2011-10-05 16:56:46

U paraqit në Romë, vepra dy vëllimshe për 80 vjetët e Radio Vatikanit


U paraqit dje në një nga sallat e Universitetit LUMSA në Romë, libri me dy vëllime “80 vjetët e Radios së Papës”, i pari prej të cilëve është shkruar nga gazetari i Radios, Fernando Bea, tashmë i ndarë nga kjo jetë, ndërsa i dyti nga një gazetar i programit italian të emitentes sonë, Alessandro De Carolis. Të dyja vëllimet, publikuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit në 80-vjetorin e Radios, përshkojnë zanafillën, aventurat dhe misionin e emitentes, themeluar nga Papa Piu XI e realizuar nga shkencëtari i njohur Guljelmo Markoni në vitin 1931.RealAudioMP3
Pena e Fernando Beas përshkruan një rrugë 50-vjeçare, nga fillesat deri në vitin 1981 e më pas, Alessandro De Carolis e informon lexuesin mbi sfidat teknologjike e gazetareske, që Radios i është dashur të përballojë në 30 vjetët që pasojnë, duke pasur gjithnjë si synim shpalljen e Ungjillit të Krishtit në të katër anët e botës. Ndryshimin në vite e shprehu sintetikisht drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Federiko Lombardi, që mbajti edhe fjalën e paraqitjes së librit:
“Në gjithë këtë histori nuk kemi të bëjmë vetëm me përdorimin e mjeteve e me organizimin e programeve, por me zhvillimin e mënyrës sonë për të qenë komunikatorë në shërbim të Kishës universale. Sot, Radio Vatikani kërkon rrugë, gjuhë, mjete, forma gjithnjë e më të reja për ta kryer këtë mision. Të thuash ‘Radio” sot është pak, pasi ne bëjmë edhe ‘web’-in, një ‘web’ multimedial”.
Në libër, lexuesi mund të gjejë fotografi e letra për të njohur më mirë profilin e redaksive e të teknikëve, në një hark kohor, që shkon nga radiomesazhet e Luftës II Botërore për bashkimin e familjeve e deri tek sfida e internetit. Të dëgjojmë autorin e vëllimit të dytë, Alessandro De Carolis:
“Radioja flet sot mëse 40 gjuhë të ndryshme. Nuk ekziston asnjë radio tjetër ndërkombëtare, që mund të shprehet mbi të njëjtën ngjarje, me këtë pasuri gjuhësore, e cila, sidomos falë internetit, ka edhe më tepër mundësi. Radio Vatikani mund t’i shërbejë magjisterit të Papës, të lidhë qendrën e katolicizmit me periferitë, t’i japë një interpretim të krishterë fakteve të botës, praktikisht, pa ndërprerje”.
Botimi i dy vëllimeve mbi 80 vjetët e Radio Vatikanit u bë i mundur me kontributin e Entit të Hekurudhave të Italisë, administratori delegat i të cilit, Mauro Moretti sqaroi se ato do t’i jepen edhe Papës Benedikti XVI, gjatë udhëtimit të tij me tren për në Asizi, më 27 tetor.








All the contents on this site are copyrighted ©.