2011-10-10 10:43:07

Atë Federiko Lombardit: Familja e kombeve


E Briri i Afrikës është protagonisti edhe i editorialit të sotëm të zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit. Ai përqendrohet në impenjimin e Vatikanit në OKB, duke shpjeguar se arsyeja e ngjitjes së përfaqësuesit të Papës në tribunën e kombeve bëhet për t’u kujtuar atyre vlerat njerëzore e përgjegjësinë e përbashkët për krejt njerëzimin, për t’u thënë se asnjë vend nuk mund të jetojë në paqe e në begati, nëse këto të dyja nuk mbretërojnë edhe në shtetet e tjera:

“Nganjëherë na pyesin pse një autoritet fetar si Selia e Shenjtë merr pjesë në mbledhje botërore si Asambleja e Kombeve të Bashkuara, shpesh, teatër ndeshjesh të ashpra politike. Statusi i Selisë së Shenjtë është ai i vëzhguesit, prandaj nuk merr pjesë në votime, por për ta kuptuar “pse”-në, mjafton të lexojmë fjalimin e Shkëlqesisë së Tij, imzot Mambertì, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, në sesionin aktual.
Është e lehtë të dallohet vazhdimësia me ndërhyrjet e fundit të Papëve në Nju Jork. Gjon Pali II pati theksuar me forcë se Kombet e Bashkuara duhet të jenë vendi ku kombet e shohin veten si anëtarë të një “familjeje”, e cila jeton me solidaritet të ndërsjelltë dhe me shqetësim për të mirën e përbashkët të krejt njerëzimit. Në dritën e këtij këndvështrimi, Benedikti XVI pati zhvilluar konceptin e “përgjegjësisë së mbrojtjes”, si shprehje konkrete e kujdesit për më të vobektit.
Imzot Mambertì niset që këndej, duke e kërkuar këtë përgjegjësi për krizat humanitare të sotme – si ajo e Bririt të Afrikës – e për mbrojtjen e paqes, të sigurisë e të të drejtave të njeriut. Ngul këmbë pastaj për lirinë fetare, sot, tepër shpesh e dhunuar haptas, ose e kufizuar me metoda të holla, duke e mënjanuar fenë nga jeta e shoqërisë. I kthehet pastaj sërish marrëdhënieve ndërmjet etikës dhe ekonomisë, në bazë të krizës globale aktuale. Flet për zhvillimin e qëndrueshëm, të cilit OKB-ja do t’i kushtojë së shpejti një konferencë ndërkombëtare, duke kujtuar pikërisht që vetëdija se jemi “familje kombesh” udhëheq e mbështet përgjegjësinë për mbrotjen e ambientit, apo luftën kundër tregtisë së armëve.
“Familja është një bashkësi e themeluar mbi ndërvarjen, mbi besimin e ndërsjelltë, mbi ndihmën për njëri-tjetrin dhe mbi respektin e sinqertë”, përfundon Mambertì. Ta kujtojë, në interesin e çdo njeriu, që të bëhet realitet i gjallë në botë. Sidomos për këtë, Selia e Shenjtë është në Nju Jork”.







All the contents on this site are copyrighted ©.