Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës së 28-të 'A'
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj here do të
dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të
së dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik
të kishës. Pas shembullit e imazhit të vreshtit, që dëgjuam të dielën e kaluar,
ja se Jezusi tregon një tjetër shëmbëlltyrë për të na ndriçuar mbi mbretërinë e qiellit
në të cilën jemi të ftuar e të thirrur të marrin pjesë.Zoti, pra, na thërret
e na mbledh si bashkësi besimtarësh, rreth sofrës së tij. Neve na takon detyra e pranimit
të kësaj thirrjeje të veçantë e vendimtare e për të marrë pjesë të përgatitur e të
pajisur siç kërkon solemniteti i festës. Pra të gjithë jemi të ftuar në banketin martesor
të mbretërisë së qiellit...po e kemi petkun e përshtatur martesor? Në leximet biblike
të kësaj së diele dominon tema e banketit eskatologjik, kumtimi i lavdisë së Zotit,
në të cilin nxënësit janë ftuar të marrin pjesë. Është një mesazh gëzimi plot mirënjohjeje
ndaj Zotit: begatia e banketit mesianik, që jehon në psalmin 22 e plotësohet në vizionin
e botës së re pa vdekje as vajtim. Një mbret përgatiti festën e dasmës për djalin
e vet. “Gjithçka është gati, ejani në dasmë” (Mt 22,4). Është ftesa që Zoti i drejton
të gjithë njerëzve për të marrë pjesë në festën e dasmës së Birit të vet me njerëzimin.
Një festë që kremton bashkimin e dashurisë që është rivendosur në botë me Shëlbimin,
realizuar nga Jezu Krishti. Lumturia që Zoti i ka dhënë (falë) Izraelit e përhap e
shtrirë pastaj tek të gjithë popujt (Leximi I) është përfaqësuar (paraqitur) në imazhin
banketit madhështor përgatitur për pritjen e të ftuarve, miqve të Zotit, në Mbretërinë
e tij. Është shpresa që na ndihmon edhe ne t’i përballojmë vështirësitë e betejat
e jetës së sotme, të jetës së përditshme. Shën Pali Apostull (Leximi II), duke i shkruar
filipianëve, fillon duke thënë se jeta e vështirë dhe e rëndë e misionarit e ka mësuar
të jetë plotësisht e krejtësisht i gatshëm e përherë në disponim të vullnetit të Zotit
që e bënë të pasur apo të varfër, të nginjur (ngishëm) apo të uritur, në begati apo
në skamje. Por ai i falënderon, për ndihmën bujare që i kanë siguruar gjatë burgimit
të tij në Romë për shkak të Jezu Krishtit. Shëmbëlltyra ungjillore e kësaj së diele,
nxjerr në pah refuzimin rrënjësor, fyes e të dhunshëm ndaj ofertës së Zotit nga ana
e të ftuarve të parë, të cilën zëvendësohen menjëherë nga të ftuarit e tjerë të mbledhur
rrugës. Dy mësimeve për ne na vijnë nga kjo pjesë ungjillore: ti përgjigjemi ftesës
së Zotit e ti përgatisim kushtet për takimin tonë me Të. Me imazhin e petkut dasmor
Jezusi na përkujton të gjithëve, në të gjitha kohët, që nuk mjafton ta kesh pranuar
fenë: por lypet të jetojmë si bijë të Zotit, me zemër të re, në bindje e në dëgjesë
ndaj ligjit të dashurisë për Zotin dhe për vëllezërit tanë. Leximet biblike të
kësaj së diele kanë një atmosferë feste e lumturie. Izaia profet, në leximin e parë,
përshkruan një banket të pasur e solemn të organizuar nga një mbret; Mateu në
