2011-10-03 16:54:33

Komunikata e ipeshkvijve evropianë për ungjillëzimin e ri


Sesioni i 41-të i përgjithshëm i Këshillit të Konferencave Ipeshvnore u zhvillua në Tiranë mbi temën e Ungjillëzimit të Ri. Takimi u përgatit mbi bazën e një pune të madhe kërkimore: të gjitha konferencat ipeshkvnore iu përgjigjën një pyetësori, e një sintezë u përgatit për pjesëmarrësit.
U vu në dukje se ungjillëzimi i ri është një nga shqetësimet më të mëdha për ipeshkvijtë evropianë dhe se një punë e rëndësishme është bërë në nivele të ndryshme: sinode dioqezane e reflektime në nivelin e konferencave ipeshkvnore, publikime dokumentesh (gati në të gjitha vendet) e zbatime të shumta praktike.
Ungjillëzimi është manifestimi i jetës dhe i gjallërisë së Kishës. Nuk duhet kuptuar si një veprimtari e thjeshtë baritore, por si shfaqje a natyrës dhe e misionit të veprimtarisë së Kishës. Ungjillëzimi i ri u drejtohet jo vetëm të krishterëve, që janë larguar nga feja, por të gjithëve. Ka si qëllim të shpallë Krishtin, Zot i vërtetë e njeri i vërtetë, kryqëzuar për të marrë përsipër të gjithë mjerimin njerëzor, ringjallur që të gjithë ta kemi jetën. Të gjithë të pagëzuarit, përmes pagëzimit, janë të thirrur të marrin pjesë: familjet, të rinjtë, të cilët, në përgjithësi, janë më të gatshëm të bëhen misionarë, por edhe famullitë, lëvizjet e bashkësitë e reja. Edhe katekizmi e shkollat katolike duhet të bëhen gjithnjë e më tepër vende ungjillëzimi. Së fundi, sakramentet janë çaste të privilegjuara për të vënë në jetë këtë ungjillëzim të ri. Duhen kërkuar edhe rrugë të reja për ungjillëzim, si për shembull, teknologjitë e reja, interneti, rrjetet shoqërore. Gjithsesi, kjo është e mundur vetëm nëse, duke ndjekur shembullin e të krishterëve në Veprat e Apostujve, ia hapim zemrën me një mënyrë të re Shpirtit të Shenjtë: “Nuk do të ketë ungjillëzim të ri pa Rrëshajët e reja!”.
Zgjedhja e Shqipërisë, tokë martirësh, qe veçanërisht domethënëse për trajtimin e temës së ungjillëzimit të ri. Për ipeshkvijtë e pranishëm qe rasti i kujtimit të dëshmisë së ofruar nga Kisha misionare shqiptare e nga të gjitha Kishat Katolike të ritit linor, gjatë regjimit komunist.
Imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, i foli asamblesë. Vërejti se sot, shumë evropianë nuk dinë më asgjë për krishterimin e se nëse fjala “krizë” po përdoret shumë aktualisht, duhet parë edhe si mundësi për zhvillim. Sipas tij, “Ungjillëzimi i Ri është një mundësi që na ofrohet për të interpretuar çastin aktual historik, në mënyrë që veprimtaria e zakonshme e Kishës të bëhet e jashtëzakonshme. Me fjalë të tjera, jemi të thirrur ta jetojmë në mënyrë të jashtëzakonshme ngjarjen e zakonshme të jetës së Kishës, që është ungjillëzimi”. Përfundoi duke kujtuar nismën “Misione Metropole”, që do të zhvillohet në 12 qytete të mëdha evropiane, gjatë Krezhmëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.