Shtegtimi i dioqezës së Romës për të Lumin Gjon Palin II.
Më 22 tetorin e ardhshëm, për herë të parë do të kremtohet përkujtimi liturgjik i
të Lumit Karol Wojtila e për këtë rast do të mbahet një shtegtim në qendër të Romës,
organizuar nga shërbimi baritor rinor dhe zyra për thirrje të shenjta e Vikariatit
të dioqezës së Romës. Më 22 tetor në ora 15 në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan kardinali
Angelo Comastri do të prezantojë shtegtimit që do të përshkojë udhët e qendrës historike
të Romës për të përfunduar në katedralen e Shën Gjonit në Lateran, ku kardinali vikar
i dioqezës romake Agostino Vallini do të kryesojë Meshën Shenjte. “Roma në udhëtim
me Gjon Palin II”. Në një letër drejtuar besimtarëve romakë, kardinali Vallini kujton
“përzemërsinë dhe dashurinë e madhe” që i Lumi Karol Wojtila “kishte për të rinjtë
të cilët mase një herë i thirri dhe inkurajoi të ecnin gjurmëve të Krishtit e të jetonin
deri në fund pa mëdyshje fenë e krishterë”. Duke shpallur të Lum, shkruan akoma kardinali
Vallini, Benedikti XVI e paraqiti Karol Wojtilën “si shembull të jetës së krishterë
dhe asaj meshtarake”, posaçërisht për Kishën e Romës “të cilën aq shumë e deshi dhe
i shërbeu si ipeshkëv”. Kardinali Vallini i fton të gjithë besimtarët romakë e posaçërisht
të rinjtë “të marrin pjesë me një numër sa më të madh” në shtegtimin e 22 tetorit,
ditën kur Kisha për herë të parë do të kremtojë përkujtimin liturgjik të të Lumit
Gjon Palit II.