2011-10-05 17:37:44

Shqipëri: procesi i regjistrimit ecën sipas parashikimeve.


Në Shqipëri regjistrimi i Popullsisë dhe i Banesave që ka nisur në datë 1 tetor në terren, ku 12 mijë anketues po trokasin derë më derë për të mbledhur të dhënat e Censusit, vazhdon të ecën mirë. Instituti i Statistikave njoftoi sot se procesi i censusit në të gjithë vendin po ecën sipas dinamikës së parashikuar. Përmes një komunikimi me mediat, INSTAT bëri të ditur se deri tani janë kryer anketime në 21 % të banesave në të gjithë vendin. "Ritmi i deritanishëm tregon që procesi po ecën mirë dhe kemi arsye të jemi optimistë që ky proces do të përfundojë me sukses", u shpreh zëdhënësja e INSTAT-it, Vjollca Simoni.
Sipas INSTAT-it në 5 ditët e para të daljes së anketuesve në terren problemet që janë hasur kanë qenë raste të izoluara dhe për zgjidhjen e tyre janë marrë masat e nevojshme. INSTAT ftoi të gjithë qytetarët që të mirëpresin anketuesit, ndërsa theksoi se procesi do t'i shërbejë ndërmarrjes së politikave më të mira sociale e ekonomike të vendit. Ky proces, theksoi Simoni, po ecën mirë dhe jemi optimistë. Gjatë procesit mund të dalin edhe probleme por ato kanë qenë raste të izoluara dhe kemi marrë masat për një proces të drejtë.
"Dëshirojmë të adresojmë edhe disa shqetësime të qytetarëve lidhur me pasojat juridike të Censusit për çështje që lidhen me taksat apo kombësinë. Censusi është një matje statistikore që nuk ka të bëjë me regjistrin civil, taksat, pronat, pensionet apo kombësinë. Censusi i popullsisë dhe banesave numëron individët, banesat, njësitë ekonomike familjare në të gjithë territorin e Shqipërisë, të cilat do të publikohen në formë të agreguar dhe vetëm për qëllime statistikore. Vetëm të dhënat e sakta që sigurohen nga censusi mund të shërbejnë si bazë për të planifikuar politika sociale dhe ekonomike", tha më tej Simoni.
Censusi i Popullsisë dhe Banesave ka nisur në datë 1 tetor në terren, ku 12 mijë anketues po trokasin derë më derë për të mbledhur të dhënat e Censusit. Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe po punojnë 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikëqyrës 36 koordinatorë lokalë. Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë që punojnë çdo ditë pa ndërprerje të aftë për të zgjidhur çdo situatë në terren.
Me anë të Censusit do të merren informacion mbi popullsinë e Shqipërisë, se sa njerëz jetojnë në këtë vend, si jetojnë ata, çfarë pune bëjnë etj. Pra të dhënat e censusit i shërbejnë vetë qytetarëve të këtij vendi që është Shqipëria.







All the contents on this site are copyrighted ©.