pjesën ungjillore flet për një banket martesor; psalmi përkujton një tryezë me qelqe
përplot me verë. E fjala e Zotit nuk ngurron të përdorë imazhe kaq njerëzore e materiale,
të lehta për t'u kuptuar, që ka për qëllim të vënë në pah misteret e thella të Mbretërisë
së Zotit. Njerëzit thonë se Zoti hesht, se është i largët e nuk mund të gjendet. Zoti
përkundrazi, në dëftimin e Tij, na siguron se flet, se thërret, se nxit e se nuk dëgjohet. Zoti
thotë se është Ati i njerëzimit, por njerëzit orvaten e tundohen të jetojnë e të veprojnë
pa Të. Njerëzit mund të rrinë pa Zot, por Zoti nuk mund të rrijë pa njerëz e për këtë
arsye i thërret të gjithë të marrin pjesë në sofrën e vet, edhe mëkatarët. Edhe këtë
të diele, mësimi i Ungjillit trajton refuzimin e shpëtimit nga njerëzit. Pasi ka refuzuar
Gjon Pagëzuesin dhe madje deri e vetë të Birin e Zotit, Izraeli refuzon edhe të gjitha
propozimet e hirit dhe ftesat për të marrë pjesë në dasma, që Zoti vazhdon t’i përgatisë
përmes apostujve. Në leximin e parë marrë nga Izaia profet, Zoti paraqitet si mbret
fitimtar e shpëtimtar i të varfërve e si ai që i fton të gjithë popujt në banketin
e Sionit. Në kuadrin e jetës fetare të Besëlidhjes së Vjetër, banketi është shenjë
e miqësisë dhe e lumturisë qiellore. Imazhet e banketit mesianik, të evokuara shpesh
nga profetët, përdoren edhe nga Jezusi e interpretohen si referim i qartë i lavdisë
së përjetshme e i festës eukaristike. Në banketin e shpëtimit janë të thirrur të gjithë
njerëzit. Por jo të gjithë e pranojnë, jo të gjithë i përgjigjen ftesës, jo të gjithë
vijnë me ndershmëri e dinjitet në gostinë në të cilën janë të ftuar. Me mësimin
e shëmbëlltyrës së Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi e demaskon hipokrizinë e krerëve
të popullit hebre, fajtorë për refuzimin e Krishtit e për këtë, përgjegjës të përjashtimit
të popullit të zgjedhur nga Mbretëria Hyjnore. Ata janë të ftuarit e parë në "banketin
martesor të dasmës" që ka përgatitur mbreti, që do të thotë Zoti, " për të Birin e
vet", Jezusin, Mesinë e premtuar. Dërgoi tek ata profetët për të lajmëruar se "gjithçka
është gati". E ata jo vetëm që u treguan indiferentë e armiqësorë, por madje arritën
deri atje sa t’i vrisnin "shërbëtorët e mbretit", profetët. Shëmbëlltyra ungjillore
pasqyron sjelljen negative të njerëzve ndaj mbretërisë, mendjemadhësinë e njerëzve
që mbështeten e besojnë vetëm në drejtësinë e fuqinë njerëzore. Ky fakt shkakton indinjatën
e drejtë të mbretit dhe më pas reagimin e dëbimin. Shëmbëlltyra e Ungjillit të
kësaj së diele, në njërën anë trajton temën e gjyqit të mbramë të Zotit dhe në anën
tjetër, temën e shpresës së thirrjes sonë, për të marrë pjesë në sofrën qiellore si
të ftuar e për t'iu përgjigjur me gatishmëri e guxim thirrjes së Zotit. Pra, duhet
të mësojmë të jemi të qëndrueshëm në thirrjen tonë e t'i përgjigjemi çdo ditë ftesës
së dashurisë së Zotit, për të jetuar në përkim me mësimin dhe vullnetin e Tij Hyjnor. Më
shumë mbi Liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu... Liturgjia e Fjalës Leximi i parë (Is 25, 6-10) Zoti do të bëj
një gosti e do të fshijë lotin nga çdo fytyrë.
