2011-09-30 16:06:00

Topi: Shqipëria vend demokratik e laik, mikpritës dhe respektues i të gjitha besimeve


TIRANË, 30 Shtator/ATSH-Gjergji Mima/ -Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dha sot një pritje për Këshillin e Konferencave Ipeshkvnore të Evropës
"Sot është një ditë e veçantë dhe një kënaqësi e madhe për mua, që në emër të të gjithë popullit shqiptar, t'Ju uroj mirëseardhjen në Tiranë, në vendin e Nënë Terezës, bamirëses së madhe të mbarë njerëzimit, në vendin e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, mbrojtësit të madh të qytetërimit perëndimor, në vendin e bashkëjetesës paqësore të besimeve fetare, të cilat, së bashku, i mbijetuan persekutimit komunist, me besimin e palëkundur te Zoti, për ta ringjallur atë pas 50 viteve në diktaturë", tha Presidenti Topi.
Kreu i Shtetit falenderoi përfaqësuesit e Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës, që për jubileun e 40-vjetorit të themelimit të Konferencës Ipeshkvnore Evropiane, zgjodhën Tiranën për takimin e radhës, i cili përkon me 20-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Vatikanit, pikërisht në shtator të vitit 1991.
"20 vite më parë, në Shqipëri besimi tek Zoti ka qenë i ndaluar me ligj. Fetë dhe Kleri në Shqipëri u përballën me njërën prej diktaturave më të egra të kohës, duke dëshmuar se filozofia e dashurisë mbi dhunën, e lirisë mbi tiraninë, triumfoi. Në këtë përballje Kisha Katolike u martirizua si në kohën e katakombeve, por martirët e saj i bëjnë nder kombit, i bëjnë nder Kishës Universale. Ata besuan se aty ku është shpirti i Zotit, aty është liria", u shpreh Topi.
Sipas tij, kujdesi i Vatikanit ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar ka qenë i vazhdueshëm gjatë gjithë etapave të vështira të historisë, në përpjekje për liri, pavarësi dhe integritet territorial.
Topi theksoi se shqiptarët, pa dallim feje, ruajnë të paharruar në kujtesën e tyre vizitën e Papa Gjon Palit të Dytë në Tiranë, në 24 prill të vitit 1993. "Ne e nderojmë figurën e tij për besimin e fortë, për përvojën e tij unike në histori, për mesazhet e tij të paqes e të lirisë si dhe kontributin e tij të çmuar për çlirimin e popujve të Lindjes nga barbaria e komunizmit. Prandaj mirënjohja e mbarë shqiptarëve ndaj këtij prelati të lirisë e të besimit, do të jetë e përjetshme", tha Topi.
Presidenti i Republikës vuri në dukje se Kisha Katolike shqiptare ka dhënë një kontribut të veçantë gjatë etapave të zhvillimit të historisë së vendit tonë - në ruajtjen e integritetit të vendit; në konsolidimin e pavarësisë dhe ngritjen e shtetit; në ruajtjen e identitetit kombëtar, në kultivimin e gjuhës e kulturës, në ngritjen e institucioneve arsimore të popullit tonë si dhe në luftën e përditshme kundër varfërisë dhe mjerimit si dhe në shumë fusha të tjera.
Por, sipas tij, kontributi më i madh mbetet vendosja e një klime paqësore dhe bashkëjetese mes besimeve në Shqipëri, si një pasuri e madhe kombëtare, që është ruajtur dhe trashëguar në breza nga krerët e komuniteteve fetare në vendin tonë.
"Sot, Shqipëria është një vend demokratik e laik, mikëpritës dhe respektues i të gjitha besimeve, anëtar i NATO-s, e vendosur në perspektivën e integrimit evropian. Prandaj shpreh bindjen time të plotë se Vatikani në vijim të traditës së tij historike, në sintoni me proceset demokratike e integruese, do të jetë si gjithmonë në krah të përpjekjeve të popullit shqiptar, i cili dëshiron të zerë vendin e tij në familjen e përbashkët evropiane", tha Presidenti Topi, i cili rikonfirmoi ftesën për të vizituar Shqipërinë, për Shenjtërinë e Tij, Papa Benedikti XVI.









All the contents on this site are copyrighted ©.