2011-10-06 13:56:41

Çelësi i fjalëve të Kishës: gëzimi i krishterë!


”Gëzohuni gjithmonë në Zotin, rishtas po ju them: gëzohuni!”. Duke u shkruar filipianëve, shën Pali Apostull vë në dukje një nga karakteristikat kryesore të të krishterit, atë gjendje të shpirtit, që e bën të jetë gjithnjë i gëzuar e ta shpërndajë harenë e fesë përreth vetes. ”Gëzimi” i krishterë është diçka më shumë se kuptimi i zakonshëm, që i japim kësaj fjale, siç do të shpjegojmë sot.
Me një fjalor shumë të pasur, prej rreth 12 fjalësh hebraike, shenjë e domethënieve të ndryshme, gëzimi biblik niset gjithsesi nga përvoja njerëzore e psikologjike, që përfshin qetësinë, lumturinë, festën, harenë, galdimin e kështu me radhë. Ai lind nga shumë përvoja konkrete, që përshkruhen në Bibël poetikisht, si korrja, vjelja, dasma, fitoret ushtarake e lindjet e fëmijëve, duke përfshirë si paqen, ashtu edhe luftën. Shembull për këtë është fraza e Isaisë profet: ”Ti e shtove gëzimin, e madhërove harenë; ata gëzohen në praninë tënde, si njerëzit, që i gëzohen korrjes, si gëzohen kur ndajnë prenë” (9,2).
Festat fetare janë të mbushura me gëzim, pasi kjo është gjendja shpirtërore mbi të cilën bazohet kulti, që është lavd, aleluja, madje, edhe kur kremtohet liturgjia e pendesës: ”Mos u trishtoni – u thotë Nehemia njerëzve që derdhnin lot, ndërsa dëgjonin leximin e Ligjit – sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj” (Ne 8,10). Zbulohet kështu një përmasë tjetër e gëzimit, që shkon përtej atij psikologjik. Vërtet, ai është gjendja shpirtërore e atyre, që pas pendimit, janë në paqe me Zotin e në bashkim me Të. Emblematik për këtë është kapitulli 15 në Ungjillin sipas Lukës, ku përshkruhen tri shembëlltyra mbi Mëshirën Hyjnore, të gjitha, të piketuara me gëzimin e kthimit te Zoti e të rigjetjes së intimitetit me Të (shih vv 5.6.7.9.10.23.24.25.32).
Gëzimi është dhuratë e ”Hyjit të gëzimit” (Ps 43,4), është pjesëmarrja në dashurinë e Tij. Jo më kot, në shembëlltyrën e tretë, atë të birit plangprishës, përshkruar nga Shën Luka Ungjilltar, djali i madh nuk arrin të gëzohet, ashtu si i ati, kur kthehet në shtëpi i vëllai, pasi zemra e tij është e shkretë dhe egoiste e nuk arrin ta pranojë, pra, dhuratën e ”Hyjit të gëzimit”, e cila gjithsesi i ofrohet, por kërkon bashkëpunimin e tij për të dhënë fryte.
Lumturia e kthimit në Zotin simbolizohet në Bibël edhe më parë, përmes kthimit të Izraelit në tokën e të parëve, pas mërgimit babilonez. Siç thotë Isaia profet: ”Do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit. Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t’i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesja” (35,10). Por gëzimi, ashtu siç kuptohet nga Shkrimi i Shenjtë, përvijohet edhe për të ardhmen. Në Jeruzalemin e ri, që përshkruhet në Librin e Zbulesës, nuk do të ketë më lot, zi, vaj e brengë (21, 3-4), por pa pushim do të dëgjohen aleluja e këngët e festës.
Besëlidhja e Re, që na propozon Ungjillin, pra Lajmin e Mirë e të gëzueshëm të shëlbimit, është e zhytur në atë gëzim, që e shndërron edhe dhimbjen: drita e Pashkëve rrezatohet edhe mbi Mundimet e mbi Kryqin e Krishtit. Pikërisht falë Birit të Zotit, që erdhi për ta shpëtuar botën, mund të jemi, ashtu siç kërkon shën Pjetri Apostull: ”Galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm, që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit” (1 Pjt 1,8-9).
Shën Luka është i njohur si ungjilltari i gëzimit, aq sa teologu gjerman Helmut Golvicer e ka titulluar komentin për këtë ungjill ”Gëzimi i Zotit”. Shën Luka përdor pesë fjalë të ndryshme të greqishtes për të shprehur gëzimin në 27 fraza të Ungjillit. Dy kapitujt e parë, që i kushtohet fëmijërisë së Jezu Krishtit, janë gdhendur me këngë të gëzueshme lavdi. Më pas, ata që falen e shëlbohen, përshkruhen si jashtëzakonisht të lumtur, siç mund të vërehet nga shembëlltyrat, që përshkruajnë Mëshirën Hyjnore, të cilat i përmendëm edhe më parë (Lk 15). Ose siç i ndodh Zakeut (19,6), i cili gëzohet pa masë nga vizita e Jezusit, nga fakti se ka mundësinë të qëndrojë bashkë me Të. Rreshti i fundit i Ungjillit sipas Lukës na paraqet Kishën, që po lindte, pas të ngjiturit e Jezu Krishtit në qiell, me dishepujt, që ”me gëzim të madh u kthyen në Jeruzalem dhe vazhdimisht ishin në Tempull, duke i dhënë lavdi Hyjit” (24,52-53). Prelud i bukur i një historie mëse 2000 vjeçare, gjatë së cilës, besimtarët e të gjitha kohrave e gjejnë gëzimin e shpirtit, të gjunjëzuar, në lutje para Krishtit, tempulli i tyre i gjallë.







All the contents on this site are copyrighted ©.