Festa e Zojës Rruzare është themeluar nga shën Piu V, Papë për të përkujtuar fitoren
e kombeve të krishtera në vitin 1571 në Lepanto kundër flotës turko-islame. Pra sot
shenjti dhe kujtesa historike e ditës bashkohen në një duke na kujtuar të kremten
e Zojës Rruzare dhe betejën e Lepantos. Siç përmendem më 7 tetor 1571 në Lepanto,
në ngushticën që ndan Gjirin e Patrasit dhe Korintit, koalicioni i formuar nga Venediku,
Spanja dhe Shteti papnor arriti një fitore të paparë deri në atë kohë kundër flotës
turke, të përbërë nga 274 anije e të komanduar nga Ali Pasha. Anijet turke u mbytën
të gjitha, ndërsa komandanti mbeti i vrarë gjatë betejës. Ishte një ngjarje që pati
jehonë të jashtëzakonshme në gjithë botën e krishterë, gjë që e shtyu Papën Piu V
të caktonte një festë falënderimi e përkujtimi, e cila u quajt "Shën Maria e Fitores". Urata
e Rruzares Shenjte lindi në vitin 1200 me Shën Domenikun Guzman. Duke qenë shumë i
devotshëm ndaj Nënës së Hyjit, themeluesi i Urdhrit të Predikatarëve (Domenikanëve),
për t’i ndihmuar të varfrit ta jetojnë fenë në Krishtin, shën Domeniku mësoi të meditoheshin
misteret e Mishërimit të Krishtit duke recituar lutjen e të Falemi Marisë. Rruzarja
është pra një uratë për gjithë, e thjeshtë por dhe e thellë. “Rruzarja është lutje
kundruese së cilës të gjithë mund t’i afrohen: të mëdhenj e të vegjël, laikë e meshtarë,
të ditur e më pak të ditur. Rruzarja është lidhje shpirtërore me Marinë për të mbetur
të bashkuar me Jezusin, për t’u mishëruar me Të, për t’i përvetësuar ndjenjat e për
t’u sjell si Ai që është sjell. Rruzarja është ‘arma’ shpirtërore në betejën kundër
së keqes, kundër dhunës, për paqen në zemra, në familje, në shoqëri e në botë”
(nga homelia e Benediktit XVI në Meshën në Pompei, 19 tetor 2008) Kjo festë më
1716 u shtri në mbarë Kishën universale dhe u caktua përfundimisht më datën 7 tetor
nga Shën Piu X, në vitin 1913. Festa e Zojës Rruzare, siç u quajt më pas - do të përmblidhte
të gjitha festat e Zojës dhe misteret e Krishtit, që pati gjithnjë pranë Nënën e tij
të Virgjër. Nga Shenjtëroret e shumta që popujt i kanë lartuar në të katër anët
e botës, Zoja Rruzare u drejton të gjithë besimtarëve ftesën ta njohin nga afër dhe
ta kumtojnë Krishtin, në një shoqëri që po largohet nga vlerat e vërteta shpirtërore
të krishtera. Rruzarja, pra, është urata më e përzemërt e besimtarëve. Një uratë
e mrekullueshme! E mrekullueshme në thjeshtësinë dhe në thellësinë e saj doktrinore
e shpirtërore . Gjatë kësaj lutjeje, ne përsërisim shumë herë ato fjalë që Virgjëra
Mari dëgjoi nga Kryengjëlli Gabriel e nga kushërira e saj Elizabeta. Me këto fjalë
bashkohet e gjithë Kisha. Mund të thuhet se Rruzarja është në një farë mënyre një
lutje dhe koment i kapitullit të fundit të Kushtetutës së Koncilit të II të Vatikanit
‘Lumen Gentium’ – ‘Drita e Popujve’, kapitull që flet për praninë e mrekullueshme
të Nënës së Zotit në Misterin e Krishtit dhe të Kishës. E në fakt, pas fjalëve "Të
Falemi Mari" përshkojmë ngjarjet kryesore të jetës së Jezu Krishtit. Këto ngjarje
plotësohen së bashku tek misteret e gëzimit, të vuajtjes, të lavdisë e të dritës dh
na bashkojnë me Jezusin përmes - mund të themi- zemrës së Nënës së Tij. Në të
njëjtën kohë, zemra jonë njerëzore mund të përmbledhë në këto dhjetëshe të uratës
së Rruzares Shenjte të gjitha ngjarjet që përbëjnë jetën e individit, të familjes,
të kombit, të Kishës dhe të njerëzimit mbarë. Ngjarje personale të jetës sonë por
edhe të jetës të të afërmit e në mënyrë të veçantë të atyre që i kemi më afër, të
atyre që i kemi më për zemër. Kështu me Rruzaren Shenjte rreh edhe ritmi i jetës sonë.
(Maria I, 215-216.) Rruzarja Shenjte, pra, është një libër i mrekullueshëm që të
gjithë mund ta lexojnë. Libër që ka vetëm 20 faqe; 20 mistere të fesë së krishterë
shkruar nga autorë të pavdekshëm që janë Jezusi dhe Maria, të cilët tregojnë jetën
e tyre në atë mënyrë që të gjithë e secili prej nesh të mund ti ri-jetojë, e të mund
t'i imitojë në jetën e përditshme. Rruzarja është një gjetje e madhe e Marisë për
ta mbajtur njerëzimin afër vetes e të bashkuar në një familje të vetme në Krishtin
Zot e Shpëtimtar. Vet personalisht, Virgjëra Mari u denjua të na mësojë e porositë
këtë uratë të përshpirtshme të Rruzares ta lusim çdo ditë. Mos të harrojmë që mjeti
dhe udha më e mirë e më e sigurt që na mundëson takimin e bashkimin tonë me Zotit,
është pa dyshim, urata e Rruzares Shenjte.