2011-10-06 14:53:25

Papa të dielën do të vizitojë dioqezën italiane Lamezia Terme e Manastirin murgar të Serra Shën Brunos në Kalabri.


Vlojnë përgatitjen e fundit në Lamezia Terma e në Çertozë (manastir) të Serra San Bruno, në Kalabri, ku Papa do të shkojë për vizitë këtë të diele. Është fjala për udhëtimin e 25-të baritor të Benedikti XVI në Itali. Pak ditë para arritjes së Atit të Shenjtë Jozef Ratcinger, Çertoza apo Manastiri i Serra San Brunos feston sot themeluesin e vet, shën Brunon murg, përkujtimin liturgjik të të cilit Kisha e shënon sot. Një shenjt për të cilin Papa ka folur në raste të ndryshme.
Pra, të dielën e ardhshme, në ora 18.00 Benedikti XVI do të kryesojë lutjet e mbrëmësores në Manastirin e themeluar nga Shën Bruno në shekullin XI. Shën Bruno është me prejardhje nga Këlni i Gjermanisë, profesor i teologjisë e i filozofisë, të cilin Papa Urbani II e thirri si këshilltar personal në Romë. Në periudhën e karakterizuar nga lufta për pushtet dhe ambiciet e mëdha, edhe në fushën kishtare, ai refuzoi të bëhet ipeshkëv, hoqi dorë nga autoriteti e pushteti kishtar. Themelon Çertozinët, Urdhrin e Murgjve. Preferon heshtjen dhe kundrimin në mënyrë që intimiteti me Zotin ta shndërron jetën e tij:
“Heshtja dhe kundrimi – karakteristikë e shën Brunos – në shkapërderdhjet e çdo dite shërbejnë për të gjetur thellësinë e vazhdueshme të bashkimit tonë me Zotin...në zhurmën e pafund të fjalëve që karakterizon kohën tonë, e kohët tjera, në inflacionin e fjalëve, ai kërkon të mishërohen fjalët thelbësore. Në fjalët e njerëzve të mishërohet Fjala, Fjala që vjen nga Zoti, Fjala që është Hyj. (Homelia, 6 tetor 2006).
Në heshtje – pohon Papa – fjalët tona pastrohen, përtërihen, bëhen të vogla para madhështisë së Zotit, që Fjala e tij të jetë e dëgjuar në botë:
“E kështu, përsëri, jemi të thirrur në këtë udhë të mohimit të fjalëve të tona; jemi të thirrur ti përmbahemi kësaj udhe të spastrimit, e cila shërben që fjalët tona të jenë vetëm vegla përmes të cilave Zoti mund të flasë”. (Homelia, 6 tetor 2006)
Heshtja e shën Brunos na udhëheq drejt një të foluri të “pastër”, pra që nuk është plot me vetveten, në kërkim të shpërblimeve, por që përshkohet e mbushet me të vërtetën:
“Me fjalë tjera, të flasësh për të marrë duartrokitje, të flasësh duke u orientuar ndaj asaj që njerëzit duan të dëgjojnë, të flasësh në dëgjesën e diktateve të opinioneve të zakonshme të përbashkëta të kohës, konsiderohet si një lloj prostitucioni të fjalëve e të shpirtit. ‘Pastërtia’ nuk është nënshtrim ndaj standardeve, nuk është kërkim i duartrokitjeve, por do të thotë të kërkosh t’i bindesh së vërtetës”. (Honmelia, 6 tetor 2006).
Shën Bruno, së fundi, nuk bënë gjë tjetër përveç se na tregon udhën e Jezusit, fjalët e të cilin kanë lindur në heshtje të lutjes, mbi Mal, në të qenurit të tij me Atin:
“Nga kjo heshtje e bashkimit me Atin, nga të qenurit të zhytur në Atin, lindin fjalët....Zoti na fton...të ngjitemi me Të mbi Mal, e në heshtje, të zbulojmë dhe të mësojmë kështu, përsëri, kuptimin e vërtetë të fjalëve”. (Homelia, 6 tetor 2006).







All the contents on this site are copyrighted ©.