2011-10-02 16:57:55

Editorial i atë Lombardit: Papa në Gjermani dhe kuptimi i kërkesës ungjillore për dhënien e arsyeve të fesë së krishterë


Në komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi kujton sërish udhëtimin e Papës në Gjermani, duke u ndalur veçanërisht në fjalën e tij për seminaristët e Frajburgut, nga ku dolën këshilla të çmuara për edukimin e formimin e tyre, të vlefshme edhe për të tjerët. Por të dëgjojmë atë Lombardin:RealAudioMP3
“Ndër fjalimet e çmuara, mbajtur nga Papa në Gjermani, do të dëshiroja të kujtoja njërin, që u përmend pak, pasi u tha spontanisht, pa tekst të shkruar, në përfundim të bashkëbisedimit të tij me seminaristët e Frajburgut. Foli për studimin gjatë përgatitjes për meshtari, por fjalimi vlen për të gjithë. Foli për këtë botën tonë “racionaliste dhe të kushtëzuar nga shkencizmi”. Tha se “fryma e shkencizmit, mania për të kuptuar, për të shpjeguar, për të ditur gjithçka e për të refuzuar çdo gjë, që nuk është racionale, mbizotëron në kohën tonë”, pavarësisht se pranoi se “edhe në këtë përpjekje ka diçka të madhe, megjithëse shpesh mbrapa saj fshihet mendjemadhësia”. Papa vazhdoi, duke thënë se feja “nuk është një botë më vete”, por “përqafon gjithçka e i jep kuptim”, e interpreton e i ofron “direktiva etike të brendshme”, që bota të kuptohet e të jetohet duke u nisur nga Zoti e duke pasur parasysh Zotin. E përfundoi: “prandaj është e rëndësishme të jemi të informuar, të kuptojmë, ta kemi mendjen e hapur e të mësojmë”. “Vetëm kështu mund t’i bëjmë ballë kohës sonë e t’i shpallim asaj “logos”-in, arsyen e fesë sonë”.
E dimë tashmë se theksi mbi marrëdhëniet ndërmjet arsyes e fesë është një nga tiparet karakteristike të kësaj papnie, por rrallë e kishim dëgjuar Papën t’i shpjegonte këto marrëdhënie personalisht, kaq konkretisht, si ua shpjegoi seminaristëve të Frajburgut. Duket qartë se seminaristi i dikurshëm Jozef Racinger pati studiuar me seriozitet e inteligjencë, gjë që e vazhdoi tërë jetën, për ta ndihmuar mbarë Kishën, si Papë, të japë “arsyet e fesë së vet” (1 Pjt 3.15), siç kërkon bota e sotme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.