Lexim prej Librit të Isaisë
profet
Zoti Hyji i Ushtrive do të bëjë përmbi këtë mal një gosti për të
gjithë popujt: me mish të majmë e me verë të moçme, me mish të majmë plotë me palcë,
me verë të kulluar, të qartë si loti. Në këtë mal Ai do ta shqyejë velin që ua mbulonte
fytyrën të gjithë popujve, mbuluesin që i mbulonte të gjithë popujt. Përgjithmonë
do ta zhdukë vdekjen, Zoti Hyj nga çdo fytyrë do të fshijë lotin, nga çdo vend Ai
do ta zhdukë turpin e popullit të vet, sepse Zoti kështu ka thënë. Dhe do të thuhet
po atë ditë: “Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi! Ky është Zoti,
në Të shpresuam: le të gëzojmë, të galdojmë për shpëtimin që na e solli, sepse dora
e Zotit mbi këtë mal pushon!” E për tokë do të shkelmohet në vend të vet Moabi, siç
shkelmohet kashta në gropë të plehut. Fjala e Zotit.
Psalmi 23
(22) Ref: Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon _____________________________ Nëpër
fusha të gjelbra Ai më jep pushim, më prin në ujëra të qeta, shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta në saje të dashurisë së Emrit të vet. _____________________________ Po
edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, s’trembem nga e keqja sepse
ti je me mua: thupra jote dhe kërraba për mua janë ngushëllim. _____________________________ Ti
ma shtron tryezën përpara Ndër sy të armiqve të mi, me vaj erëmirë kryet ma
lyen, gotën ma mbush plot e përplot. _____________________________ Hiri dhe
mirësia do të më përcjellin në të gjitha ditët e jetës sime, do të banoj në
shtëpinë e Zotit derisa të jem gjallë. _____________________________
Leximi
i dytë (Fil 12-14, 19-20) Gjithçka mundem me ndihmën e Atij që më jep fuqi!
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve.
Vëllezër,
di të jetoj në skam dhe di të jetoj në pasje. Jam mësuar gjithsesi dhe për gjithçka:
të ngihem e të jem i uritur, të kem mjaft e të kem pak! Gjithçka mundem me ndihmën
e Atij që më jep fuqi! Por, prapëseprapë, është bukur për ju që morët pjesë në nevojën
time. Dhe Hyji im do të plotësojë çdo nevojë tuajën me begatinë e vet, për mrekulli,
nëpër Jezu Krishtin. Hyjit, Atit tonë, i qoftë çdo lavdi në shekuj të shekujve. Amen. Fjala
e Zotit
Ungjilli (Mt 22, 1-14)
Këdo që të gjeni, thirreni
në dasmë! Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë,
Jezusi filloi prapë t’u flasë në shëmbëlltyra. Thoshte: “Mbretëria e qiellit është
e ngjashme me mbretin që bëri dasmë për djalin e vet. Mbreti dërgoi shërbëtorët e
vet për të grishur të ftuarit në dasmë. Por ata nuk deshën të vijnë. Dërgoi përsëri
shërbëtorë të tjerë duke thënë: ‘Thoni të ftuarve: gostinë e kam gati; i preva demat
e mi e bagëtitë e majme Gjithçka është gati! Ejani në dasmë!’ Por ata nuk ia vunë
veshin e shkuan: kush në arën e vet e kush në tregti të vet. Të tjerët, mandej, i
zunë shërbëtorët e tij, i munduan e i vranë. Për këtë punë mbreti u zemërua, dërgoi
ushtrinë e vet, i vrau ata gjakësorë dhe e dogji qytetin e tyre. Atëherë u tha
shërbëtorëve të vet: ‘Dasma njëmend është gati, por të ftuarit nuk qenë të denjë.
Shkoni, pra, në udhëkryqe e, këdo që të gjeni, thirreni në dasmë!’ Shërbëtorët
dolën nëpër udhë dhe i sollën të gjithë ata që gjetën: të mirë e të këqij. Kështu
salloni i dasmës u mbush me të ftuar. Atëherë hyri edhe mbreti për t’i parë të
ftuarit. Vuri re aty njërin që s’e kishte veshur petkun e dasmës. I tha: ‘Mik, si
hyre këtu pa pasur petkun e dasmës?’ Ai s’e çeli gojën. Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve:
‘Lidheni këmbësh e duarsh e qiteni jashtë në terr, ku do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh!’
Sepse, shumë janë të grishur, por pak janë të zgjedhur.”