2011-10-05 16:56:36

Papa në audiencën e përgjithshme: në shkretëtirën e racionalizmit, Zoti është Bariu i Mirë, që e ruan Kishën e vet


E të kthehemi tani tek audienca e sotme e përgjithshme e Papës. “Kur Zoti e hap tendën e vet për të na strehuar në të, asgjë s’mund të na bëjë keq”: ky qe mesazhi i besimit të plotë në Hyjin, që Benedikti XVI e vuri në dukje gjatë meditimit për Psalmin e njohur 23, atë të “Bariut të Mirë”. RealAudioMP3
“Nuk më mungon asgjë”: ky varg i Psalmit, të cilin Kisha e përsërit që prej 2000 vjetësh, marrë nga një lutje edhe më e lashtë, shpreh mirëdashjen pa kufi të Zotit për krijesën e vet. Ai është Bariu i Mirë, që e çon grigjën e vet në kullota plot gjelbërim dhe kujdeset për të, i do të mirën:
“Të dashur vëllezër e motra, edhe ne, si psalmisti, nëse ecim pas ‘Bariut të Mirë’, sado të vështira, dredharake e të gjata mund të duken shtigjet e jetës, shpesh edhe në zona të shkreta shpirtërisht, pa ujë e nën diellin përvëlues të racionalizmit, nën udhëheqjen e bariut të mirë, Krishtit, jemi të sigurtë se shkojmë në rrugë ‘të drejtë’ e se Zoti na drejton, na qëndron gjithnjë afër e asgjë nuk do të na mungojë”.
Në një çast të caktuar, mbi grigjën bie errësira e natës. Siç tha Papa, ajo rrezikon të pengohet diku, ose të shpërndahet e të humbasë. Por psalmisti nuk ka frikë, është i qetë dhe i sigurtë, siç duhet të ndjehen edhe besimtarët e Kisha:
“Fraza ‘ti je me mua’ është shpallja e besimit të patundur e sintetizon përvojën e fesë së rrënjosur; afërsia e Zotit e shndërron realitetin, lugina e errët nuk është më e rrezikshme, zbrazet nga çdo kërcënim. Grigja mund të ecë tani e qetë, e shoqëruar nga zhurma familjare e shkopit, që troket në tokë e sinjalizon praninë mbrojtëse të bariut”.
Pas barit e ujit, skena e Psalmit zhvendoset brenda një tende, ku bariu jeton me grigjën e vet e ku psalmisti – nënvizoi Papa – pritet me bujari. Edhe këtu, mbretëron qetësia:
“Psalmisti është në qendër të shumë përkujdesjeve, është një udhëtar, që gjen strehë në një tendë mikpritëse, ndërsa armiqtë e tij duhet të ndalen e të shohin, pa mundur të ndërhyjnë, sepse ai, që e konsideronin pre, është tani në besë, si mik i shenjtë, i paprekshëm. Si psalmisti jemi edhe ne, nëse besojmë vërtet në bashkimin me Krishtin. Kur Zoti e hap tendën e vet për të na strehuar, asgjë nuk mund të na bëjë keq”.
Papa e përfundoi katekizmin, duke kujtuar si figura e lashtë e Bariut të Mirë gjeti në Jezu Krishtin, domethënien e saj të plotë:
“Jezusi është ‘Bariu i Mirë’, që shkon në kërkim të deles së humbur, që i njeh delet e veta dhe jep jetën për to. Ai është udha, rruga e drejtë, që na sjell në jetë, drita, që ndriçon luginën e errët dhe fiton mbi çdo frikë… Kush ecën me Zotin, edhe në luginën e errët të vuajtjes, të pasigurisë e të të gjitha problemeve njerëzore, ndjehet i sigurtë. Ti je me mua: kjo është siguria jonë, ajo që na mban”.
Në fund të audiencës, Benedikti XVI përshëndeti delegacionin e Fakultetit të Teologjisë së Universitetit grek të Selanikut, që i dha Atit të Shenjtë medaljen e artë “Apostulli Jazon”. Papa u kujtoi të gjithëve festën e Zojës Rruzare, që do të kremtohet të premten, duke i ftuar besimtarët të rizbulojnë lutjen e Rruzares si rrugë për ta takuar personalisht Krishtin.








All the contents on this site are copyrighted ©.