2011-10-03 16:13:30

60-vjetori i programit shqip të Radio Vatikanit


Sigla e programit të parë të Radio Vatikanit...........RealAudioMP3
Kjo që dëgjuat është sigla e programit të parë të Radio Vatikanit, i cili filloi në një kohë të errët për historinë e Shqipërisë, me Udhën e Kryqit. Vërtet, në kryq ishte populli shqiptar nën diktaturën komuniste, e cila 60 vjet më parë, në kohën e 3 tetorit 1951, datë e fillimit të transmetimeve, kishte nisur persekutimin e klerit, që arriti majën më të lartë në vitin 1967, me mbylljen e vendeve të kultit dhe të institucioneve fetare e me ateizmin shtetëror, të sanksionuar në Kushtetutë, si në asnjë vend tjetër të botës. Kryeredaktori i parë i programit shqip, imzot Zef Shestani dhe ekipi, i përbërë nga Zef Pali, Andrea Shuli, motra engjëllore, Luçia Laca, u përpoqen për vite me radhë, ta shoqërojnë popullin shqiptar, të privuar nga feja, me katekizem e fjale tjera që u mungonte, me Fjalën e Zotit, me përkujtimin e shenjtorëve, por edhe me denoncimin e gjendjes në të cilën ndodhej pas perdes së hekurt.
Nga Radio Vatikani u çohej katolikëve shqiptarë zëri ngushëllues i Papës dhe i fesë, por nga Shqipëria asnjë pëshpërimë, deri në “fillimin e fundit”… të komunizmit, natyrisht. Atëherë dhe vetëm atëherë, mbi redaksinë shqip u derdhën lumenj letrash e telefonatash, duke dëshmuar se të shumtë ishin ata, që me kokën në rrezik, duke e mbajtur volumin ulët, dëgjonin radion e Papës, thonin Rruzaren bashkë me motër Luçinë e luteshin për të ardhmen e bijve të tyre.

Përgatitja e rënies së komunizmit gjeti në krye të programit shqip, Gjon Gjomarkajn, pas largimit të imzot Zef Shestanit, në vitin 1988, për arsye mosheje dhe sëmundjeje. Por emergjenca e fillimi i rindërtimit të Shqipërisë së re i takoi kryeredaktorit aktual, don David Gjugja, në krye të programit që nga viti 1992. E jo më larg se 25 prilli 1993, Papa Gjon Pali II, me vizitën e tij historike në Shqipëri, i dhuronte vendit të shqipeve, hierarkinë e Kishës Katolike, duke iu drejtuar kështu popullit shqiptar:
“…ec përpara me guxim drejt shtigjeve të solidaritetit… Le të të shoqërojë forca e martirëve të tu, dëshmitarë gjithmonë në rojë të lirisë në vitet e pafund të shtypjes së regjimit totalitar. Le t’i ndrisë hapat e tu dashuria për familjen, shpirti i vëllazërimit, mikpritja ndaj të huajit dhe vetitë, që e dallojnë popullin tuaj… Le të ushqejë guximin tënd feja e besimtarëve të tu në një Zot të vetëm, të cilët së bashku me çdo njeri vullnetmirë do t’i përkushtohen shërbimit ndaj drejtësisë e paqes” (Sheshi Skënderbej, Tiranë, 25 prill 1993).
I ruajmë me xhelozi intervistat me klerin katolik të mbijetuar nga regjimi komunist, ku ka dëshmi të tmerrshme për atë që meshtarët e murgeshat kanë pësuar nga njëra anë e, dëshmi shenjtërie të pashembullt nga ana tjetër, pasi këta njerëz ishin gati të falnin persekutorët e tyre. Njëri prej tyre, don Mikel Koliqi u krijua kardinal nga Papa Gjon Pali II në vitin 1994. Kardinali i parë dhe i vetëm i shqiptarëve! Pastaj zëri i Nënë Terezës dhe ngritja e saj në nderimet e elterit.
Temat e rindërtimit të Shqipërisë zunë një vend të madh në emisionet e Radios për t’u vijuar edhe me ato të luftës së Kosovës, në vitin 1999. Programit shqip, të përbërë nga don David Gjugja, Ana Luka, Katarina Nushi e Klaudia Bumçi, iu desh t’i përgjigjej thirrjes së Kishës lokale për ndihmë, duke rifilluar një traditë të Radio Vatikanit, që i ka rrënjët në Luftën e Dytë Botërore. Transmetoi çdo ditë emrat e personave të zhdukur në programin e veçantë “Speciale Balcani”, duke arritur disa suksese në bashkimin e familjeve. Transmetoi edhe drejtpërdrejt përfundimin e luftës në Kosovë.
Radioja është nderuar me Çmimin “Nënë Tereza” nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, ndërsa drejtori aktual i përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi, jezuit, është shpallur “Qytetar nderi i te gjitha trojeve ku flitet shqip”. E porosia e Papës Gjon Pali II, për të ecur përpara me guxim, vazhdon të ndriçojë hapat e programit shqip, në shërbim të Atit të Shenjtë, të Kishës e të kombit shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.