2011-10-04 15:15:44

Imzot Mirdita: në Shqipëri e përjashtuan Hyjin me ligj në emër të lirisë, dhe ngritën një burg të padurueshëm për tërë popullin


Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës janë takuar këtë vit në Tiranë, Shqipëri, sipas ftesës së Imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i Tiranë-Durrës-it, për asamblenë e tyre vjetore plenare nga data 29 shtatori deri më 2 tetor 2011. Gjatë takimit të tyre, presidentët për katër ditë kanë diskutuar si më temën e Ungjillëzimit të Ri.
Në përfundim të reflektimit të tyre, pjesëmarrësit e asamblesë kanë miratuar tekstin e mëposhtëm si rezultat të opinioneve, diskutimeve e propozimeve që dolën në pah gjatë takimit që u mbajt në kryeqytetin e Shqipërisë..
Pra, Sesioni i 41° plenar i CCEE është zhvilluar në Tiranë mbi temën e Ungjillëzimit të Ri. Takimi ishte përgatitur mbi bazën e një anketimi të madh: të gjitha konferencat ipeshkvnore i ishin përgjigjur një pyetësori, e një përmbledhje u është paraqitur pjesëmarrësve.
Doli se ungjillëzimi i ri është një prej shqetësimeve më të mëdha për ipeshkvijtë evropianë, dhe një punë e rëndësishme është realizuar tashmë në mënyra të ndryshme: sinode dioqezane e reflektime në nivel të konferencave Ipeshkvnore, publikime dokumentesh (pothuajse në të gjitha vendet) e shumë aplikime praktike.
Ungjillëzimi është manifestimi i jetës dhe i vitalitetit të Kishës. Nuk duhet të kuptohet si një aktivitet baritor i thjeshtë, por si manifestimi i natyrës dhe misionit të saj. Ungjillëzimi i ri u drejtohet jo vetëm të krishterëve që janë larguar nga besimi, por të gjithëve. Ka si qëllim të shpallë Krishtin, Hyjin e vërtetë e njeriun e vërtetë, i kryqëzuar për të shlyer të gjitha të këqijat njerëzore, i ringjallur që të gjithë të kishim jetën. Të gjithë besimtarët, nëpërmjet pagëzimit të tyre, janë të thirrur për të marrë pjesë: familjet, të rinjtë që, në përgjithësi, janë më të gatshëm për t’u bërë misionarë, por edhe famullitë, lëvizjet dhe bashkësitë e reja. Edhe katekeza apo katekizmi dhe shkollat katolike duhet të bëhen gjithnjë e më shumë vende ungjillëzimi. Sakramentet, së fundi janë vende të privilegjuara për të vënë në veprim këtë ungjillëzim të ri. Bëhet fjalë edhe të kërkohen rrugë të reja për ungjillëzimin, si për shembull teknologjitë e reja, Interneti, rrjetet sociale. Megjithatë, e gjithë kjo është e mundur vetëm nëse, duke ndjekur shembullin e të krishterëve në Veprat e Apostujve, hapemi në mënyrë të re ndaj Shpirtit Shenjt: "Nuk do të ketë Ungjillëzim të ri pa një Rrëshajë të re!".
Zgjedhja e Shqipërisë, toka e martirëve, ka qenë në veçanti domethënës për të trajtuar temën e ungjillëzimit të ri. Ka qenë një rast për të gjithë ipeshkvijtë e pranishëm për të kujtuar dëshminë e ofruar nga Kisha misionare shqiptare, dhe nga të gjitha Kishat katolike të ritit oriental, nën regjimin komunist.
Mons. Rino Fisichella, president i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të ri, i është drejtuar asamblesë. Ka vënë në dukje që shumë evropianë sot nuk dinë më asgjë për krishterimin, dhe nëse fjala "krizë" është shumë e përdorur aktualisht, duhet të shohim në këtë gjë një rast për t’u rritur. Sipas mendimit të tij, "Ungjillëzimi i Ri është një mundësi që na ofrohet për të lexuar dhe interpretuar momentin aktual historik, në mënyrë që aktiviteti i zakonshëm i Kishës të bëhet i jashtëzakonshëm. Me fjalë të tjera, jemi thirrur të jetojmë në mënyrë të jashtëzakonshme ngjarjen e zakonshme të jetës së Kishës që është Ungjillëzimi". Ka përfunduar duke kujtuar nismën e "Misionet e Metropoleve" që do të zhvillohen në 12 qytete të mëdha evropiane gjatë Krezhmëve të ardhshme.

