Uri në Bririn e Afrikës: thirrje e re e Benediktit XVI gjatë audiencës së përgjithshme.
Koment i imzot Silvano Tomazit
Gjatë audiencës së përgjithshme në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në të cilën
foli për Psalmin 23, Papa Benedikti XVI bëri një thirrje të re për popullsitë e Bririt
të Afrikës, ku rreth 12 milionë vetë vazhdojnë të vuajnë nga uria. Në rrezik janë
sidomos fëmijët, por qindra-mijëra refugjatë enden në kërkim të ujit e të ushqimit.
Këto janë fjalët e Benediktit XVI: “Nuk rreshtin
së ardhuri lajme dramatike për zinë e bukës, që ka goditur rajonin e Bririt të Afrikës…Përsëris
ftesën time të fuqishme ndaj Bashkësisë Ndërkombëtare, që të vazhdojë të impenjohet
për ata popuj e, i ftoj të gjithë të ofrojnë lutje e ndihmë konkrete për sa e sa vëllezër
e motra, të sprovuar kaq rëndë, veçanërisht për fëmijët, që çdo ditë vdesin në atë
rajon për shkak të sëmundjeve e për mungesën e ujit e të ushqimit”. Papa përshëndeti
kardinalin Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’ dhe imzot Xhorxho Bertin,
Administrator Apostolik i Mogadishos, të pranishëm në këtë audiencë së bashku me disa
përfaqësues të organizatave bamirëse katolike, që do të takohen për të verifikuar
e për t’u dhënë impuls të ri nismave për përballimin e emergjencës humanitare. Do
të marrë pjesë në takim edhe një përfaqësues i Kryeipeshkvit të Kanterburit, i cili,
edhe ai, ka bërë thirrje në favor të popullsive në nevojë.
E dje në Gjenevë,
ngriti zërin për këtë çështje imzot Silvano Maria Tomazi, vëzhgues i përhershëm i
Selisë së Shenjtë në Zyrën e OKB-së të qytetit. Të dëgjojmë komentin e tij pas thirrjes
së Papës: Mungesa e ushqimit i detyron mijëra e mijëra njerëz të marrin rrugët
për të mbijetuar e shumë vdesin në udhë. Është fjala për një genocid të heshtur, prandaj
është vërtet urgjente që bashkësia ndërkombëtare të shprehë solidaritetin e vet për
këta njerëz, ndër të cilët ka shumë gra e fëmijë. Mund të përmend rastin e dhimbshëm
të një nëne, që mbante në krah dy fëmijët e vet e nuk ecte dot më, nuk kishte më forcë,
prandaj i duhej të vendoste se cilin prej dy fëmijëve ta linte rrugës të vdiste e
cilin ta merrte me vete drejt kampit të refugjatëve. Nuk është e mundur, nuk është
e pranueshme, që sot të ndodhin këto gjëra të tmerrshme. Por tragjedia e Bririt të
Afrikës është pjesë e tragjedive të tjera. Le të mendojmë për së paku 1500 personat,
që kanë humbur jetën, në përpjekjen për të kaluar nga Afrika e Veriut në Evropë e
për sa e sa, që janë mbytur duke kaluar detin nga Somalia në Gjirin e Adenit. Jemi
para një emergjence, që duhet t’u shkundë ndërgjegjen të gjithëve. Sipas jush,
a është e mjaftueshme ndihma e bashkësisë ndërkombëtare? Ka kontribute, që vende
të ndryshme japin përmes agjencive të OKB-së. Sigurisht, do të ishte mirë të kishim
një koordinim më të madh. Impenjimi pozitiv ka filluar, por nuk është i mjaftueshëm
për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave.