Papa Gjon Pali II nga Otranto më 1980 denoncoi krimet komuniste në Shqipërinë
Ati i Shenjtë i Lumi Gjon Pali II më 1980 nga Otranto kujtoi e denoncoi persekutimin
e egër të komunizmit në Shqipëri. Më 5 tetor 1980, gjatë vizitës në Otranto të
Italisë, i Lumi Papa Gjon Pali II nga brigjet e përtejme të Adriatikut, i drejtoi
popullit shqiptar mesazhin e tij të parë të dashurisë atërore dhe të kujdesit për
grigjën e vogël të martirizuar të katolikëve, nën thundrën e diktaturës ateiste komuniste.
Në homelinë e Meshës Shenjte të atij 5 tetori, kushtuar martirizimit të të krishterëve
në shekuj, Papa Gjon Pali II sensibilizoi mbarë botën me këto fjalë: “E kështu
sot nuk mund të mos e hedh vështrimin përtej detit, ku Kisha heroike në Shqipëri tronditet
thellë nga persekutimi i gjatë, por edhe pasurohet nga dëshmia e martirëve të saj:
ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë, rregulltare, besimtarë e qytetarë të thjeshtë”.
“Përveç tyre, mendimi im shkon edhe tek vëllezërit tjerë të krishterë e tek të gjithë
besimtarët në Zotin të cilët pësojnë të njëjtin fat të heqjes në atë komb”. Faleminderit
të Lumit Papës Gjon Palit II për atë që bëri për shqiptarët. Duam të kujtojmë
me nderim të veçantë edhe veprimtarinë e të Lumit Papës Gjon Pali II në favor të shqiptarëve
në Shqipëri, Kosovës e kudo që ndodhen. Mjaftojnë fjalët që vetë Ati i Shenjtë Wojtila
pat thënë në sheshin Skënderbe të Tiranës, në vizitën e tij historike e të paharrueshme
të 25 prillit 1993, për të kuptuar dashurinë e dashamirësinë që kishte ndaj popullit
martir shqiptar: “Popull shqiptar, ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit.
Është një rrugë e vështirë kjo, por në të janë mbjell farat e shpresës. Të shoqëroftë
forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në roje të lirisë në vitet e pafund
të shtypjes së regjimit totalitar. T’i ndriçoftë hapat e tu dashuria për familjen,
shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë që e dallojnë popullin
tuaj, veti këto që përbëjnë pasurinë më të çmuar shekullore shqiptare”.