2011-10-07 19:10:29

Të dielën, Papa në Lamezia Terme, do t’u flasë zemrës së kalabrezëve


Të dielën, Papa Benedikti XVI do të shkojë në Lamezia Terme e në Serra San Bruno të Kalabrisë. Me këtë rast, ipeshkvi i Kampobasit, njëkohësisht kryetar i Komisionit Ipeshkvnor Italian për problemet shoqërore, punën, drejtësinë e paqen, imzot Xhankarlo Maria Bregantini i shkruan një populli që e njeh mirë, pasi për shumë vjet ka udhëhequr dioqezën Lokri-Gjeraçe, duke i uruar që të dielën ta ndjejë dorën e Zotit, e cila e udhëheq në rrugët e mrekullive të krijuara prej Tij në tokën e Kalabrisë, tokë e diellit. Shpresoj, vazhdon imzot Bregantini, që kjo vizitë solemne t’ju gjallërojë shpresën. Në figurën e Papës, do të gjeni ëmbëlsinë atërore, që u flet zemrave.
Qofshi bij të paqes, vlerësojeni njëri-tjetrin, duke punuar me dinjitet e për dinjitetin tuaj. Luftoni për të qenë të bashkuar e gjithnjë të lidhur me Zotin Atë. Mos u ndjeni kurrë të vetëm e të dëshpëruar, sidomos kur e keqja ju kalon pranë për t’ju frikësuar. Mos e lini t’ju rrëmbejë as buzëqeshjen, as zemrën. Ju jeni njerëz të zemrës, shkruan ipeshkvi në letrën për kalabrezët. Kjo është bukuria dhe forca juaj. Shtrëngohuni rreth Papës, këshillon imzot Bregantini, për t’u orientuar drejt së mirës e bashkëpunimit, që Kalabria të jetë për të gjithë, djepi i dritës dhe i ngjyrave të përshkënditura nga Krishti i gjallë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.