2011-10-04 15:41:05

Festa e shën Françeskut të Asizit dhe të rinjtë e sotëm, në reflektimin e Papës Benedikti XVI


“Lindi në botë një diell”: me këto fjalë, Dante Aligieri përshkruan në “Komendinë Hyjnore”, lindjen e Shën Françeskut të Asizit, festën e të cilit Kisha Katolike e kremtoi sot. Një figurë, që për shekuj me radhë, frymëzoi persona të çdo kulture e feje dhe u admirua nga personazhe si Martin Luter King e Gandi.
Solemniteti i festës së të Vobektit të Asizit u kremtua në të gjithë botën e, edhe në trevat shqiptare, ku shën Françesku njihet e nderohet e ku janë të pranishëm françeskanët me moton e tyre “Për fe e atdhe”.
Në Asizi, i dërguari i Papës për Bazilikën françeskane, kardinali Atilio Nikora kremtoi meshën së bashku me kryeipeshkvin e Kampobaso-Bojanos, Xhankarlo Maria Bregantini. Sipas traditës, para se t’i thurej “Lavdi Hyjit”, u ndez llampa që ndriçon vazhdimisht varrin e shenjtit. Këtë vit, vaji për llampën u dhurua nga rajoni italian i Molizes.
Edhe Papa Benedikti XVI ka folur shpesh për shën Françeskun. I paharruar mbetet portreti, që Ati i Shenjtë pikturoi me fjalë para mijëra të rinjve, gjatë vizitës së tij në Asizi, më 17 qershor 2007. Duke lidhur gjithë elementet, të cilat në Asizi përbëjnë gurët kilometrikë të jetës së shën Françeskut, të djalit të shkujdesur të 800 vjetëve më parë, që duke i kthyer sytë nga Hyji shkroi një nga faqet më të bukura e më marramendëse të historisë së krishterimit, Ati i Shenjtë pati thënë:
“Françesku ishte kaq i gëzuar e bujar, i përkushtohej lojrave e këngëve, endej në qytetin e Asizit ditë e natë me miq si ai, e kishte dorën e shpuar aq sa harxhonte në dreka e gjëra të tjera gjithçka kishte e fitonte. Për sa të rinj të ditëve tona mund të themi të njëjtën gjë?”
E duke reflektuar mbi mundësitë, që u hapen përpara të rinjve të sotëm, për të luajtur, për të dëfryer e edhe për ta humbur jetën në gotën e alkoolit, ose pas siringës së drogës, Papa pati theksuar:
“Si mund ta mohojmë se janë të shumtë të rinjtë e të rriturit, që tundohen ta ndjekin nga afër jetën e të riut Françesk, para kthimit të tij kah Zoti? Në atë mënyrë jetese fshihej dëshira për lumturi, që banon në çdo zemër njerëzore. Por a mund t’ia jepte ajo jetë gëzimin e vërtetë? Françesku nuk e gjeti në të. Ju vetë, të dashur të rinj, mund ta verifikoni këtë, duke u nisur nga përvoja. Në të vërtetë, gjërat e fundme mund të japin disa shkëndija gëzimi, por vetëm Pafundësia mund t’i mbushë zemrat”.
Kjo është mëdyshja e përhershme: të zgjedhim diçka që na e mbush zemrën, por pastaj harrohet, ose të zgjedhim Dikë, që na e mbush zemrën përgjithmonë? Pas kthimit kah Zoti, Françesku e kupton se lumturia e vërtetë kalon nëpër dashurinë për Hyjin e për të tjerët, sidomos për ata, që nuk kanë asgjë që tërheq në mënyrë të veçantë. Si për shembull, të gërbulurit:
“Të fundmit, të mënjanuarit, ndaj të cilëve Françesku provonte ndot të patregueshëm. I prekur nga Hiri Hyjnor, ai u hapi atyre zemrën. Dhe e bëri këtë jo vetëm përmes një gjesti të mëshirshëm bamirës - do të ishte shumë pak – por duke i puthur e duke u shërbyer. Ai vetë rrëfen se gjithçka që më parë i dukej e hidhur, u kthye për të në ‘ëmbëlsi shpirti e trupi’”.
Përshpirtëria françeskane, që rrodhi nga impenjimi i shenjtit, s’ka fund e gjen zbatim në shumë fusha. Mund të përmblidhet në dy fjalët e përshëndetjes françeskane “Paqe e të mira”, që e bën të spikasë pikërisht temën e paqes:
“Françesku mund të na ndihmojë të dialogojmë, pa rënë në indeferentizëm para së vërtetës, pa e dobësuar mesazhin e krishterë. Fakti që ai ishte njeri i paqes, i tolerancës, i dialogut, lind gjithnjë nga përvoja e Zotit-Dashuri. Përshëndetja e tij e paqes është, jo rastësisht, një lutje: ‘Zoti të dhashtë paqen’”.
E Papa teolog e dashuronjës i letërsisë, nuk mund të mos i kushtonte dy fjalë Këngës së Krijesave, atë të dielë me të rinjtë në Asizi, katër vjet më parë. Ato vargje pasqyrojnë ç’rrjedh nga një zemër e aftë për dashuri universale:
“Si me rrathë bashkëqendrorë, dashuria e Françeskut për Jezusin përhapet jo vetëm mbi Kishën, por mbi të gjitha gjërat, parë në Krishtin e për Krishtin. Prej këndej lind Kënga e Krijesave, në të cilën syri ndalet në mrekullinë e Krijimit: nga vëllai Diell te motra Hënë, nga vëllai Ujë te frati Zjarr. Vështrimi i tij i bredshëm është bërë kaq i pastër dhe depërtues sa të shohë bukurinë e Krijuesit në bukurinë e krijesave. Kënga e vëllait Diell, para se të jetë një faqe e shkëlqyer poezie dhe një ftesë për respektimin e Gjithësisë, është një lutje, një lavd drejtuar Zotit, Krijuesit të gjithçkaje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.