Gjatë takimit janë paraqitur raportet e aktiviteteve të komisioneve të CCEE: i CEEM (Komisioni Ipeshkvnor Evropian për Median); i Komisionit “Caritas in Veritate”; i Komisionit “Katekeza, shkolla dhe universiteti” edhe i Shërbimit Evropian për Thirrjet (EVS). Janë paraqitur edhe rezultatet e takimit të 11-të të presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës Juglindore dhe të takimit të 13-të të ipeshkvijve të Kishës katolike të ritit oriental.
Asambleja e Kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës përfundoi me kremtimin e Meshës solemne në Katedralen e shën Palit në Tiranë, udhëhequr nga imzot Rrok Mirdita, president i Konferencës Ipeshkvnore Katolike të Shqipërisë. Në homelinë e rastin kryeipeshkvi i Tiranës mes tjerash tha:

Imzot Mirdita homelia.............RealAudioMP3


Predikimi i kryeipeshkvit të Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirdita
mbajtur gjatë Meshës së Shenjtë kremtuar me rastin e mbylljes së Asamblesë Plenare të CCEE në Tiranë të dielën më 2 tetor 2011 në bashkëkremtim kryesinë dhe anëtarët e këtij organizmi të Konferencave Ipeshkvnore Katolike të Evropës.

