2011-10-05 17:12:40

Eulexi do të bëjë hetime rreth pretendimeve të trafikimit të organeve njerëzore në Shqipëri


Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Rend dhe Ligj në Kosovë, EULEX, gjenerali Xavier Bout de Marnhac bëri të ditur sot se "së shpejti do të fillojnë hetimet rreth pretendimeve të ngritura nga eurodeputeti Dick Marti", sipas të cilit, në Shqipëri është kryer trafikim i organeve njerëzore gjatë luftës në Kosovë.
Shefi i EULEX-it, Xavier de Marnhac, e përfundoi vizitën e tij në Tiranë, ku takoi kryeministrin e Shqipërisë, ministrin e Jashtëm dhe ministrin e punëve të Brendshme. U nënshkrua një marrëveshje teknike për bashkëpunim policor në mes të EULEX-it dhe ministrisë së Brendshme të Shqipërisë. Kjo marrëveshje do të ndihmojë në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe krimit ndërkufitar në të mirën e qytetarëve të të gjithë rajonit.
Kryeministri i Shqipërisë premtoi mbështetjen e plotë të qeverisë së tij për Task Forcën Speciale Hulumtuese që është duke hetuar pretendimet e bëra në raportin e Këshillit të Evropës shkruar nga Dick Marty.
“Ky ishte një udhëtim shumë i suksesshëm,” tha Xavier de Marnhac. “Krimi i organizuar është fenomen rajonal dhe duhet të trajtohet në nivel rajonal. Marrëveshjet teknike si kjo që ne kemi nënshkruar do të ndihmojnë në këtë luftë. Unë do të doja të falënderoja Qeverinë e Shqipërisë për gatishmërinë e të plotë për të bashkëpunuar dhe për të mbështetur hetimet e Task Forcës në mënyrë që të përcaktohet e vërteta e pohimeve bërë në Raportin e Këshillit të Evropës.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, shefi i EULEX-it, De Marnhac shprehu falënderime për qeverinë e Tiranës për mbështetjen që i ka ofruar EULEX-it për hetimet në lidhje me pretendimet e Martit.
Ai bëri të ditur gjithashtu se tashmë është krijuar një ekip i posaçëm ndërsa theksoi se kryeprokurori që udhëheq hetimet do të vizitojë në një të ardhme të afërt Tiranën.
"Mendoj se është në interes të gjithë rajonit, që këto hetime të dalin me përfundime të qarta", theksoi De Marnhac ndërsa siguroi autoritetet shqiptare se "EULEX po punon për zbatimin e ligjit në të gjithë territorin e Kosovës dhe në të mirë të qytetarëve të saj".
Gjithashtu, shefi i EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dënoi edhe shpërthimin e sotëm në Mitrovicë ndërsa theksoi se dhuna nuk është opsion i zgjedhjeve të problemeve por vetëm dialogu duke nënvizuar se "përgjegjësit do të përballen me drejtësinë".
Ndërsa, zv.kryeministri i Shqipërisë Haxhinaso ritheksoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e qeverisë shqiptare, për hetimet që do të bëjë EULEX-i rreth pretendimeve të Dik Martit.
Duke veçuar kontributin e EULEX në Kosovë, Haxhinasto deklaroi se "qeveria shqiptare dhe institucionet e saj, janë të hapura dhe mbështetëse të një investigimi të plotë që të jetë konkluziv".
Kreydiplomati shqiptar shtoi se "hetimi do të provojnë falsitetin e pretendimeve dhe që ky kapitull të mbyllet një herë e përgjithmonë".
Gjatë konferencës, zv.kryeministri tha gjithashtu se "qeveria shqiptare dënon me forcë aktet e dhunës në Veri të Kosovës, dhe mbështet rrugën e dialogut Serbi-Kosovë". Ministri i Jashtëm i Shqipërisë theksoi se "ka shumë rëndësi që për shtetasit kosovarë, të nis procesi i liberalizimit të vizave".







All the contents on this site are copyrighted ©.