2011-10-07 19:09:10

Benedikti XVI ipeshkvijve indonezianë: për të shpallur Ungjillin nevojitet dialog e guxim


Sot paradite, Papa Benedikti XVI priti në audiencë në Vatikan, ipeshkvijtë e Indonezisë në vizitë “ad Limina”. Ati i Shenjtë e inkurajoi Kishën lokale të ushqejë një atmosferë të vazhdueshme dialogu me myslimanët, që përbëjnë 90% të popullsisë, por edhe të kërkojë respekt për katolicizmin.
Në Indonezi banojnë rreth 230 milion vetë, me një dyzinë etnish e rreth njëqind idioma, të cilat nuk e bëjnë të lehtë bashkëjetesën. Është vendi me numrin më të madh të myslimanëve në botë e megjithëse Kushtetuta garanton lirinë e fesë, herë pas herë ka probleme ndërfetare. Për këtë arsye, Benedikti XVI nënvizoi se mjetet për t’iu përgjigjur situatave të vështira janë “falja, mëshira e dashuria për të vërtetën”, por edhe kërkesa për trajtim të barabartë:
“Liria për ta jetuar e për ta predikuar Ungjillin nuk është e dhënë një herë e përgjithmonë e duhet verifikuar gjithnjë me drejtësi e durim. Liria fetare nuk është as thjesht e drejta për të qenë të lirë nga lidhjet e jashtme. Është e drejta për të qenë vërtet e plotësisht katolikë, për ta shpallur fenë, për të ndërtuar Kishën e për të kontribuar për të mirën e përbashkët”.
Duke kujtuar se ungjillëzimi i Indonezisë është bërë para disa shekujsh, Papa vlerësoi përpjekjet e Kishës së vendit në fushën edukative e shoqërore. Impenjimi i saj ndihmon edhe në përhapjen e atyre vlerave, që indonezianët i duan dhe i bëjnë të vetat, si toleranca, bashkimi e drejtësia për të gjithë:
“Unë mundem vetëm t’ju inkurajoj në përpjekjet tuaja të vazhdueshme për të promovuar e mbështetur dialogun ndërfetar në kombin tuaj. Vendi juaj, kaq i pasur me kultura të ndryshme, me një popullsi kaq të madhe, është atdheu i ndjekësve të traditave të ndryshme fetare. Prandaj, populli indonezian është në gjendje të japë një kontribut të rëndësishëm për paqen e mirëkuptimin ndërmjet popujve të botës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.