Shumë të dashur vëllezër e motra,
Shëmbëlltyra ungjillore që sapo kemi dëgjuar na udhëheq drejt kuptimit më të thellë të zbulimit biblik dhe na lejon të hyjmë, më në fund, në misterin e përjashtimit të Krishtit nga njerëzit, për të gjetur se çfarë kuptimi ka dhe çfarë do të thotë ky përjashtim. Me një lexim të parë të kësaj pjese të ungjillit hyjmë në kontekstin historik të zanafillës së krishterimit dhe kuptojmë se bashkësia e parë e krishterë e ka konsideruar veten si popullin e ri të Hyjit, pasardhës i Izraelit, në të cilin të gjithë janë të thirrur për të qenë rojtarë dhe punëtorë të asaj vreshte që Zoti ka mbjellë për të prodhuar fryte. Edhe personazhet e shëmbëlltyrës shfaqen të dallueshëm brenda historisë së Biblës. Vreshtarët duket se përfaqësojnë Izraelin, ose më ngushtë krerët dhe barinjtë e tij. Shërbëtorët e pronarit që keqtrajtohen e vriten përfaqësojnë profetët, ndërsa biri i pronarit përfaqëson vetë Krishtin. Vreshti është mbretëria e themeluar nga Hyji. Ajo i është ofruar më parë Izraelit, pastaj Kishës, që të kujdeset për të e të nxjerrë prej tij fryte për vete e për Hyjin.
Shëmbëlltyra shpjegon ngjarjen historike të kalimit nga populli i Izraelit tek populli i Hyjit që është Kisha, shpjegohet vetë në atë kontekst, por nuk shterohet aty.
Sikurse gjithë fjala e Hyji, edhe pjesa e Ungjillit sipas Mateut që kemi dëgjuar ka dy përmasa themelore. Njëra është ajo e konkretësisë historike dhe tjetra është ajo e vlerës universale. Nëse vrasja e birit në shëmbëlltyrë konkretizohet historikisht në kryqëzimin e Birit të Hyjit në Golgota, pikërisht kjo histori konkrete e Birit bëhet çelësi që i hap të gjitha historitë dhe ngjarjet njerëzore, edhe historinë dhe ngjarjen tonë. Kjo gjë bën të mundur që ne, papritur, të gjendemi brenda shëmbëlltyrës, përballë Birit që vjen për të vdekur. Pikërisht ngaqë ajo histori konkrete e Krishtit ka një vlerë universale, e si e tillë ka të bëjë edhe me jetën tonë sot, ungjilli nuk është thjesht një kujtim i së shkuarës, por një lajmërim solemn që flet në të tashmen. Të ungjillëzosh, atëherë, do të thotë të hysh brenda Ungjillit, domethënë brenda historisë së Krishtit, sepse vetëm kështu mund të kuptohet se në të vërtetë është ai që ka hyrë në historinë tonë.
Le të hyjmë tani në faqen e Ungjillit të sotëm e të shohim si flet ajo për historinë tonë dhe jetën tonë. Në këtë tregim flitet për tradhëtim të mirëbesimit nga ana e vreshtarëve, për dhunë, për dëshirën për kamje dhe për zotërimin e vreshtit të dikujt tjetër: “Ta vrasim e t’i marrim trashëgiminë!” (Mt 21, 38). Le të dalim tani nga identifikimi historik i vreshtarëve me Izraelin e të shohim tek vreshtarët thjesht njeriun.
Ky varg na thotë se njeriu është pambarimisht në kërkim të trashëgimisë, pra të një të ardhmeje që nuk mund ta krijojë vetë. Gënjimi se mund ta krijojë vetë të ardhmen e vet dhe trashëgiminë e vet, e shtyn njeriun në dhunë, në asgjësimin e tjetrit, sepse tjetri duket si kërcënim kundrejt ekzistencës sonë. Në themel të gjithë kësaj ngatërrese mendore e shpirtërore brenda njeriut, që prodhon frikë për të ardhmen e dhunë në të tashmen, qëndron harresa ndaj Zotit, ose, edhe më keq, tradhëtimi i mirëbesimit të tij, mohimi i ekzistencës së tij. Shëmbëlltyra na thotë që në fillim se pronari, pasi ua besoi vreshtin vreshtarëve, “iku larg” (Mt 21, 33), duke prekur kështu misterin e fshehjes së Hyji.
Misteri i fshehjes së Hyjit, që është themeli i lirisë së njeriut dhe shprehja më e lartë e respektit dhe e besimit të Hyjit kundrejt kësaj kryevepre të madhe të tij që jemi ne, kthehet tragjikisht në hapësirën e shpërdorimit tonë, në kryerjen e mosnderimit, në tundimin helmues për t’i zënë vendin në këtë botë. Ky shpërdorim ekzistencial i misterit të fshehjes së Hyjit lind shpesh herë si shkak i mosbesimit tek ai. Megjithatë, nganjëherë mund të ndodhë se ushqehet nga keqbesimi, e atëherë bëhet edhe më i rrezikshëm, sepse ngrihet në teorinë filozofike, politike apo sociale të përjashtimit të Hyjit nga punët e kësaj bote.
Shumë të dashur vëllezër e motra, sa herë që njeriu ka dashur t’i zërë vendin Hyjit në historinë e botës, ka shkaktuar tragjedi të pallogaritshme. Le të mendojmë vetëm historinë e vonë të vendit tonë, ku komunizmi, gjoja për të ndërtuar utopinë marksiste të lumturisë së të gjithë njerëzve mbi tokë, e ka shpallur Hyjin të tepërt, të padobishëm, madje të dëmshëm. Le të mendojmë se si ka vrarë, ka futur në kampe përqendrimi dhe ka ndryrë në errësirën e dendur të qelive të burgjeve të gjithë njerëzit e Hyjit, meshtarë, rregulltarë e laikë, pikërisht siç kanë bërë vreshtarët e ungjillit të sotëm me shërbëtorët e pronarit. Cili ka qenë premtimi që sipas tyre arsyetonte këtë dhunë? Lumturia, mirëqenia, paqja. Cili ka qenë përfundimi i vendimit për të përjashtuar Hyjin? Mjerimi, lufta e klasave, prirja për ta parë tjetrin si një armik të mundshëm, mbyllja e plotë kundrejt botës, zbrazëtia e frikshme shpirtërore. Kanë përjashtuar Hyjin në emër të lirisë, por në realitet kanë ngritur një burg të padurueshëm. Ne jemi i vetmi popull në planet që, me shpalljen e ateizmit me kushtetutë, na është dashur të provojmë mbi lëkurë se si një shoqëri pa Hyjin është një shoqëri pa liri, në të cilën është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, t’i vihet pritë dhunës.
Njeriu është që në strukturën e tij i hapur ndaj Hyjit. Kjo hapje e bën atë një qenie të lirë, me një liri që nuk mund të kufizohet nga asnjë pushtet i kësaj bote, as nga vdekja. Për këtë arsye njerëzit e Hyjit, sikurse shërbëtorët e pronarit në shëmbëlltyrë, nuk e mbyllin me vdekjen misionin e tyre, por e përmbushin pikërisht duke vdekur, sepse vdekja për Hyjin është shpallja e lirisë së tyre. Martirizimi i Kishës në Shqipëri, nën shtypjen e rëndë të regjimit që kërkonte mohimin e besimit, është një provë e dukshme se marrëdhënia me Hyjin bën të lirë. Në atë burg të madh që ishte Shqipëria nën komunizëm, besimi i fshehtë i besimtarëve ishte dritarja e vetme e lirisë. Mendoj se fakti që Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Evropës e trajton temën e ungjillëzimit të ri të Evropës pikërisht në Shqipëri nuk është një rastësi, por vepër e Provanisë. Kush më mirë sesa vendi ynë mund t’i çojë Evropës, që po rrëshqet drejt laicizmit të skajshëm, një mesazh të fortë, që të mos e përsërisë atë gabim të rëndë të përjashtimit të Hyjit nga jeta socialë, çmimin e hidhur të të cilit populli ynë vazhdon ta paguajë ende. Në udhëtimin e tij historik në Shqipëri më 25 prill 1993 Papa Gjon Pali II tha këtu në Tiranë, duke iu referuar asaj që kishte ndodhur në Shqipëri: “Drama juaj, shqiptarë shumë të dashur, i intereson, duhet t’i interesojë, të gjithë kontinentit evropian dhe është e domosdoshme që Evropa të mos harrojë.” Kësaj Evrope Kisha jonë duhet të dijë t’i tregojë edhe një herë Ungjillin e lirisë, por si mund ta bëjë këtë?
