2011-10-10 16:35:02

Masakër ortodoksësh në Kajro. Dhimbja e kardinalit Sandri


Sapo mori vesh lajmin për masakrën e kopto-ortodoksëve në Kajro, prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri u mblodh në lutje me të gjithë anëtarët e dikasterit. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:

U lutëm për viktimat e këtyre ndeshjeve, për vëllezërit tanë koptë ortodoksë, që deshën të manifestojnë për lirinë fetare, por gjetën vdekjen. Bashkohemi me Kishën kopto-ortodokse, me të gjithë vëllezërit tanë, me familjet e tyre dhe me viktimat e kësaj dhune pa kuptim. U lutëm edhe për kopto-katolikët, sepse duam të mos keqësohet gjendja edhe për këtë bashkësi, vërtet e vogël, por e impenjuar për paqen dhe marrëveshjen ndërmjet të gjitha rrymave të shoqërisë egjiptiane. Së treti, u lutëm edhe që kjo e ashtuquajtura “Pranverë arabe” të jetë vërtet premisë për paqen, për demokracinë, për dialogun, për respektimin e dinjitetit të njeriut e sidomos, për respektimin e lirisë fetare e të pakicave. Të shpresojmë që kjo lëvizje, e cila filloi në janar të këtij viti, të mos sjellë dhunë, ndarje, vrasje e persekutime, por marrëveshje, dialog, pjesëmarrje të të gjitha përmasave të shoqërisë, e në veçanti të të krishterëve, në punën për rindërtimin e Egjiptit të ri.







All the contents on this site are copyrighted ©.