Imzot Mirdita në fund të mbledhjes së ipeshkvijve evropianë në Tiranë: Të shpallësh
sot Ungjillin do të thotë t’i japësh njeriut themelin, nga i cili është vetëprivuar,
ta shëlbosh e t’i kthesh lirinë
“Dashtë Nëna e Këshillit të Mirë, Pajtorja e Shqipërisë, dhe të gjithë martirët e
kishës shqiptare, t’i ndihmojnë kishat e Evropës në këtë mision të madh” të ungjillëzimit
të ri. Ky qe urimi, me të cilën e përfundoi homelinë e tij kreu i ipeshkvijve shqiptarë,
imzot Rrok Mirdita, në meshën e kremtuar sot në orën 11.00, në mbyllje të Takimit
të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës në Tiranë. Takimi, që filloi
më 29 shtator, i mblodhi ipeshkvijtë në kryeqytetin e Shqipërisë për të diskutuar
mbi rrugët e ungjillëzimit të ri në Evropë dhe për të zgjedhur presidencën e re të
Këshillit. E rëndësishme për këtë qëllim, sidomos dita e premte, gjatë së cilës u
paraqit sinteza e propozimeve, dërguar Këshillit përmes një pyetësori, shpërndarë
kohë më parë. Po atë ditë, foli kreu i Dikasterit Vatikanas për Ungjillëzimin e Ri,
imzot Rino Fizikela. I gjithë populli, theksoi imzot Fizikela, e gjithë bashkësia
e krishterë duhet të bëhet misionare, duhet t’i çojë botës Krishtin. Kemi nevojë ta
shpallim Ungjillin jo si besimtarë të veçantë, por si Popull i Zotit, një dhe i pandashëm. Dje,
dita u karakterizua nga paraqitja e veprimtarive të Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore
të Evropës për vitin 2011-2012, si edhe nga fjalimet e ipeshkvijve të vendeve përkatëse
mbi vizitën e Papës Benedikti XVI në Zagreb e në Gjermani, gjatë këtij viti; mbi ndihmën
për të krishterët në Tokën e Shenjtë; si edhe mbi takimin e ardhshëm të familjeve
në Milano, nga 30 maji deri më 3 qershor 2012, dhe mbi Kongresin e 50-të Eukaristik
Ndërkombëtar, që do të mbahet në Dublin, nga 10 deri më 17 qershor 2012. Në krye të
Këshillit për pesëvjeçarin e ardhshëm u zgjodh sërish kardinali hungarez Peter Erdë. Gjatë
homelisë së sotme, duke komentuar Ungjillin e ditës, imzot Rrok Mirdita, vuri në dukje
se ku zhytet shoqëria, që dëshiron t’i zerë vendin Zotit, ashtu siç bënë vreshtarët,
që vranë edhe të birin e të zotit të vreshtit, për t’ia marrë trashëgiminë. “Le
të mendojmë vetëm historinë e vonë të vendit tonë – tha imzot Mirdita - ku komunizmi,
gjoja për të ndërtuar utopinë marksiste të lumturisë së të gjithë njerëzve mbi tokë,
e shpalli Hyjin të tepërt, të padobishëm, madje të dëmshëm. Le të mendojmë se si ka
vrarë, ka futur në kampe përqendrimi dhe ka ndryrë në errësirën e dendur të qelive
të burgjeve të gjithë njerëzit e Hyjit, meshtarë, rregulltarë e laikë, pikërisht siç
kanë bërë vreshtarët e ungjillit të sotëm me shërbëtorët e pronarit. Cili ka qenë
premtimi që sipas tyre arsyetonte këtë dhunë? Lumturia, mirëqenia, paqja. Cili ka
qenë përfundimi i vendimit për të përjashtuar Hyjin? Mjerimi, lufta e klasave, prirja
për ta parë tjetrin si një armik të mundshëm, mbyllja e plotë kundrejt botës, zbrazëtia
e frikshme shpirtërore. Kanë përjashtuar Hyjin në emër të lirisë, por në realitet
kanë ngritur një burg të padurueshëm. Ne jemi i vetmi popull në planet që, me shpalljen
e ateizmit me kushtetutë, na është dashur të provojmë mbi lëkurë se si një shoqëri
pa Hyjin është një shoqëri pa liri, në të cilën është e vështirë, për të mos thënë
e pamundur, t’i vihet pritë dhunës”. E megjithatë, edhe në atë burg të madh,
që ishte Shqipëria e asaj kohe, liria përjetohej në Zotin, besimi i fshehtë i besimtarëve
ishte dritarja e vetme e lirisë, vazhdoi imzot Mirdita. Që këtej rrjedh kontributi
që populli shqiptar mund të japë në ungjillëzimin e ri të Evropës. Pikë së pari, nënvizoi
kryeipeshkvi i Tiranës, shqiptarët i kujtojnë Evropës se nuk duhet të harrojë ç’ndodhi,
siç porositi Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në vitin 1993. “Kush
më mirë sesa vendi ynë – theksoi pastaj imzot Mirdita - mund t’i çojë Europës, që
po rrëshqet drejt laicizmit të skajshëm, një mesazh të fortë, që të mos e përsërisë
atë gabim të rëndë të përjashtimit të Hyjit nga jeta sociale, çmimin e hidhur të të
cilit populli ynë vazhdon ta paguajë ende... Çfarë do të thotë të ungjillëzosh Europën
sot? Do të thotë t’i tregosh gurin e hedhur tej, tani së voni edhe prej asaj vetë,
që ky gur, Krishti, të bëhet edhe një herë themeli i saj. Për ta bërë këtë, duhet
ta shikojmë me guxim të keqen e kontinentit tonë, duhet të shikojmë me dashuri burrat
dhe gratë e tij dhe, në vend që të ankohemi e të presim që e keqja të kalojë, duhet
të shpallim me besim praninë e Atij që me vdekjen e vet i jep kuptim dhimbjes, sjell
faljen dhe hedh dritë të re mbi jetën. Të shpallësh Ungjillin do të thotë t’ia kthesh
e jo t’ia heqësh lirinë njeriut, atë liri që është rivendosje e marrëdhënies me Hyjin
dhe dhurim jete për njerëzit”. Informacionin përmbyllës mbi konferencën e
ipeshkvijve evropianë në Tiranë, na e jep kryeredaktori ynë don David Gjugja nga vendi...