Pjesa e Ungjillit të sotëm na e tregon rrugën. Kisha duhet të dijë t’i flasë njeriut të sotëm. Njeriu i sotëm, sikurse vreshtarët e shëmbëlltyrës, është në kërkim të trashëgimisë: “Ta vrasim e të marrim trashëgiminë”. Njeriut të sotëm nuk i mjafton e sotmja, nuk i mjafton ajo çfarë ka arritur, për këtë arsye thellë-thellë ankon një pakënaqësi dhe është në kërkim të diçkajë “më shumë”. Njeriu kërkon të tërën, dëshiron të tërën, “trashëgiminë”. Nëse e tëra është shpagim dhe shëlbim, atëherë mund të thuhet se njeriu i sotëm po kërkon shpagimin dhe shëlbimin. Kjo nevojë e brendshme ekzistenciale e njeriut për të kërkuar plotësinë, mund të bëhet e papërballueshme, deri në pikën e keqbërjes: “Ta vrasim e të marrim trashëgiminë”. A nuk është vallë e keqja që bën njeriu për të plotësuar kënaqësitë e veta (hedonizmi) një rrjedhojë tragjike e kërkimit të tij të gabuar për shëlbim? Pikërisht ndërsa ushtron lirinë, kur përjashton Hyjin dhe bën të keqen, njeriu e humb lirinë e nuk mund ta shëlbojë veten. Duke folur për dorëheqjen nga besimi në Hyjin, në Motu proprio Ubicumque et semper, me të cilën themelon Këshillin Papnor për Ungjillëzimin e Ri, Papa Benedikti XVI thotë: “Nëse e gjithë kjo është përshëndetur nga disa si çlirim, shumë shpejt është krijuar vetëdija e shkretëtirës së brendshme që lind aty ku njeriu, duke dashur të bëhet autor i vetëm i natyrës dhe i fatit të vet, gjendet i privuar nga ajo që përbën themelin e të gjithë gjërave”.
T’i shpallësh Ungjillin njeriut të kohës sonë do të thotë t’i japësh edhe një herë atë themel nga i cili është vetëprivuar, ta shëlbosh e t’i kthesh lirinë.
Por cili është Ungjilli? Ardhja e Birit dhe vdekja e tij, sikurse në shëmbëlltyrë, është lajmi i mirë i Hyjit për njerëzit, që Kisha duhet të dijë t’ia tregojë botës.
“Ta vrasim e të marrim trashëgiminë”. Kjo është ajo që ka ndodhur. Paradoksi ungjillor na mahnit, sepse pikërisht në vdekjen e Birit në kryq Hyji i ka hapur njeriut hyrjen në trashëgiminë e qiellit, shpagimin nga vdekja dhe jetën e amshuar. Guri që ndërtuesit e hodhën tej, Krishti i kryqëzuar, u bë guri i qoshes E keqja jonë, brenda së cilës gjithçka dukej errësirë, ngatërrim e dëshpërim, ndriçohet nga drita e Krishtit, që vdes për të na dhënë si trashëgim vreshtin e tij, mbretërinë e qiellit. Çfarë do të thotë të ungjillëzosh Evropën sot? Do të thotë t’i tregosh gurin e hedhur tej, tani së voni edhe prej asaj vetë, që ky gur, Krishti, të bëhet edhe një herë themeli i saj. Për ta bërë këtë, duhet ta shikojmë me guxim të keqen e kontinentit tonë, duhet të shikojmë me dashuri burrat dhe gratë e tij dhe, në vend që të ankohemi e të presim që e keqja të kalojë, duhet të shpallim me besim praninë e atij që me vdekjen e vet i jep kuptim dhimbjes, sjell faljen dhe hedh dritë të re mbi jetën. Të shpallësh Ungjillin do të thotë t’ia kthesh e jo t’ia heqësh lirinë njeriut, atë liri që është rivendosje e marrëdhënies me Hyjin dhe dhurim jete për njerëzit. Të shpallësh ungjillin do të thotë t’i japësh njeriut të sotëm evropian atë “më shumë” që është duke kërkuar e që askush nuk mund t’ia japë përveç Kishës; t’i japësh atë “trashëgimi” për të cilën nuk ka më nevojë “të vrasë”, sepse Biri i Hyjit është kushtuar, ka vdekur dhe është ringjallur që ne ta kemi.
Dashtë Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqipërisë, dhe të gjithë martirët e kishës shqiptare, t’i ndihmojnë kishat e Evropës në këtë mision të madh. Amen.
Aktivitete të ardhshme të CCEE. Është verifikuar përgatitja e disa iniciativave në kalendar për muajt e fundit të 2011, në 2012 e 2013. Në veçanti, për muajt e ardhshëm, shënohen: takimi për të kremtuar 40 vjetorin e CCEE (1971-2011) më 22 nëntor 2011 në Romë që parashikon mes të tjerash ndërhyrjet e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Tarcisio Bertone, të imzot Salvatore Fisichella, president i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillëzimit të Ri, të filozofit Rémi Brague e të deputetit Luca Volonté, president i Grupit Popullor Kristiano-demokrat (EPP-CC) në asamblenë e Këshillit të Evropës; dhe takimi i 14-të i ipeshkvijve të Kishës katolike të ritit oriental që do të zhvillohet në Oradea, Rumani, nga 3 deri më 6 nëntor 2011 mbi temën Ungjillëzimi në Kishat katolike të ritit oriental në Evropë. Mes aktiviteteve të 2012: takimi i 12-të i presidentëve të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës (Strasburg, mars 2012); Kongresi mbi katekezën (Romë, 7-10 maj 2012) mbi temën e fillimit të krishterë; takimi i përgjegjësve kombëtarë për “çështjet sociale” të Konferencës Ipeshkvnore (Trieste, 3-5 shtator 2012); Ditët e 2-Sociale Evropiane të realizuara së bashku me ComECE e të parashikuara në 2013 në Granada (Spanjë). Asambleja plenare ka vendosur edhe të themelojë një grup pune që do të ketë si detyrë për të verifikuar mënyrën e themelimit të një komisioni të ri të CCEE specifik mbi thirrjen në meshtari. Në kontekstin e shërbimit të CCEE ndaj Kishës në Evropë është prezantuar gjithashtu Eurocathinfo.eu, Portali i Informacionit Institucional e Intranet i Konferencave Ipeshkvnore në Evropë (online brenda fundit të vitit).Në Tiranë, pjesëmarrësit janë informuar edhe mbi dy takimet e ardhshme botërore që nënvizojnë aspekte kyçe të misionit të Kishës Katolike e që do të zhvillohen në Evropë: Takimi Botëror i Familjeve (Milano, Itali, 30 maj-2 qershor 2012) e Kongresi i 50-të Eukaristik Ndërkombëtar (Dublin, 10-17 qershor 2012).

