2011-10-10 16:37:57

Kosovë: Oda e Avokatëve dënon sulmin ndaj avokatit Anton Nokaj


Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), reagon ndaj sulmit vandal kundër anëtarit të saj avokatit, Anton Nokaj, të enjten e kaluar në Prishtinë. OAK me këtë rast kërkon nga organet e rendit, që sa më parë ta zbardhin rastin dhe aktorët e këtij akti të shëmtuar të dalin para drejtësisë.
OAK rikujton detyrimet e qeverisë dhe organeve përkatëse të saj për të garantuar pavarësinë dhe lirinë e ushtrimit të profesionit të avokatit në tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke evituar çdo pengesë apo kërcenim që del në këtë rast.
"Konsiderojmë se çdo akt i drejtuar kundër avokatit derisa ai e ushtron profesionin e vet, është njëkohësisht edhe kundër avokatisë dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë, e cila po bën përpjekje të vazhdueshme për krijimin e rendit dhe vënien e sundimit të ligjit", theksohet në komunikatën e OAK, duke i konsideruar "synime të përhershme angazhimet për ruajtjen e pavarësisë së profesionit të avokatit dhe pushtetit gjyqësor si themele të shoqërisë së lirë e demokratike".







All the contents on this site are copyrighted ©.