çifteve të krishtera për martesën e familjen, me qëllim që t’u jepet një përgjigje ungjillore dhe kompetente, sfidave të shumta bashkohore në fushën e familjes dhe të jetës”.
Në fund, Papa iu drejtua meshtarëve, të cilët i lavdëroi për zellin dhe përkushtimin, por i ftoi edhe të shkëputen me vendosmëri nga mendësia konsumiste e botës, të jetojnë në bashkim me ipeshkvin e me priftërinjtë e tjerë, të vlerësojnë grupet e lëvizjet e krishtera brenda famullive. Pastaj, u foli laikëve:
“Juve, besimtarë laikë, të rinj e familje, ju them: mos kini frikë ta jetoni e ta dëshmoni fenë në fusha të ndryshme të shoqërisë, në situatat e panumërta të jetës njerëzore! Keni arsye të tregoheni të fortë, plot besim e guxim, falë dritës së fesë dhe forcës së bamirësisë e të dashurisë. E kur të ndesheni me kundërshtimin e botës, bëjini tuajat fjalët e Apostullit: ‘Gjithçka mundem në Atë, që më jep forcë’”.








All the contents on this site are copyrighted ©.