Ekumenizmi. Në kontekstin e dialogut ndërfetar, pjesëmarrësit janë informuar mbi punimet e Komitetit të Përbashkët CCEE-KEK (Konferencat e Kishave Evropiane) e mbi Forumin e dytë evropian katoliko-ortodoks (Rodi, 18-22 tetor 2010). Një Forum i tretë evropian katoliko-ortodoks do të mbahet në Lisbonë në Portugali, më 4-7 qershor 2012.

Vizitat Apostolike të Papa Benediktit XVI-të në Evropë. Gjatë takimit, presidentët kanë marrë disa komunikime të shkurtra mbi vizitat apostolike më të fundit të Papës Benedikti XVI, në veçanti: mbi vizitën në Kroaci (4-5 qershor); mbi Ditën Botërore të Rinisë (Madrid, 16-21 gusht) e mbi vizitën e Papës në Gjermani (22-25 shtator). Konferencat Ipeshkvnore të interesuara nga këto vizita kanë rënë dakord për të pohuar që këto vizita përbëjnë raste të një bashkimi të madh kishtar dhe të dëshmisë së fortë të Papës, si mësues e pasardhës i apostujve. Gjithmonë, besimtarë lokalë kanë pranuar me entuziazëm të madh, vëmendje dhe brendësi fjalët e Papës që nuk u drejtohen vetëm besimtarëve të vendit por të gjithë Evropës. Edhe takimet me institucionet civile dhe përfaqësuesit e besimeve të tjera janë paraqitur si raste të mëdha vëllazërimi.
Të krishterët në Tokën e Shenjtë. Asambleja plenare ka shprehur një lloj shqetësimi përballë dëshmisë së Patriarkut të Jerusalemit të Latinëve, Fouad Twal, që ka referuar rreth situatës së vështirë në të cilën jetojnë bashkësitë e krishtera në Tokën e Shenjtë. Për të ndaluar eksodin e të krishterëve që ikin prej situatave të pasigurisë dhe të mjerimit, është e nevojshme që Konferencat Ipeshkvnore të Evropës të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të rritur ndërgjegjësimin e besimtarëve të tyre në mbështetje të të krishterëve në Tokën e Shenjtë edhe nëpërmjet promovimit të shtegtarëve.

Marrëdhëniet mes Institucioneve Evropiane dhe Kishës. Dialogu me Bashkimin Evropian është paraqitur nga imzot André Dupuy, Nunci Apostolik pranë Bashkimit Evropian, nga mons. Adrianus van Luyn, President i ComECE e nga mons. Piotr Mazurkiewicz, Sekretar i përgjithshëm i ComECE. Ndërsa ato të Këshillit të Evropës të Strasburgut janë paraqitur nga mons. Aldo Giordano, Vëzhgues i Përhershëm pranë Këshillit të Evropës. Nëpërmjet përmbledhjes së tyre, del qartë dëshira e Kishës për të shoqëruar punimet e institucioneve evropiane nëpërmjet një pune të saktë e të vazhdueshme të bazuar mbi dialogun.

Observatori mbi rastet e diskriminimit dhe intolerancës ndaj të krishterëve në Evropë. Janë paraqitur aktivitetet e Observatorit që dëshmojnë një ashpërsim shqetësues të rasteve të diskriminimit dhe intolerancës ndaj të krishterëve edhe në Evropë. Konferencat Ipeshkvnore janë ftuar të mbështesin aktivitetet e Observatorit, në veçanti në verifikimin e objektivitetit të rasteve që arrijnë deri në Observator e për të gjetur, një herë që vërtetohet rasti, zgjidhjet e duhura për të informuar autoritetet lokale për çfarë po ndodh duke ndjekur në këtë mënyrë udhëzimet të dala në pah në rezoluta të ndryshme të OSBE.

Në takim kanë marrë pjesë edhe imzot Dimas Lara Barbosa, arqipeshkëvi metropolit i Campo Grande (Brazil) e Zv/ presidenti i dytë i CELAM (Këshilli Ipeshkvor Latino-Amerikan), e imzot Simon Ntamwana, arqipeshkëv i Gitega e delegat i SECAM (Simpoziumi i Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës dhe Madagaskarit). Bashkëpunimi me SECAM konkretizohet këtë vit nëpërmjet një Simpoziumi të ipeshkvijve të Afrikës dhe Evropës (Romë, 13-17 shkurt 2012) mbi temën Solidariteti baritor në një botë të globalizuar.

Në përfundim të punimeve, Presidentët e Konferencave Ipeshkvnore kanë falënderuar: imzot Rrok Mirditën e bashkëpunëtorët e tij për mikpritjen e tyre të ngrohtë; imzot Ramiro Moliner Inglés, Nuncin Apostolik në Shqipëri e në fund kardinalin Marc Ouellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvijtë, që ka shoqëruar punimet e Asamblesë. Punimet janë zhvilluar në një klimë përzemërsie dhe miqësie, e janë pasuruar nga momente lutjeje e nga kremtimet e përditshme të Eukaristisë me bashkësinë lokale. Një moment në veçanti i thellë ka qenë takimi me motrën françeskane, Maria Kaleta, që në fund të punimeve ka sjellë dëshminë e saj të krishterë nën regjimin komunist.







All the contents on this site are copyrighted ©.